Vlora Jashari tregon për tmerrin, si udhëtonin nëpër Kosovë duke u fshehur në autobus! Publikon edhe foton... 

Hendboll

Vlora Jashari tregon për tmerrin, si udhëtonin nëpër Kosovë duke u fshehur në autobus! Publikon edhe foton... 

Nga: Kemajl Goca Më: 20 mars 2020 Në ora: 16:40
Në foto e vitit 1994, brezi i parë i sakrificës, janë: në këmbë Fahrie Tasholli, Blerta Sadriu, Filloreta Hoxha, Blerta Hoxha e Valbona Zeqa. Ulur Valbona Sadriu, Safete Rifati, Jasemine Ahmeti, Arbnore Ahmeti dhe Vlora Jashari.

Ish hendbollistja e mirënjohur, ish anëtarja e kombëtares së Kosovës, Vlora Jashari, aktualisht është kryetrajnere e Kastriotit nga Ferizaj, rrëfen momente më tmerruese të saja dhe të bashkëlojtareve në vitet e 90-ta.

Ajo ka dërguar një fotografi për gazetën kombëtare “Bota sot”, duke treguar për gjeneratën e parë të femrave të KH Kastriotit që u riaktivizuan në vitin 1994. Një fotografi sa një mijë fjalë, ku edhe në fytyrat e lojtareve të reja të asaj  kohe shihej një optimizëm, një vullnet i pashoq për ta sfiduar pushtuesin serb.

Nuk ishte lehtë për ata vasha në atëkohë që të luanin në fusha të improvizuara me beton dhe larg palestrës, për shkak se ishte e uzurpuar nga pushtuesi serb në vitet 1991-1999.

“Kemi udhëtuar me autobus, si bie fjala për Gjilan ose për Prishtinë, në mënyrë vetanake dhe paguanim biletën me dinar, që mos mu vërejt nga milicia serbe, që jem klub i hendbollit. Jemi shkuar me mjete tona. E kemi marr bukën me vete të përgatitura nga familjaret tanë. Librezat i mbante trajnerja Valbona Zeqa.  Donatorët kanë kontribuar shumë në atëkohë. Federata e Hendbollit e Kosovës, atëkohë ka kontribuar në ekstrem”, tregon disa nga tmerret që përjetoi si lojtare Vlora Jashari, që atëkohë nuk kishte më shumë se 14 vjeç.

“Kur vinte ndonjë patrullë e milicisë serbe na ndërpriste takimin, por sakrifica dhe vullneti ynë nuk peshonte me asgjë që kishim atëkohë dhe jam krenare që ishim pjesë e asaj historie sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme. Jam krenare”, tha Vlora.

Në fotografi janë lojtaret e brezit të parë, 1994, janë ushtaret e sportit, që asnjëherë nuk u ndalën as nga shantazhet e kërcënimet që vinin nga milicia serbe. Në foto janë, në këmbë Fahrie Tasholli, Blerta Sadriu, Filloreta Hoxha, Blerta Hoxha e Valbona Zeqa. Ulur Valbona Sadriu, Safete Rifati, Jasemine Ahmeti, Arbnore Ahmeti dhe Vlora Jashari. "Nuk ishte e lehtë të kalonim postblloqet serbe e  t'i shikosh ato fytyra trishtuese të milicëve dhe paramilitarëve serb, por kishim forcë e guxim sepse po bënim çdo gjë për atdheun tonë", përfundoi Vlora.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat