Shabani: Kemi njohuri për forcën e gjermaneve

Hendboll

Shabani: Kemi njohuri për forcën e gjermaneve

Nga: Kemajl Goca Më: 27 shtator 2019 Në ora: 19:17
Agron Shabani

Pas sfidës në Maribor me Slloveninë, kombëtarja e Kosovës ka edhe një sprovë të vështirë, kësaj radhe në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë (me 29 shtator, në orën 20.00) kundër Gjermanisë, në kuadër të grupit 3 të xhiros së dytë të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020 në hendboll (femrat).

Kosova bëri paraqitje të mirë në Maribor, por pësoi humbje me 9 gola diferencë (32:23), ndërsa me gjermanet shpresojnë në paraqitje më të mirë. “Jemi më të kompletuar me Albana Arifin, Leonora Demajn, Mirela Gjikokaj etj. në krahasim me ndeshjet e përparshme. Jo si në ndeshjet e përparshme kur kemi humb me nga 20 gola diferencë, por kemi pritur se do të humbim me më pak gola dhe ashtu edhe ndodhi me Slloveninë, e cila është fuqi e hendbollit botëror. Nuk isha edhe aq optimist por sado kudo shpresoja në një lojë më të mirë dhe rezultat më të mirë, meqë edhe ia arritëm”, tha Shabani për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Shabani tha se kanë njohuri për forcën e gjermaneve. “Ishim të përqendruara në ndeshjen me sllovenet, tash përqendrohem për gjermanet. Gjermanet e mundën me 10 diferencë (40:30) Bjellorusinë dhe dihet se janë superfuqie e madhe, ndoshta janë më të mira se sllovenet.

Për ne, ishte loja e parë që luajtëm me formacion të kompletuar, shpresoj që në lojën e dytë të luajmë më mirë, para një publikut të mrekullueshëm ashtu si di Kosova me bë dhe të tregohemi të denjë ndaj një kundërshtares së fortë siç janë gjermanet”, theksoi ai.

Shabani tha se gjermanet janë më shtatlarte: “Shtatlartësia dhe cilësia janë të gjermanet, të gjitha luajnë në ekipet profesionale, nuk jemi ne të atij rangut. Mendoj se pasi që luajtëm lojën e parë në Slloveni, nuk jemi aq në presion. Ndeshja e parë ka qenë me presion dhe këto vasha ishte hera e parë që luajtën të gjitha së bashku, do të shikojmë t‘i evitojmë disa gabime që u paraqitën me Slloveninë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat