FHK-ja: Vdiq Afrim Qorrolli, Shtimja dhe hendbolli i Kosovës mbetet pa një personalitet të rëndësishëm

Hendboll

FHK-ja: Vdiq Afrim Qorrolli, Shtimja dhe hendbolli i Kosovës mbetet pa një personalitet të rëndësishëm

Më: 25 korrik 2020 Në ora: 17:03
FHK-ja: Vdiq Afrim Qorrolli, Shtimja dhe hendbolli i Kosovës mbetet pa një personalitet të rëndësishëm

Ka vdekur Afrim Qorrolli, personalitet i rëndësishëm i hendbollit dhe i sportit nga komuna e Shtimes. Qorrolli ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare, por kontributi i tij dhe vlerat e tij do të kujtohen shumë gjatë. Komuniteti i hendbollit në përgjithësi dhe qyteti i Shtimes në veçanti kanë mbetur pa një person shumë të rëndësishëm.

Qorrolli ishte ngushtë i lidhur me klubin e Vjosës së Shtimes.

Afrimi ishte i lindur në Rashincë të Shtimes më 28 nëntor të vitit 1961. Kishte të kryer Fakultetin e Bujqësisë.

Karrierën në hendboll e kishte nisur te Vjosa në vitin 1976. Ishte inkuadruar për herë të parë në ndeshjen Lepenci – Vjosa. Deri në vitin 1990 ishte portier, por në mungesë të lojtarëve është aktivizuar edhe në pozita tjera si qendër, alo e bek. Në vitin 1991 ishte shpallur hendbollist i vitit nga Lidhja e Pavarur e Sporteve dhe po ashtu sportist i vitit në komunën e Shtimes. Me mirënjohje ishte shpërblyer edhe në vitet 1993, 1995, 1997 dhe 2000.

Ai ka qenë pjesë e të gjitha sukseseve të klubit Vjosa. Ishte lojtari me më së shumti paraqitje te Vjosa. Në vitin 2008 përfundoi karrierën si lojtar, por mbeti pjesë e rëndësishme e klubit Vjosa.
Në moshë të re kishte nisur të mësojë zejen e trajnerit. Kishte udhëhequr Vjosën si trajner në edicionet 1981\82 dhe 1982\83. Ka punuar edhe në shkollën e hendbollit të Vjosës si ndihmës trajner.

Në vitet nëntëdhjeta ka mbajtur poste të ndryshme të udhëheqësit sportiv në Komunën e Shtimes. Do të mbahet në mend edhe për aktivizimin e shumë klubeve sportive në Shtime. Ka udhëhequr Vjosën (femrat) në faza të ndryshme.

Afrimi nuk i është ndarë hendbollit deri në ditët e fundit të jetës. Dhe kontributi i tij ishte shumë i madh.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini në emër të komunitetit të hendbollit i ka shprehur ngushëllime familjes Qorrolli dhe gjithë njerëzve të hendbollit në Shtime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat