Paraqitja për Kosovën i jep hov karrierës së Liridon Zenës

Hendboll

Paraqitja për Kosovën i jep hov karrierës së Liridon Zenës

Më: 22 korrik 2020 Në ora: 00:28
Liridon Zena

Paraqitja impresive me Kombëtaren e Kosovës në hendboll në fillim të vitit, i ka ndihmuar shumë portierit tonë, Liridon Zena. Zena së fundi ka bërë hap të rëndësishëm për karrierën e tij.

Nga liga e dytë e Kroacisë portieri ynë ka kaluar në ligën e parë të Kroacisë, përkatësisht në ligën elitare të këtij vendi.
Zena në vazhdim të karrierës do të jetë pjesë e skuadrës Zamet, që përfundoi e pesta në kampionatin kroat. Ka mbetur vetëm prezantimi zyrtar i tij te Zameti i Rijekës pasi marrëveshja është arritur.

Trajner i Zametit është portieri legjendar Valter Matosheviq që kishte fituar dy medalje të arta olimpike si dhe kampionatin botëror të vitit 2003. Matosheviq ka qenë trajner i Zenës dy vite më parë te Mornar Crikvenica, ku portieri i Kosovës e ka zhvilluar karrierën deri më tani.

Image

Zena kishte debutuar për Kosovën në ndeshjen kualifikuese për botëror ndaj Gjeorgjisë në Benevento të Italisë në janar të këtij viti. Falë edhe pritjeve të tij, Kosova shënoi fitore të madhe ndaj Gjeorgjisë me rezultat 30:21.

Ajo paraqitje natyrisht i ka ndihmuar Liridonit për të kaluar në elitën kroate.

Ditë më parë hap të rëndësishëm në karrierë bëri edhe Haris Berisha. Me këta dy e po ashtu me Flamur Gërbeshin dhe portierët tjerë, konkurrenca për një vend në Kombëtare vlerësohet shumë e madhe. Konkurrenca natyrisht ndikon në rritje të cilësisë dhe kësaj i gëzohen të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat