Kjo është gjenerata e Kosovës, që nuk mund t’i shikonim pa bileta, prisnim në rresht!  - Bota Sot
Kjo është gjenerata e Kosovës, që nuk mund t’i shikonim pa bileta, prisnim në rresht! 

Hendboll

Kjo është gjenerata e Kosovës, që nuk mund t’i shikonim pa bileta, prisnim në rresht! 

Nga: Kemajl Goca Më: 26 korrik 2020 Në ora: 16:03
Nga  e majta në këmbë: Tomoviqi, Dobroshi, Mexhedoviqi, Bu. Qerimi, Tupella, Gërkoviqi dhe Sojeva. Ulur: Sahiti, Dekiqi, Makiqi, Reçica dhe Ferzani.

Sa shumë kanë ndryshuar kohërat! Jemi në një botë moderne! Në vitet e 80-ta, hendbolli shikohej me biletë. 
Shikuesi paguante biletën që të futej në sallë, për të parë lojë hendbolli në Kosovë, si në pallatin e sportit, siç quhej atëkohë ‘Rinia’ sot “Bill Clinton” në Ferizaj apo në “Minatori” në Mitrovicë!  

Ish Borci i Ferizajt, atëkohë në ligën e parë ish jugosllave apo Trepça e Mitrovicës, veç me bileta ke mundur t’i shikosh!

Ani kënd me shikuar me biletë,  Muhamed Kilajn, Bujar Qerimin, Aziz Makiqin, Besim Qerimin, Hasan Bajramin, të ndjerin Tahir Sojevën, të ndjerin Skënder Sahitin, i zhdukur në luftë Basri Tupellën,  Sefedin Reçicën, Alfred Llazarin, Kasim Kamenicën, Leonard Llazarin, Nexhdet Dobroshin, Afrim Rexhepin, Misret Maliqin, Adnan Rudarin, Verim Zherkën, Ratomir Tomoviqin, Dragan Mlladenoviqin, Dervish Berishën, Florent Beqirin etj. Sa çmenduri. Merre me mend, me bileta, e nuk kishte vend për krejt. U shitshin biletat! E kanë me pa, këta burrat e lartpërmendur, apo siç po thonë disa ekspertë të artë të ditëve të sotme: Loja e tyre ka qenë si traktori 33-sh! Merre me mend, u shitshin mbi 3 mijë bileta me pa lojën e tyre si te traktorit 33-sh. 

Intervistë e imagjinuar me Antisportistin: 
Antisportist, pesë dekada tifoz i flakët, të shkoi jeta me hendboll?
Antisportisti
: Beso që po. Jam dashuru shumë me këtë lojë.

Një dallim mes viteve të 80-ta për ju tifozët dhe atyre të pas viteve 2000, kur ka qenë më mirë?  
Antisportisti
: Uuuu, dallimi? I madh është! Atëkohë, me bileta, edhe me bileta kam mbet shpesh jashtë! Nuk kishte bile për të gjithë. 3.000 bileta u shitshin, e numri ishte edhe aq, por salla nuk  kishte vend.  Tash është më mirë.

E pse më mirë?
Antisportisti:
Shpesh e kam shitur nga një qerre dru, me ba pare me shku mi shiku ndeshjet e Borcit dhe të Trepçës në vitet e 80-ta. Shpesh i kam lënë edhe fëmijët pa bonbona e karramela, shkaku i biletave. Sot është super,  po shikojmë hendboll pa bileta në Kosovë.  Nuk po shpenzojmë. Lutem që një kali që e kam pas të më bëj hallall,  e kam maltretu shpesh në mal duke bartur dru e me shit ndonjë metër me pa lojën. Se keq u kanë atëkohë, pa bileta nuk ke mundur me u futur në sallë! 

Nuk po shpenzoni?
Antisportisti:
 Kam harruar çka është me blerë biletë e me pa lojë të hendbollit! E dyta, atëkohë, dreqi e hangtë, me bileta e nuk kishim vend në palestër! U bëjke tollovi, mbi 3000 veta. Sot loçkë, pa bileta, tribuna të zbrazura, ku ta do zemra me u ulur. Nëse ki kohë merre edhe krevatin e shtriju, s’ka kallaballëk. Atëherë 3000 veta e sot deri 100 po mblidhen.

Po nëse e bëjmë prapë me bileta si në vitet e 80-ta, prapë nuk do të kemi vend në palestra, sipas kësaj më mirë pa bileta?
Antisportisti:
Jo, jo, jo! Farë bileta. A do me mbet salla me 3 shikues! 

Kur është luajtur me fortë?
Antisportisti:
Më e fortë e më bukur! Eh, atëkohë, po i humbe dy topa fitonte kundërshtari.  Çdo top që e ke humbur e ke humb lojën. A beson diçka? Borci e ka fitu një lojë se kundërshtari i humbi dy topa! E sot, ekipi i humb 50 topa edhe e fiton lojën! A besoni diçka, ajo kryesi e asaj kohe, krejt me garderobë kat, zor u kanë lojtari me fol me ta. U kanë disiplinën e rëndë, e sot ma mirë, kryesi e lojtarë, krejt bashkë pijnë birra e duhan, po kënaqen. 

Po thonë se atëkohë, hendbolli u luajt me shpejtësinë e traktorit 33-sh?
Antisportisti:
Dorën, këmbën, hapin e atyre lojtarëve, aman mos ma kujto, si me të kap dinazourët apo si me qenë bisha! Jo more, sot i kanë duart e buta si të grave! Si ta kthejmë atëkohë, ka qenë liga më e fortë në botë.  Sa lojtari i Kosovës u dal jashtë në klubet e mëdha.  Metaloplastika, Medveshçaku, Pelisteri, Cërvena Zvezda etj. i kemi mundur e sosur. Pas lojës bënim dasmë në qytet. Sot nuk po kemi më kë, se pak veta po jemi në sallë! Bile, u bë mirë, që 20 vite lojtarë tanë nuk po shkojnë askund, mallin e kemi ndër jastëk, atëkohë ka qenë malli shumë i mirë e ta merrnin, e ta paguanin 10 herë më shtrenjtë shtetet e rajonit e të Evropës. 

Po federata e hendbollit, e viteve të 80-ta, e kam fjalën për të Kosovës, si e administronte punën?
Antisportisti:
A ka pas Federatë atëkohë? Jo, unë atëkohë e kam njohur Borcin edhe Trepçën, sot po dëgjoj se paska pasur atëkohë federatë. Atëkohë, kemi pasur idhujt tanë, Tahirin, Sefën, Azizin, Basriun, Hasanin, për federatë duket nuk ka pasur! Pas lufte është federata!!!

Për çka po vuan më shumë?
Antisportisti:
Po vuajë me pa lojëra cilësore, mi pa sallat plot shikues si në vitet e 80-ta. Po më vjen inati, atëherë me bileta krejt mileti në sallë, e sot pa bileta po na ikë mileti. Nuk e di çka u ba në këtë kohë. Valla, fajet i ka cilësia. Nuk po ka nivel. Pasha Zotin Besa e Pejës sa po do po i mund ekipet e Kosovës! 

Për fund?
Antisportisti:
Më dhimbset kjo gjeneratë, që po luajnë në salla e shikuesi po i shikon pa bileta! Duhet edhe këta mi pa dikush me bileta, të paktën një biletë me bë 20 centi. Se sporti s’ka lezet nëse shikuesi futet në sallë pa biletë, plus as 100 nuk po mblidhen!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat