Shabani ka ftuar 16 lojtare për turneun në Turqi

Hendboll

Shabani ka ftuar 16 lojtare për turneun në Turqi

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 19:17
Shabani ka ftuar 16 lojtare për turneun në Turqi

Selektori i Kosovës në hendboll, Agron Shabani të martën ka shpallur listën e lojtareve që do t’i ketë në dispozicion gjatë turneut ndërkombëtar që prej 22 deri më 25 nëntor mbahet në Antalya të Turqisë.

Shabani ka ftuar 16 lojtare, disa prej tyre për herë të parë. Turneu ndërkombëtar që e organizon Federata turke, vlerësohet i mirëseardhur për kombëtaren tonë. Do të jetë rast i mirë për të provuar lojtaret e reja, për të rritur konkurrencën brenda ekipit e po ashtu për të ngritur edhe më tej nivelin e lojës nga kombëtarja jonë.

Kombëtaren në Turqi e udhëheq kapitenja Leonora Demaj, ndërsa do të jenë edhe lojtaret tjera të rëndësishme si Mirela Gjikokaj, Njomza Kelmendi, Albina Rugova, Shkurta Mehmeti, Veronika Kastrati, Aida Stagova, Marijeta Lekaj. Tashmë të drejtën për të luajtur për Kosovën e ka fituar Suzana Ujkiq, që do të jetë me Kombëtare në Antalya, ndërsa selektori Shabani rastin sërish ia ka dhënë Areta Istrefit që bënë karrierë në Gjermani. Blerta Ahmetxhekaj, Arrita Kursani, Arlinda Hajdaraj, Rinesa Uka, Mirjeta Bytyqi e Marigona Hajdaraj janë emra të rinjë në Kombëtare.
Kombëtarja jonë ndeshjen e parë e luan më 23 nëntor ndaj Italisë, nga ora 9:30.

Të njëjtën ditë (19:00) takohet me Kombëtaren B të Turqisë. Më 24 nëntor nga ora 19:00 është ndeshja Kosova – Turqia A, ndërsa më 25 nëntor vajzat tona luajnë me Maqedoninë Veriore, nga ora 17:00.

Turneu “2019 Antalya International Preparatory Tournament” do t’i shërbejë shumë kombëtares tonë para ndeshjeve që i luajmë në mars ndaj Bjellorusisë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”. Me Bjellorusinë, kombëtarja jonë e kërkon suksesin.

Në turneun në Turqi kombëtares sonë i mungojnë lojtare shumë të rëndësishme si Albana Arifi, Aurora Shehdadi, Dorentina Osmani, Elma Kameri, Fitore Aliu, Ardiana Merditaj, Meltem Ylberi e ndonjë tjetër. Por do të jeta rast i mirë për lojtaret e reja që të dëshmohen.

Lista e Lojtareve:
Blerta Ahmetxhekaj (Istogu), Suzana Ujkiq (Istogu), Areta Istrefi, Shkurta Mehmeti (Prishtina), Arrita Kursani (Vëllaznimi), Arlinda Hajdari (Rongkobing Handbold - Danimarka), Njomza Kelmendi (Vushtrria), Albina Rugova (Istogu), Rinesa Uka (Prishtina), Aida Stagova (Prishtina), Mirela Gjikokaj (Follo HK Damer - Norvegjia), Leonora Demaj (Sondervyske Damehandbold - Danimarka), Marijeta Lekaj (Murvica Crikvenica-Kroacia), Veronika Kastrati (Ellingsrud Il Handball - Norvegjia), Mirjeta Bytyçi (Mlinotest Ajdovscina (Sllovenia), marigona Hajdari (Rongkobing Handbold-Danimarka). Selektor Agron Shabani, trajnerë: Faruk Shala dhe Valbona Rudaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat