FHK-ja dhe Komuna e Gjilanit në përkrahje të Dritës

Hendboll

FHK-ja dhe Komuna e Gjilanit në përkrahje të Dritës

Më: 10 shtator 2019 Në ora: 18:31
FHK-ja dhe Komuna e Gjilanit në përkrahje të Dritës

Të martën (sot) në ambientet e Kuvendit Komunal në Gjilan, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport e Gjilanit, Deniza Limani dhe përgjegjësi për sport, Malazog Hoxha kanë pritur në takim delegacionin e Federatës së Hendbollit të Kosovës që përbëhej nga sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci dhe komesari i garave, Istref Sadriu. Takimi u aranzhua për shkak të vështirësive të paraqitura nga KH Drita, që ka paralajmëruar mospjesëmarrjen në gara, si pasojë e kushteve të vështira financiare dhe organizative.

 Sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Gjinovci fillimisht shprehu keqardhje për vendimin e Luan Sllamnikut për këtë veprim, duke kërkuar nga zyrtarët komunal përkrahje më të madhe financiare nga Komuna e në të njëjtën kohë përforcim të klubit me punëtor tjerë sportiv nga Gjilani, në mënyrë që barra e klubit mos të bie vetëm te një person.

Gjinovci ka treguar edhe për përkrahjen e FHK-së për klubet e hendbollit, si mbulesa e shumë shpenzimeve, duke filluar nga pagesa e personave zyrtar, pajisja me topa për të gjitha kategoritë dhe kotizimi simbolik.

Drejtoresha Deniza Limani tha se përkundër fondit të vogël financiar që disponon, do të bëjë të pamundurën që KH Drita të zhvillojë garat dhe të konsolidohet. Ajo ka premtuar që në ditët në vijim do të bisedohet me Sllamnikun, lojtarët dhe punëtorët tjerë sportivë të hendbollit e poashtu me bizneset gjilanase, që ky klub me traditë të mos shuhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat