Ramadani: Synojmë të jemi në mesin e 20 kombëtareve që kualifikohen

Hendboll

Ramadani: Synojmë të jemi në mesin e 20 kombëtareve që kualifikohen

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 12:34
Taip Ramadani

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani, ka analizuar shortin e kualifikimeve për Euro 2022, që është tërhequr dje. Kosova është në grupin e tetë së bashku me Suedinë, Malin e Zi dhe Rumaninë.

Sipas Ramadanit, Kosova është para një sfide të vështirë, por jo të pamundshme.

"Rezultatet pozitive në kualifikimet e kaluara kanë bërë që tani të marrim pjesë në raundin e dytë kualifikues, pa pasur nevojë për paraqitje në raundet parakualifikuese. Realisht kemi pritur këtë nivel të kundërshtarëve", ka thënë Ramadani.

Ai ka konfirmuar se synim mbetet kualifikimi historik në këtë kampionat evropian.

"Synimi është kualifikimi në Euro 2022. Detyrë e jona është t'i fokusojmë gjithë energjitë tona në këtë drejtim për të realizuar këtë synim. Suedia është favorit në këtë grup dhe ka shanset më të mëdha për të udhëhequr grupin. Mali i Zi dhe Rumania janë super ekipe me përvojë të madhe ndërkombëtare, por nuk e kanë konsistencën e Suedisë. Kjo është dëshmuar në kualifikimet e fundit për Evropian, befasitë janë të mundshme, sidomos para publikut vendor dhe sidomos për ne. Rumania dështoi të kualifikohet në Euro 2020, kurse Mali i Zi u kualifikua me dy humbje dhe një barazim shokues ndaj Ishujve Faroe në Podgoricë", ka analizuar përzgjedhësi ynë, Taip Ramadani.

Nën udhëheqjen e tij kombëtarja jonë ka arritur suksese, ka bërë hapa të rëndësishëm. Hap tjetër para synohet në kualifikimet e ardhshme.

"20 nga 32 ekipet kombëtare kalojnë në kampionat evropian. Ne do të mundohemi të jemi një nga këto 20", përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat