KH Kastrioti pa trajner e pa kryetar, lojtarët pa rroga! Paralajmërohet bojkoti

Hendboll

KH Kastrioti pa trajner e pa kryetar, lojtarët pa rroga! Paralajmërohet bojkoti

Nga: Kemajl Goca Më: 10 tetor 2019 Në ora: 11:47
KH Kastrioti pa trajner e pa kryetar, lojtarët pa rroga! Paralajmërohet bojkoti

Klubi me renome Kastrioti nga Ferizaj, fitues i Kupës së Kosovës në hendboll (meshkujt), është në krizë të rëndë! Klubi po kalon periudhën me të errtë dhe pritet që edhe hendbollistët të bojkotojnë klubin, arsyeja është e thjeshtë, sipas burimeve brenda kolektivit, nuk duan të luajnë pa para! Klubi as në tokë dhe as në qiell, askush nuk jep llogari, siç raportojnë burimet brendapërbrenda klubit!

Vetëm sa nuk kanë shpërthye edhe vet lojtarët, që janë të demotivuar për gjendjen që po kalojnë. Rasti më i freskët është edhe i javës së kaluar, para se të niseshin për në Çeki, lojtarët nuk kanë dashur të udhëtojnë! Kush ishte shpëtues dhe i shpëtoi me fytyrë, që të shkojnë e të luajnë ndeshjen në Pragë me Dukla.

Ishte Federata e Hendbollit e Kosovës. Jo që federata i ndihmoi, por ia dha klubi shpërblimin 2500 euro, që i takon me rregullore, si fitues i Kupës së Kosovës. Paratë që i morën nga federata, merret vesh, se iu shpërndanë lojtarëve dhe pastaj nisen!  Jo vetëm kjo hallakatje në klub, ka kohë që janë mbetur pa kryetar dhe pa kryetrajner. Ikja e Verim Zherkës nga posti i kryetrajnerit ishte edhe sinjali i parë se në këtë klub po vlon diçka për të keq, edhe pse Zherka me at kokëfortësinë e tij të paarsyeshme, kur nuk e tha pse iku papritur apo kurrë se zbuloi se çka po zihet në at kazan të klubit! E dyta, është shtyrë sfida e djeshme mes Kastriotit dhe Trepçës. “Trepça e pranoi që të shtyhet ndeshja, kërkesa ishte e Kastriotit”, tha një burim për gazetën kombëtare “Bota sot”. Shtyrja e ndeshjes ka një sebep, merret vesh se lojtarët nuk luajnë pa rroga, nuk kanë marrë asgjë. Tollovia e madhe në klub, gati edhe para shuarjes. Nëse është kështu, a është mëkat që lojtarët mos të marrin rroga dhe t’i shkelet djersa? A ka kryesi dhe cili ka mbetur përgjegjësi aty, të paktën le të del e të kërkojë lëmoshë edhe nga qytetarët, qoftë nevoja edhe derë në derë, mos të mbeten ashtu siç kanë mbetur për mjerim. Ose, ikni sa më larg klubit! E treta, nuk jetohet gjithmonë me krenarinë e traditës, sepse Kastrioti sot është në gjendje për të vajtuar i madh dhe i vogël. E katërta, burimet tona bëjnë të ditur, ec e guxo e shko trokit te kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu. A e dini pse?

Merret vesh se Komuna i ka kryer të gjitha obligimet, ka dhanë mjete më shumë se sa mendon dikush, kështu raportohet! KH Kastrioti mori pjesë në garat ndërkombëtare duke i ikur dënimit material dhe mospjesëmarrjes me 5 vite në garat ndërkombëtare, kjo u bë fal angazhimit të stafit teknik të KH Kastriotit dhe federatës.

“Pas kthimit nga Çekia KH Kastrioti rrezikonte mos vazhdimin në garat e Superligës së Kosovës, arsyeja për këtë është mungesa e kryetarit dhe kryesisë, gjë që është krijuar një pasiguri tek lojtarët.

Të gjithë lojtarët janë deklaruar që nuk do të vazhdojnë stërvitjet dhe ndeshjet kampionale pas kryerjes së obligimeve ndaj tyre, klubi ka obligim ndaj lojtarëve, andaj lojtarët kërkojnë që t’ju garantohet marrja e pagave nga kryesia, përndryshe nuk do të vazhdojnë tutje.

Komuna e Ferizajt e ka siguruar transportin e lojtarëve për lojërat ndërkombëtare dhe me mjete materiale lojtarët e KH Kastriotit, kërkojnë që sa më parë të konsolidohen kryesia në lidhje me klubin, me qëllim që të vazhdoj mbarëvajtja e garave kampionale përndryshe rrezikohet pjesëmarrja në Superligën e Kosovës”, tha një burim brenda klubit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat