Hendbolli - heronjtë e sportit! Saraçini dhe FHK-ja shembull i rajonit, lotët e gëzimit për kampionët  

Hendboll

Hendbolli - heronjtë e sportit! Saraçini dhe FHK-ja shembull i rajonit, lotët e gëzimit për kampionët  

Nga: Kemajl Goca Më: 28 qershor 2020 Në ora: 22:00
Hendbolli - heronjtë e sportit! Saraçini dhe FHK-ja shembull i rajonit, lotët e gëzimit për kampionët  

Nuk ke edhe si mos të emocionohesh, edhe si mos të rrjedhin lotët, edhe nëse qan nuk është marre, kur pamë trimat e trimëreshat e hendbollit që luftonin si luanët e luaneshat në parket, pa asnjë pikë frike nga Covid 19. 

Në një moment mu kujtuan edhe vitet 1991-1999, koha e okupimit, kur djemtë e vajzat tona, luftonin me trimëri të pashoq kundër Serbisë pushtuese e sot edhe kundër Covid 19 dhe gjithmonë triumfues! Të gjitha klubet jeni kampionët 2019-2020!

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, që nga koha kur u shpall gjendja e pandemisë, ka qenë shumë i rezervuar dhe i kujdesshëm në deklarata, duke mos premtuar asgjë.

Image

Ministrja Vlora Dumoshi, presidenti i FHK-së, Eurgen Saraçini dhe kapitenja e Vushtrrisë, Shqipe Tahiri

Vazhdimisht e kishte një bindje se garat e hendbollit do të vazhdojnë dhe do të nxjerrin kampionin dhe fituesin e Kupës së Kosovës. 

E kishte një besim në vete, por në radhë të parë e dinte rrezikun jashtëzakonisht shumë të madh që vinte nga Covid 19, sepse nuk ishte e lehtë të merrej vendime me bordin e FHK-së në rrethanat e pandemisë dhe t’i fusësh në zjarr hendbollistet dhe hendbollistët.

Saraçini me urtësi e qetësi, me bordin e FHK-së, pa e harruar edhe sekretarin e përgjithshëm të FHK-së, Izet Gjinovci, morën vendimin dhe shumë të guximshëm. Një vendim që për dikë ka qenë jashtë normales, por që doli më shumë se normal dhe e përfunduan edicionin ashtu si iu ka hije, një sport me traditë. 

Image

Të lumtë Eugen Saraçini, notë dhjetëshe, të lumtë FHK, notë 10-she, të lumtë Izet Gjinovci, notë 10-she dhe heronjtë sportiv, si klubet, hendbollistet e hendbollistët, gjyqtarët, delegatët, mjekët e klubeve, policia, kujdestarët e ndeshjes, kohëmatësit, pa e harruar edhe mjeken me zemër luaneshe Erlinda Hakajn, që u tregua më shumë se trimëreshë, e cila me ekipin e saj nëpër klube bënë testet e Covid 19. 

Asnjë infektuar, kjo është mrekullia. Kjo është fitore për hendbollin, për sportin e Kosovës dhe shembull i rajonit. Kur e gjitha bota pati frikën, FHK-ja mori guximin me klubet dhe doli faqebardhë, e lartësuar si asnjëherë më parë, të shkëlqyeshëm, të shkëlqyeshëm. 

Lotët e gëzimit për kampionët e ri, Besa Famgas të meshkujt, po ashtu edhe fituese e Kupës së Kosovës, Ferizaj kampion në konkurrencën e femrave, Vushtrria fituese e Kupës të femrat. Këto janë lotët e gëzimit, titujt e kohës së pandemisë. Titujt më të ëmbël në histori, sepse të gjithë ishim në luftë me Covid 19. Ju lumtë komunitetit të hendbollit, jeni heronjtë e sportit!

Komuniteti i hendbollit, luftëtarët e vitit 2020! Hendbolli i Kosovës meriton medaljen e artë nga EHF-i e IHF-i, medaljen e trimërisë sportive! Zoti e bekoftë hendbollin – heronjtë e sportit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat