Selektori i Kosovës flet për shumëçka, edhe për jetën private

Hendboll

Selektori i Kosovës flet për shumëçka, edhe për jetën private

Nga: Kemajl Goca Më: 24 shtator 2019 Në ora: 10:28
Selektori i Kosovës flet për shumëçka, edhe për jetën private

Selektori i kombëtares së Kosovës në hendboll (meshkujt), Taip Ramadani, flet për kombëtaren, para kualifikueseve për Kampionatin Botëror 2021,  po ashtu tregon se përveç si selektor, me çfarë merret në jetë dhe sa ka arritur të përshtatet prej jetës australiane me atë të Kosovës. 

Image

“Bota sot”: Kosova është në rrugë të mirë të rezultateve, u vërejt në kualifikueset e fundit, çka duhet bërë për më shumë?
Taip Ramadani:
Rezultatet e fundit, sidomos në shtëpi, ua kanë shtuar vullnetin dhe vetëbesimin lojtarëve, megjithatë e kuptojmë mirë se ka ende shumë punë për me u ngrit në nivelin elitar europian.  Juniorët tanë, gjithashtu, viteve të fundit kanë fituar përvojë të mirë në arenën ndërkombëtare dhe shpresoj që ndihen të motivuar ta vazhdojnë punën dhe zhvillimin personal.  Klubet dhe përfaqësuesja duhen me e ngrit bashkëpunimin dhe me sistematizuar tutje punën, me krijuar rrethana elitare dhe kushte të mjaftueshme për përgatitjen e lojtarëve, si fizikisht ashtu edhe psikikisht. Po ashtu, duhet t’u japim lojtarëve raste më të shpeshta për gara jashtë vendit tonë.

Por kryesisht, për afat më të gjatë, duhet t’i identifikojmë shumë më herët fëmijët me tipare sportive, t’i afrojmë në hendboll dhe t’i zhvillojmë teknikisht në moshat më të reja, saqë kur kalojnë në kadet veç se e kanë kryer zhvillimin teknik dhe kanë përvojë shumëvjeçare të lojës.

“Bota sot”: Ka kohë ende deri të kualifikimet për Kampionatin Botëror 2021, ku Kosova është në grup me Rumaninë dhe Gjeorgjinë, a mendoni se janë gjasat shumë të mira për vend të parë në grupin 3?

Taip Ramadani: Ende është herët më i vlerësuar gjasat për këtë kampionat por synimi ynë është për me vazhduar në fazën e dytë të kualifikimeve. Me Italinë dhe Rumaninë kemi luajt para disa viteve dhe mundemi të nxjerrim pak informata edhe nga ato takimet. Gjeorgjinë e kemi përcjellë së afërmi gjatë garave Emerging Nations trophy në Bullgari, edhe pse nuk kemi luajt kundër tyre, kemi vërejt filozofinë e lojës që e përcjellin. Por jam shumë më i interesuar me analizuar se çfarë zhvillime ka në këto ekipe ndërkohë. Jemi duke mbledh informata dhe duke i analizuar detajisht këto ekipe, asgjë nuk do t’ia lëmë rastit edhe fatit.

Image

“Bota sot”: Sa keni njohuri për Gjeorgjinë dhe Rumaninë, a ka dallim të madh ndaj Kosovës, nga vjen rreziku më i madh?

Taip Ramadani: Viteve të fundit Rumania vërtet ka kaluar kohë të vështira në arenën ndërkombëtare, mirëpo nuk guxojmë t’i nënvlerësojmë. E dimë se kanë traditë të hendbollit, dhe gjithashtu Liga Nacionale rumune është shumë më e fortë se ajo e jona, ekipet e të cilës garojnë në të gjitha garat europiane, po ashtu një numër i madh të përfaqësueseve rumun luajnë në Bundesligë dhe elitën franceze.   Gjeorgjia nuk është në të njëjtin nivel me Rumaninë, mirëpo kualifikimet luhen në formë kampionati dhe suksesi edhe cilësia e ekipeve do të varet edhe nga aftësia e rikuperimit të ekipeve, pasi lojërat do të mbahen tre ditë rresht.

“Bota sot”: A mendoni se për dy vitet e ardhshme Kosova do të ketë një kombëtare shumë të fuqishme, sidomos me brumin që ka nga Diaspora?

Taip Ramadani: Shpresoj se në vitet e ardhshme, me angazhim të madh dhe investim të duhura ne mund të ecim shumë para, së paku ka mundësi për përmirësime në disa aspekte. Por ne duhet të fokusohemi ekskluzivisht në lojtarët vendorë. Federata ndërkombëtare është duke implementuar politikë të rreptë për të penguar kalimin e lojtarëve të natyralizuar në shtete tjera. Nuk jam i pajtimit të këtyre rregullave, pasi që mendoj i diskriminojnë ndaj ekipeve të vogla, siç jemi ne, që kemi lidhje natyrore me diasporë, por një pozitive që vjen nga kjo është se na detyron të fokusohemi tërësisht nga brendësia jonë.

“Bota sot”: Taip Ramadani, nga Australia në Kosovë, sa keni mundur të adaptoheni me jetën në Prishtinë, pasi periudhën më të gjatë e keni kaluar në shtetin australian?
Taip Ramadani:
Gjithmonë kam thënë së Prishtina është shpirtërisht vendi im. Ndihem i lumtur dhe në qetësi shpirtërore kur banoj në Prishtinë.  Më ndihmon shumë që e njoh gjuhën dhe kulturën tonë, por sidomos që e kam përkrahjen e anëtarëve të federatës që gjithmonë bëjnë çmos për me më lehtësuar qëndrimin në Kosovë. Por po ashtu dua ta ceki shoqërinë që kam bë këto vite të fundit sa kam qenë në Kosovë, të cilët kurrë nuk i kam larg, si për miqësi ashtu edhe për një këshillë të duhur. Por, plusi i madh është se kam edhe një familje të madhe që me përkrahë dhe më shton kurajën dhe vullnetin.

“Bota sot”: Përveç si selektor, me çfarë merret tjetër Taipi?

Taip Ramadani: Përveç hendbollit merrem edhe me informatikë. Sidomos në zhvillimin e bazave informatike dhe website development. Informatikën e kam drejtim nga mosha e re dhe këtë dituri e aplikoj sistematikisht në punën time me hendboll, në mirëmbajtjen dhe analizimin e informatave të lojës dhe lojtarëve. Po ashtu jam prind i një djali 17-vjeçar dhe një vajze të vogël që na ka falë Zoti para një viti dhe mundohem sa më shumë të jem afër tyre.

“Bota sot”: A kemi një brumë të mirë nga gjeneratat e reja që premton shumë për të ardhmen e kombëtares së Kosovës?
Taip Ramadani:
Po, sigurisht Kosova ka brumë dhe ka mundësi me krijuar edhe më shumë brumë për të ardhmen e vendit në hendboll. Këtë fakt e kemi dëshmuar në raste të posaçme me juniorët në Spanjë por edhe në garat tjera. Ka pas raste të shumta ku juniorët tanë kanë dëshmuar pjekuri dhe kreativitet në loje, ku edhe vetë jam befasuar. Por duhet të kuptojmë se nuk mund të arrihet rastësisht te suksesi, ose të varemi në dy a tre talentë të bëjnë peshën e përfaqësueses në supet e tyre. Ne duhet të angazhohemi në mënyrë strategjike dhe gjithë pjesëmarrësit në këtë projekt duhet ta kuptojnë dhe t’i besojnë qëllimit të përbashkët, që të punojnë mençur në këtë drejtim. Vetëm kur bashkohemi dhe punojmë me interes të përbashkët ia arrijmë qëllimeve.

“Bota sot”: Si e vlerësoni Kosovën U-20 që mori pjesë në Kampionatin Botëror dhe a ishte një përvojë e mirë?
Taip Ramadani:
Kam qenë fatlum që kam pas rastin me punuar me kryetrajnerin Fatmir Muhaxheri në këtë grupmoshë. Kam fituar shumë respekt nga ky grup i lojtarëve për dedikimin dhe etikën e punës që kanë dëshmuar gjatë kësaj kohe. Ka qenë gara më e rëndë që kanë pas deri tani, por me kanë lanë përshtypje si djem luftarak që frymëzohen nga sfidat e vështira. Ne patëm një nisje premtuese në lojën e parë kundër kroatëve ku ishim në të njëjtin nivel për pjesën dërmuese të lojës, por nuk mundem ta mbajmë këtë vrull gjatë gjithë kampionatit.  

Gjithashtu kishim vështirësi të luajmë kundër ekipeve me sisteme të hapura të mbrojtjes, siç luante Brazili. Këtë vështirësi taktikore e vërejtëm edhe në IHF trophy në Prishtinë kundër Taipeve Kineze, variant që duhet ta zhvillojmë në të ardhmen.

Mirëpo, në lojën kundër Bahreinit treguam diçka tjetër, ku në sekondat e fundit shënuam dy herë rresht të barazojmë,  pasi që çdo shenjë dukej se ata kishin siguruar fitoren. Mënyra se si u kthyen në lojë djemtë dhe si e nxorën një pikë dëshmoj për karakterin e fortë luftarak të djemve dhe për këtë ishim të gjithë shumë krenar atë ditë. Anekdota të tilla me japin shpresë për të ardhmen tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat