Parduzi: Do të jemi të parët në tabelë!   - Bota Sot
Parduzi: Do të jemi të parët në tabelë!  

Hendboll

Parduzi: Do të jemi të parët në tabelë!  

Nga: Kemajl Goca Më: 1 mars 2020 Në ora: 18:51
Parduzi

Katër skuadra janë në luftë të ashpër për kreun e tabelës në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Ferizaj, Istogu, Vushtrria dhe Prishtina pretendojnë pozitën e parë, të cilat mes vete janë me një diferencë të ngushtë me pikë.

Ferizaj i prinë tabelës me 22 pikë, duke lënë pas Istogun, Prishtinën me nga 20, ndërsa Vushtrria renditet në vend të katërt me 18 sosh por ka një takim me pak. Ka kohë që nuk kemi pasur një kampionat aq atraktiv, ndërsa edhe cilësia pritet të rritet në javët e muajit në vazhdim. Vushtrria triumfoi në derbi me rezultat 21:20 kundër kampiones Istogu, në një atmosferë drithëruese ku ishin rreth 1500 shikues në palestrën e sportit “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri.

Kryetrajneri i Vushtrrisë, Arben Parduzi, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, është një fitore domethënëse dhe që iu jep krah në vazhdim të kampionatit në luftë për titullin e kampionit.  “E kemi ditë që loja do të jetë e vështirë, por duke e pasur parasysh që në Vushtrri salla ishte e stërmbushur me tifozë, përkrahja dhe motivi i vajzave e solli ketë fitore shumë të rëndësishme për më tutje”, tha Parduzi. Vushtrriaset luajtën me një përqendrim të madh dhe me një mbrojtje shumët ë fortë, që ishte edhe qelës i kësaj fitore.  “Mbrojtja e fortë dhe sulmi mirë i organizuar nga lojtarja më e mirë në Kosovë, Burneta Rama, që shënoi 13 gola dhe

Njomza Kelmendi ishte fantastike në portë, me bashkëlojtare tjera edhe fituam”, nënvizoi ai. Tifozët “Forcat” si gjithmonë njihen për atmosferë të zjarrtë dhe padyshim se ishin edhe mbështetja më e madhe e ekipit, këtë e thotë edhe Parduzi: “Forca ka qenë lojtari ynë i 8-të për 60 minuta, ata nuk janë ndal. Si trajner i falënderoj tifozët ‘Forca’ të cilët janë më të mirët!”. Si e sheh luftën tani për titull, mes cilave skuadrave dhe ku i sheh përparësitë e skuadrës tuaj? “Gara për titull është mes 4 skuadrave, Vushtrrisë, Ferizajt, Istogut dhe Prishtinës. Me fitoren ndaj Istogut dhe me orarin që e kemi deri në përfundim të kampionatit të rregullt mendojmë që do jemi të parët në tabelë dhe të fillojmë Play-off-in nga pozita e parë”, përgjigjet me optimizëm Parduzi.

Kjo fitore ka motivuar klubin për të synuar fitore deri në fund dhe ta sjellin titullin në vitrinat e tyre. “Jemi më të motivuar pas fitores dhe do të punojmë edhe më shumë, do të mundohemi të japim maksimumin në çdo takim, që të jemi sa më të përgatitur në çdo aspekt deri në fund”, shprehet kryetrajneri i Vushtrrisë. Parduzi vlerëson secilën nga rivalet por mendon se do të ia dalin deri në fund dhe t’i gëzojnë me trofe tifozët dhe qytetin me rrethinë.  A  e sheh si konkurrent të fortë edhe Ferizajn edhe Prishtinën?

“Ferizaj ka një ekip shumë të mirë dhe me përvojë, kurse Prishtina po ashtu ka ekip të mirë me lojtare te reja dhe shumë të përgatitura. Mendoj që deri në fund nuk dihet se kush do të jetë kampion, do ta respektojmë çdo kundërshtar”, përfundoi Parduzi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat