Prof. Jupa: Reformat në sportin e Kosovës janë më së të domosdoshme 

Hendboll

Prof. Jupa: Reformat në sportin e Kosovës janë më së të domosdoshme 

Nga: Kemajl Goca Më: 30 tetor 2019 Në ora: 11:57
Prof. Ismet Jupa

Sporti i Kosovës po kalon sikur nëpër teh të shpatës! Shumica e sporteve janë në krizë të thellë! Shumë klube mezi po mbijetojnë, disa e diskutojnë edhe ekzistencën e tyre.

Prof. Ismet Jupa, trajner i mirënjohur dhe ish selektor i kombëtares së Kosovës në hendboll (femrat), shpreh shqetësimin e tij, jo vetëm me krizën që po kalon sporti, por edhe me mënyrën se si ekzistojnë ato klubet sportive, si janë të regjistruara në ministri!

Po ashtu prof. Jupa, kritikon federatat e sporteve, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe kërkon që klubet të regjistrohen në Ministrinë e Sportit jo si OJQ. Ai tha se reformat në sportin e Kosovës janë më së të domosdoshme.

“Bota sot”: Cilat janë shkaqet e krizës që po kalon sporti?
Prof. Ismet Jupa:
Jemi dëshmitar se me çfarë kriza po përballet vendi ynë në këto vitet e fundit, kjo direkt po shfaqet në lëmit e sportit, në arritjen e rezultateve. Shkaqet e kësaj krize janë të shumta, më së shumti po përmendet mungesa e mjeteve financiare.  Por problemi kryesorë është të organizatat udhëheqëse të sportit, të koncepti organizativ i punës së tyre. Federatat e sporteve, Komiteti Olimpik, klubet janë të regjistruara si organizata Joqeveritare e që Kushtetuta e vendit nuk e njeh si kategori kushtetuese.

“Bota sot”: Çfarë duhet të bëjmë?
Prof. Ismet Jupa:
Me një ligj të mirë të sportit federata e sporteve, KOK-u, klubet sportive duhet të regjistrohen në regjistrin e Ministrisë së sporteve si organizata sportive e jo si veprojnë tani si OJQ. Kjo shtrirje duhet të bëhet në mënyrë vertikale dhe horizontale edhe në drejtorit komunale. Me ligj të sportit duhet të rregullohet: - Organizimi i Sportit, i organizatave sportive; të drejtat dhe obligimet e sportistëve, puna profesionale në lëmin e sportit, objektet sportive; sporti shkollor; sporti rekreativ; sporti i personave me aftësi të kufizuara; evidenca, mbikëqyrja, interesi i përgjithshëm dhe nevojat në lëmin e sportit të tyre. 

“Bota sot”: Çfarë statuti duhet të kenë klubet?
Prof. Ismet Jupa:
Shumica e klubeve (Organizatave Sportive) po përballen me probleme të shumta për shkak të statusit të tyre.  Klubet duhet të kenë statusin e organizatave sportive publike, publiko-private apo private. Por kjo duhet të jetë e rregulluar me akte ligjore e nënligjore të sportit, e jo siç po veprohet tani me klubet  sportive në Kosovë.

“Bota sot”: Si të financohen?
Prof. Ismet Jupa:
Të gjitha organizatat sportive (klubet) që janë publike të komunave duhet të financohen nga buxheti i komunës.  Pra duhet të jenë kategori buxhetore. Mënyra e tanishme si po ju ndihmohet organizatave sportive (klubeve) nga buxheti i komunave është pa as një kriter dhe jo ligjore. Këtë e them me përgjegjësi të plotë. Komunat duhet të gjejnë mënyra që të rrisin buxhetin për nevojat e sportit. Kohët të fundit shumë u trumbetua i ashtuquajturi ligji për sponzorizim të sportit. Shpresat janë minimale që kjo mënyrë e financimit të sportit do të  përmirësoi gjendjen në sport. 

“Bota sot”: Cila do të ishte zgjidhja më e mirë?
Prof. Ismet Jupa:
Zgjidhja do të ishte që këto mjete nga tatimi në fitim të sponzorëve – firmave të derdhen në llogarit e komunave, e këto nëpër mes të drejtorëve të sporteve, e këto me kritere dhe prioritete të ju shpërndajnë organizatave (klubeve) sportive normalisht gjithnjë duke in ndjekur rrugët ligjore me llogaridhënie për ata që japin dhe ata që marrin.  Ministria e Sportit deri me tani nga buxheti i saj mjete financiare ju ka nda: KOK-ut dhe federatave të sporteve dhe atë me memorandume!

Është koha e fundit që Ministria e sportit të financoj edhe sportin e komunave me kritere në bazë të numrit të banorëve të komunave ose do të ndonjë kriteri tjetër më të mirë. Në këtë mënyrë do të përmirësohej gjendja materiale në klubet tona dhe cilësia do të rritej.  

Mjete financiare  Organizatave Sportive (Klubeve) duhet të ju ndahen me kohë para fillimit të aktivitetit, ndryshe do të vështirësohej funksionimi i tyre. Shpërndarja e parasë publike dhe harxhimi i saj duhet të mbikëqyret nga organet kompetente. Kur krejt kësaj i shtojmë një planifikim dhe programim të mirë në gjitha nivelet gjendja në sportin e Kosovës do të përmirësohej dukshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat