Thirrje për hendbollistët në diasporë

Hendboll

Thirrje për hendbollistët në diasporë

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 12:54
Thirrje për hendbollistët në diasporë

Federata e Hendbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar për ngritje të nivelit të gjithmbarshëm.

Prej prioriteteve të FHK-së është organizimi sa më i mirë dhe ngritja e vazhdueshme e cilësisë në ekipet kombëtare të grupmoshave të reja. Ekipet kombëtare të grupmoshave të reja janë bazë për kombëtaren A sa i takon të ardhshmes së afërt.

Si te meshkujt ashtu edhe te femrat në kombëtaren A kanë avancuar shumë e shumë hendbollistë e hendbolliste që më parë kanë luajtur për grupmosha. Ne jemi të vendosur që këtë trend ta avancojmë.

Hendbollistët dhe hendbollistet e klubeve të vendit mbesin bazë e fuqishme për ekipet kombëtare, por ne shumë llogarisim edhe në hendbollistë dhe hendbolliste të reja që hendbollin e mësojnë dhe e luajnë në vende të ndryshme evropiane.

Kombinimi i lojtarëve që hendbollin e mësojnë dhe e luajnë në Kosovë dhe i atyre që e mësojnë dhe e luajnë në Evropë po del të jetë shumë i suksesshëm. Derisa për hendbollistët në vend kemi më shumë informata dhe mund të përcjellen vazhdimisht, kjo është më pak e mundshme për hendbollistët në vendet evropiane. Për këtë ne u bëjmë thirrje të gjithë hendbollistëve të rinjë që ushtrojnë e luajnë në nivel serioz në vende evropiane që të kontaktojnë FHK-në për të qenë në dispozicion për përzgjedhje eventuale në ekipet kombëtare të grupmoshave të reja. I ftojmë edhe prindërit e lojtarëve që të përfshihen në këtë proces. Ne kemi nevojë për lojtarë cilësorë dhe të talentuar, ndërsa lojtarët e rinj dhe prindërit e tyre e kanë mundësinë që të japin kontribut në aspektin sportiv për vendin e tyre e po ashtu që të bëjnë hap të rëndësishëm në karrierë duke luajtur në një kombëtare që po ngritet vazhdimisht.

Natyrisht, përzgjedhjen në fund e bëjnë selektorët dhe shtabet teknike, por ftesa është e hapur për t’u vënën në dispozicion të Kosovës. 
Të kujtojmë që ekipet kombëtare U18 e U20 në janar të vitit 2021 kanë kampionatet evropiane e më pas verën e ardhshme edhe kombëtaret e reja të hendbollisteve. FHK-ja dhe ekipet kombëtare të saj i mirëpresin të gjithë, thuhet nga Federata e Hendbollit e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat