Osmani: Edhe pa ju, edhe pa mua, edhe pa cilindo, sporti luhet dhe Federatat ekzistojnë

Hendboll

Osmani: Edhe pa ju, edhe pa mua, edhe pa cilindo, sporti luhet dhe Federatat ekzistojnë

Nga: K. G. Më: 29 korrik 2020 Në ora: 11:59
Osmani: Edhe pa ju, edhe pa mua, edhe pa cilindo, sporti luhet dhe Federatat ekzistojnë.

Delegati i hendbollit, Isak Osmani, sërish përplaset me legjendën e hendbollit Aziz Makiqi. 
“Z. Aziz Makiqi, pata vendos të mos merrem me komentet dhe pakënaqësitë tuaja, por kjo që po lexoj në vijimësi nga ju, është me të vërtetë e papranueshme. Sipas meje, kjo është shumë absurde, ne kemi diskutuar në këtë formë edhe më herët, e me siguri ua kam thënë shpesh mendimet e mia për qasjen tuaj. Akuzat e tilla, paranojat, të shikuarit vetëm në anën e errtë, nuk i shkon për shtati njerëzve që të paktën ndihen si kontributdhënës. 

I kam disa pika, që do të mundohem më shkurt se asnjëherë me i përmbledhë. ”Njeriun të madh e bëjnë veprat e tij” dhe

“Heshtja është flori”, janë thënje me shumë rëndësi. 
Nëse keni inate personale me dikë, kushdo qoftë, drejtohuni në adresën e saktë, mos humbni kohë duke shkruar rrëfime të gjata që sillen rrotullazi, e kurrë në temë, (që tingëllojnë si poezi). * Ju kam thënë edhe më herët, ua përsëris, mos lejoni të ndikoheni nga askush dhe nga përvojat e askujt, nëse e shihni veten të madh qëndroni i tillë dhe asesi mos u ngarkoni me barrën e huaj.

Lëreni diskutimin e kotë, kujdesuni për veten, shëndetin dhe miqtë tuaj, nuk rregullohet asgjë në këtë botë sipas parimeve apo dëshirave individuale të dikujt, për gjithçka që ndodhë ka rrethana dhe arsye. Nuk ia vlen të rëndoheni aq shumë, të luani rolin e hetuesit (prokurorit), e të dukeni se po zbardhni të paparat, e po thoni të vërtetën e fshehur, koha është të jetojmë të gjithë në një harmoni ku nuk ka gjithmonë veç ZI. 

Kujtojeni shembullin e Fadil Vokrrit, si dhe mos harroni se pikërisht në Kosovë, nga i njejti vend prej ku vini edhe ju, ai ka bërë mrekullitë në botën e sportit konkretisht në Futbollin e Kosovës. Ka jetuar me të njejtat probleme, ka ngjallë emrin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar, e kjo falë punës dhe modelit që na dha të gjithë neve. Ai në heshtje na ka mësuar se të mëdhenjtë, nuk flasin shumë dhe gjejnë vend gjithmonë.  

Do të ju kisha lutur, mos e harroni edhe në anën tjetër shembullin e R. Rakoçeviq, S. Mandiq, S. Laziq, po ua them shumë qartë, e më kuptoni kështu drejtë. Po ua përmend këta tre emra, duke dashur t’ua rikujtoj se edhe këta kanë ‘kontribuar’ për sportin në Kosovë, atëherë në Lidhjen Hendbollistike të Kosovës, siç është quajtur dikur federata e hendbollit, por që kontributi i tyre i ‘përzemërt”, mund të shihet në aktivitetin që zhvillojnë sot në të ashtuquajturën “Savez Kosovo i Metohije”. Sigurisht, ky nuk është shembulli që duhet të ndiqet. 

Kujtojeni edhe diçka si përfundim, Hendbolli këtu është ndërtuar në rrënjë të forta, kur ndeshjet zhvilloheshin në terrene të improvizuara, në livadhe e të ngjashme, e kur pak kush është afruar për të parë një ndeshje të këtij lloji. Kur them pak kush, e kam fjalën për të gjithë ata që janë ndjerë të fyer e të nënçmuar, për të parë realitetin që ishte krijuar nga rrethanat, kur krejt çka kishim ishte vullneti i hekurt për të mos heq dorë dhe nuk kishim zëra të pandalshëm si sot, që kanë kërkuar t’i afrohen hendbollit për ndihmë.

Që kur Kosova ka tejkaluar periudhat e vështira të luftës, jam i bindur dhe shumë i sigurt, se askujt nuk i është ndaluar të jap kontributin e tij në fushën ku ka dëshiruar.

Merrini miqësisht këto fjalë, thjeshtë mundohuni të më kuptoni nëse ju them se edhe pa ju, edhe pa mua, edhe pa cilindo, sporti luhet dhe Federatat ekzistojnë”, ka shkruar Osmani në letrën e tij drejtuar Makiqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat