Kosova gati për turneun në Turqi! Shabani: Turqia edhe Italia janë ekipe solide 

Hendboll

Kosova gati për turneun në Turqi! Shabani: Turqia edhe Italia janë ekipe solide 

Nga: Kemajl Goca Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 19:00
Shabani optimist për Kosovën: Turqia edhe Italia janë ekipe solide 

Çdo sfidë është e mirëseardhur për kombëtaren e Kosovës në konkurrencën e femrave. Hendbollistet tona janë mirë të përgatitura dhe pretendojnë një paraqitje sa më të denjë në turneun ndërkombëtar “2019 Antalya International Preparatory Tournament” në Antalia, që fillon nga data 23 nëntor dhe përfundon me 25 nëntor. Vashat tona janë vendosur në Antalia.

Mikpritja është shumë e mirë nga organizatori i këtij turneut, nga turqit.  Kosova do të luajë katër sfida, e para me 23 nëntor në orët e mëngjesit (09.30), ku ballafaqohen me Italinë, ndërsa në mbrëmje me Turqinë B (në orën 19.00).  

Më 24 nëntor nga ora 19:00 është ndeshja Kosova - Turqia A, ndërsa më 25 nëntor përballen me Maqedoninë Veriore, nga ora 17:00. Selektori i kombëtares së Kosovës, Agron Shabani, tha se atmosfera është shumë e mirë dhe një motiv shtesë për të gjitha lojtaret e përzgjedhura, ku secila ka mundësinë ta tregojë veten në këtë turne.

“Turneu do t’i shërbejë shumë kombëtares tonë para ndeshjeve që i luajmë në mars ndaj Bjellorusisë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020””, është thënë nga Federata e Hendbollit e Kosovës.

Shabani tha se kushtet janë shumë të mira. “Të gjitha kushtet janë fenomenale dhe jemi të kënaqur, pra me të gjitha të mirat”, tha Shabani për gazetën kombëtare “Bota sot”. Kosova nuk është komplete, ka disa mungesa të rëndësishme.

“Nuk jemi komplet, mungojnë disa lojtare kyqe, si Albana Arifi, Fitore Aliu, Elma Kameri, Ardiana Mirëdita etj. të cilat nuk munden t’i bashkohen kombëtares për shkak të obligimeve të tyre që kanë”, tha Shabani. Selektori flet se sa kanë njohuri për Italinë dhe kombëtaret tjera: “Italia nuk është ekip e keqe, duke iu referuar disa xhirimeve, është ekip solide, sikurse edhe Turqia. Në bazë të lojës edhe Turqia edhe Italia janë ekipe solide, por e rëndësishme është testimi i secilës lojtare dhe t’i tregoj secila kualitetet.

Maqedoninë veriore nuk e njoh, se kam pa asnjë ndeshje të tyre. Është një turne shumë i mirë, ku munden këto lojtare që ta tregojnë vetën edhe ato për herë të parë që iu janë bashkuar ekipit.

Është një provë për ne dhe për ato për të ardhmen”. Shabani thotë se ky turne është edhe një mundësi e mirë për të pa cilësinë e secilës lojtare. “Eksperiencë e madhe, jemi së bashku katër - pesë ditë, na mungojnë disa lojë së bashku. Mungojnë përgatitjet së bashku sidomos për kualifikime, andaj ky është një turne i mirë, veçmas katër lojë së bashku plus edhe lojtaret e reja që na janë bashkuar ekipit, iu jepet mundësia në këtë turne”, theksoi ai. A e brengos Shabanin diçka brenda kombëtares?

“Si selektor asgjë nuk me brengos, konkurrenca ka qenë më e dobët në nivelin e kombëtares por po punojmë në at drejtim që të rritet konkurrenca dhe cilësia, gjë që po shkon mirë. Jemi duke shkuar hap pas hapi, po mundohem, po e kërkojmë më të mirën, kemi nevojë ende për punë dhe jemi në drejtim të mirë, duke marr parasysh që po lajmërohen lojtaret nga jashtë, që kanë shprehë dëshirë që të na bashkohen”, thotë Shabani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat