E mbuloi turpi klubin më të madh në Kosovë! Po skuqet edhe federata

Hendboll

E mbuloi turpi klubin më të madh në Kosovë! Po skuqet edhe federata

Nga: Kemajl Goca Më: 17 tetor 2019 Në ora: 12:11
Ndeshja e mbrëmshme, Kastrioti pa lojtarë në bankë

Dikush i mallkon, dikush qeshet, dikujt i vije shumë keq dhe dikujt i plas barku nga inati, dikush as në palestër nuk guxon të shkoi e të shoh klubin e zemrës se sa poshtë ka rënë dhe dikujt i dridhet zemra e skuqet nga nervozizmi kur e sheh klubin më të madh në Kosovë, klubin e hendbollit Kastriotin nga Ferizaj (meshkujt)!  

E mbuloi turpi klubin më të madh në Kosovë dhe pa pikë dyshimi, nuk ka tjetër epitet që mund ta quash! Turp iu qoftë, ndryshe nuk mund t’ju quajnë dashamirët e hendbollit dhe të sportit. Jo vetëm Kastriotin që e mbuloi turpi por e skuqi fortë e keq edhe Federatën e Hendbollit të Kosovës.  

Nuk mund ta quhesh turp vetëm nëse e sheh dikë duke urinuar në mes të rrugës apo e kryen nevojën e madhe, por është turp që një klub me traditë të madhe siç është Kastrioti mezi i tuboi shtatë lojtarë (gati të gjithë juniorë) të luajë ndeshjen me Trepçën nga Mitrovica dhe pësoi humbje me rezultat 25:48. Fare nuk ka rëndësi rezultati, por turpi që mbuloi klubin që nuk kishte në bankë asnjë lojtarë zëvendësues, asnjë dhe asnjë! Kësaj i thonë shkurt e shqip: Zoti i marroftë të gjithë ata që e prunë në këtë gjendje klubin, kështu e thonë edhe dashamirët me të zjarrtë të klubit.

Disa e quajnë tmerr, e disa turp.  Shtatë lojtarë në fushë: Tafarshiku 5, Selmani 7, Brahimi 3, J. Azemi, A. Azemi 1, Bytyçi 3, Qerimi 5 dhe asnjë në bankë. Marre, marre, marre për klubin me nam të madh.  Klub që u themelua në vitin 1958, klub me traditë 61-vjeçare, që as Serbia pushtuese, nuk e arriti qëllimin që ta bie në këtë derexhe,  ndërsa sot në kohën e Lirisë e të shtetit, e prunë në mjerim.

Klub (atëkohë me emrin Borci) që disa vite ka qenë në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë, ndërsa edhe në finalen e Kupës së Marshall Titos, kur me 25 maj të vitit 1979 në Banjallukë u mposht me rezultat 28:26 (14:14) nga Borci i Banjallukës!  Humbja edhe me 30 diferencë është faqe bardhë dhe sportive, mund ta quajmë shumë normale, por mos të kesh më shumë lojtarë dhe as në bankë, turpi nuk ka kufij.

Lojtarët nuk u paraqiten në fushë, jo që ishin shkuar nëpër dasma, apo kanagjegje, apo duke çuar dashuri me ndonjë vajzë ndokund nëpër skutat e qytetit, por nuk kanë marrë rroga dhe pa rroga askush nuk luan. Nuk luan askush pa rroga, kësaj pune siç thonë i ka vdekur nëna.  Nuk luajnë dhe pikë, sepse edhe ata duan të ushqehen e të vishen dhe jo të luajnë për krenarinë e dikujt apo për t’ia nderuar kravatën.  Këta sportistë, janë të dinjitetshëm dhe nuk janë qen, kush çohet më i pari që t’ia qet një copë bukë. Çfarë të bëjmë? A është klub i Komunës apo organizatë joqeveritare apo dreq i mallkuar? A ka ardhur koha që klubin ta marrin njerëz të vërtet?

A ka ardhur koha që në krye të vijnë njerëz të vërtet e të sportit dhe jo njerëz që deri dje nuk e kanë ditur se çka është sporti, që deri dje kanë menduar se fjala sport domethënë shportë!

Boll më vite shkoi kujt t’i çohet t’i vije në klub jo vetëm në Ferizaj dhe të bëhet shef i shefave. Boll më! Sporti nuk i duhen më njerëz me kravata por i duhen tamam sportistë dhe që dinë e kanë para! Boll shkoi më ai avazi i krenarisë së rrejshme, se jemi shefat e klubit. Klubit i duhen njerëz që kanë para!  

Ku është drejtoria e sportit në Ferizaj që nuk del me një reagim të ashpër e ta sqarojë fije e për pe se si erdhi e kush e pruri klubin në këtë gjendje. Komuna e Ferizajt në krye me kryetarin Agim Aliun , duhet të marrin masa të ashpra, të kërkojnë shkaktarin e kësaj rrëmuje sepse komuna ka dhënë para. Dikush duhet të jap përgjegjësi. Klubi pa kryetar e pa trajner, tani edhe pa lojtar.  

Federata e Hendbollit e Kosovës duhet urgjentisht ta shpall Superligën e Kosovës (meshkujt); se është në gjendje të rëndë dhe gjysma e klubeve para kapitullimit. Asgjë nuk mbahet me zor, këtë le ta dinë edhe Federata e Hendbollit e Kosovës, asgjë nuk mbahet dhe nuk do të mbahet kurrë me zor, nëse sot nuk tërhiqen apo nuk shuhen ato klube, nesër do të shuhen.

Mezi shpëtoi Drita, mezi shpëtoi Trepça, Drenica, Vëllaznimi, por tash na doli Kastrioti, problem pas problemi!  Drejtorati për sport i Ferizajt urgjentisht ta sqarojë opinionin për gjendjen që ka ardhur ky klub, të japin edhe shifrat se sa mjete ka marr ky klub brenda një viti dhe pse nuk gjeti sponsor, e aq më keq kur tani e kemi edhe ligjin për sponsorizim. “O Zot i madh, ka kohë që nuk shkoi në palestër, kur po i shoh do që kurrë nuk janë marr me hendboll, e po tregojnë teknikë të lojës, se si bëhet 3-2-1 apo 5-1 ose 6-*0, po me plasin.

Po mendojnë se janë duke lidhur metra të druve”, kështu tha një dashamirë i kësaj loje në kushte anonimiteti. Botërisht le të dihet, hendbolli ka krizë të tmerrshme, mos ta gënjejnë veten më askush! Hendbolli është në krizë dhe në krizë në përgjithësi, hiq Besa FamGas që i ka punët më së miri. Krizë aq e madhe sa shumë shpejt nëse vazhdon Superliga kësisoj, do të mbetet me 6-7 ekipe! Kjo është e vërteta, boll më me kozmetikë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat