Kosova me pikë historike në Spanjë - Bota Sot
Kosova me pikë historike në Spanjë

Hendboll

Kosova me pikë historike në Spanjë

Më: 23 korrik 2019 Në ora: 13:05
Kosova me pikë historike në Spanjë

Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll ka fituar pikë historike në kampionatin botëror për juniorë që po mbahet në Spanjë. Në ndeshjen e fundit në grup, Kosova barazoi me Bahrejnin me rezultat 29:29. Kështu Kosova në pjesëmarrjen e parë në botëror në të gjitha sportet, përfundon fazën grupore me një pikë të fituar. Tani Kombëtarja jonë i ka edhe dy ndeshje për plasman përfundimtar (21-24). 

Ndeshja me Bahrejnin ishte e fortë dhe shumë dramatike. U vendos vetëm në sekondat e fundit. Rezultati 29:29 u barazua në minutën e fundit, ndërsa në aksionin e fundit Bahrejni nuk realizoi gol. Golin e barazimit 29:29 për Kosovën e shënoi aloja Rinor Avdulli. 

Të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin e tyre në ndeshje ndaj Bahrejnit. Pas epërsisë fillestare të Kosovës, Bahrejni doli në epërsi që shkoi deri në katër gola në pjesën e parë (9:5). Në minutën e 20-të rezultati u barazua në 9:9, por Bahrejni prap u shkëput, ndërsa djemtë tanë nuk u dorëzuan dhe pjesa e parë përfundoi me rezultat 15:14 për Bahrejnin. 

Pjesën e dytë më mirë e nisi kundërshtari që krijoi epërsi 18:14 e 19:15. Katër gola epërsi Bahrejni kishte edhe më pas, por Kosova gradualisht zvogëloi epërsinë dhe në fund siguroi barazimin. 
Drenit Tahirukaj me 6 gola ishte më efikasi, ndërsa nga 5 i realizuan Jon Muqolli e Albin Xhafolli. Por të gjithë dhanë kontribut në barazimin e parë në botëror. Portieri Flakrim Beqiraj kishte 10 pritje, kurse Arti Luzha dy pritje në momentet vendimtare.

Fatmir Muhaxheri, trajner: Sot djemtë janë angazhuar, kanë dhënë maksimumin dhe kanë dëgjuar këshillat e bankës. I kanë realizuar aksionet për të cilat jemi marrë vesh.

Jon Muqolli, kapiten: Jemi munduar të fitojmë por edhe barazimi është rezultat i mirë. Kemi bërë gabime si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, që na kanë kushtuar.

Në përgjithësi mund të jemi të kënaqur me atë që kemi arritur deri më tani. Kemi luajtur me ekipe shumë cilësore dhe jemi munduar të bëjmë më të mirën. Për ne është hera e parë në botëror dhe po mundohemi të prezentojmë shtetin sa më mirë. Besoj që tifozët janë të kënaqur me angazhimin tonë.

Bahrejni - Kosova 29:29 (15:14)

Kosova: Arti Luzha, Labinot Gubetini, Arben Dugolli 3, Besian Abazi, Agon Bajqinovci, Lulzim Shabani 4, Rinor Avdulli 3, Drenit Tahirukaj 6, Festim Mustafa, Flakrim Beqiraj, Jon Muqolli 5, Albin Xhafolli 5, Atdhe Basholli, Adrian Halili 3, Blendi Dalladaku.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...