Mitrovicën po e mbulon turpi, Trepça po shuhet?! Torcida reagon

Hendboll

Mitrovicën po e mbulon turpi, Trepça po shuhet?! Torcida reagon

Nga: Kemajl Goca Më: 11 shtator 2019 Në ora: 14:08
Mitrovicën po e mbulon turpi, Trepça po shuhet?! Torcida reagon

Dikur të gjithë bënin be për sukseset e klubit të hendbollit Trepça nga Mitrovica (meshkujt), e cila një vit ka qenë edhe pjesë e elitës së hendbollit ish jugosllav (në vitet e 80-ta) dhe shumë vite në ligën e dytë të asaj kohe (në vitet e 80-ta). Është prej klubeve më të suksesshme në vendin tonë, sot ballafaqohet me krizën me të rëndë, është shumë afër shuarjes.

Qyteti i Mitrovicës si qytet i sporti, është e habitshme që të lejojë një klub me renome që të vije në këtë gjendje, kjo nuk do koment. Faktikisht, në zhargonin sportiv qytetin e Mitrovicës po e mbulon turpi, sepse është e palogjikshme që askush mos t’i ndal në ndihmë klubit.

A do të del në fund si shpëtues Kuvendi Komunal i Mitrovicës apo ndonjë sponsor, gjithçka mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim! Raportohet se Trepça nuk ka asnjë stërvitje, kurse elita e hendbollit (meshkujt) fillon garat të shtunën. Tifozët e njohur “Torcida 1984” reagojnë dhe zotohen se nuk do të lejojnë që të shuhet.

“E dhimbshme shumë, sepse pikërisht hendbolli është disiplina e parë ku Torcida është paraqit për herë të parë në tribuna publikisht në vitin 1984. Pra hendbolli konsiderohet si disiplina ma me traditë në qytetin tonë. Nëse shikoni në aktivitetet e viteve të fundit si tifogrup kemi bërë çmos me konsoliduar klubin dhe me ndihmuar në çdo formë, si ofrimin e lojtarëve, ndihmën financiare, përkrahje në çfarë do forme. Në vitin 2017, kemi arrit që fal Torcidës t’i afrojmë kokat e të gjithë lojtarëve përkundër pakënaqësive të mëdha me pagesa kundrejt kryesisë dhe trajnerit Taib Kabashi. Po at vit për herë të parë morëm pjesë në garat europiane, Tani më zgjidhje nuk kemi sepse janë shter burimet financiare. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që do të ndalemi”, thonë nga ‘Torcida 1984’. Trepça pa asnjë stërvitje, kampionati fillon të shtunën, çka nëse ndodhë më e keqja?

“Nuk do të lejojmë. Bëjmë apel tek dashamirët e sportit në Mitrovicë për ndihmë”, thonë më tej tifozët. Ka reaguar dhe gazetari sportiv mitrovicas, Arsim Maxhera, duke shprehur shqetësimet me zhvillimet e fundit në klubin me renome. “Në kohën kur sporti po sjell krenari kombëtare, me shqetësim mora një lajm për sportin e qytetit të sportit - Mitrovicës.

Klubi i hendbollit Trepça po mendon seriozisht të heq dorë nga pjesëmarrja në Superligën e Kosovës. Arsyet: gjendja e vështirë financiare e bashkë me të edhe ajo organizative. Skuadra nuk ka nisur me përgatitje dhe nuk dihet nëse do të nis dhe kur do të nis, ndërkohë që kampionati nis pas pak ditësh. Dy vite më parë, Trepça luajti në Evropë e tani nuk është në gjendje të luajë në gara vendore. Më poshtë nuk mund të shkohet...

Shumë njerëz janë lodhur duke dhënë për klubin(përfshirë lojtarët), disa të tjerë nuk e kthejnë fare kokën nga ai. Dhe kështu klubi që i solli aq shumë gëzime qytetit, është buzë greminës. Ka prekur fundin në momentin kur do të duhej të lulëzonte, kur u bë i plotëfuqishëm ligji për sponsorizime e për më tepër në kohë fushate parazgjedhore, kur kuletat hapen e premtime të mëdha jepen.
Për përgjegjësit tjetër herë.

Tani është koha e fundit për mobilizim të plotë për të nisur garën dhe për të përfunduar atë me nder. Në të kundërtën qyteti nuk do të na fal, gjeneratat e ardhshme do të drejtojnë gishtin kah ne. Një qytet që sportin e ka mburrje ngadalë po mbetet pa klubet simbol të tij... Kjo koreografi e bukur e Torcidës po e humb kuptimin”, shkruan Maxhera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat