Shqiponja përkundër problemeve synon lojtare nga jashtë! Alija: Kemi gjetur forcë!

Hendboll

Shqiponja përkundër problemeve synon lojtare nga jashtë! Alija: Kemi gjetur forcë!

Nga: Kemajl Goca Më: 18 shtator 2020 Në ora: 17:11
Skënder Alija

Shqiponja nga Gjakova ka filluar përgatitjet për edicionin e ri me gjithë telashet e shumta që po ballafaqohen si çdo klub tjetër në Kosovë. 

Synimi i klubit nga Gjakova është që të përgatiten sa më mirë për edicionin e ri të Superligës (femrat) që fillon me 10 tetor.
Kryetari i klubit të gjakovareve, Skënder Alija, tha se nuk e kanë marrë asnjë ndihmë deri me tash as nga Federata e Hendbollit dhe as nga Komuna e Gjakovës. 

“Pandemia ka ndikuar si në klubet tjera edhe tek ne, tek ne pak më shumë, për arsye se të gjitha vajzat i kemi prej fshatrave të komunës së Deçanit dhe Gjakovës.

Përveç të gjitha mundimeve tjera, edhe problemi me udhëtim, për momentin nuk kemi vend ku të ushtrojmë. 

Mirëpo, prapëseprapë kemi gjetur forcë dhe organizim dhe qe tri ditë ia kemi filluar ushtrimeve. 

Ushtrimet i zhvillojmë në natyrë pranë pallatit ‘Shani Nushi’ në Gjakovë dhe në kushte minimale”, shprehet Alija për gazetën Kombëtare “Bota sot”. Më tej tha se kanë arritur që ta ruajnë bërthamën e klubit.

“Këtë vit kemi arritur qëllimin, me ruajt bërthamën e klubit. Nga klubi është larguar Alma Nivokazi e cila ka vazhduar karrierën në Prishtinë, ndërsa në folenë e vjetër u kthye Shpresa Fazlija, dhe kemi angazhuar motrat nga Prizreni përkatësisht nga klubi CLIC-u Gungot dhe Gulgun Jota. Kemi krejt lojtare nën moshën 20 – vjeçare, me përjashtim dy lojtareve tjera që janë më të vjetra”, theksoi ai.

Synimet e Shqiponjës përveç rezultateve të mira pretendojnë edhe përforcime nga jashtë.
“Synojnë mesin e tabelës për vjeshtë, por për sezonin e dytë varet se si zhvillohet situata. 

Presim angazhimin e dy-tri lojtareve nga jashtë por për sezonin e dytë jemi në kontakte me dy lojtare nga jashtë, njëra është e Greqisë dhe është e lirë dhe tjetra nga Mali i Zi”, nënvizoi ai. A është bërë mirë që u zgjerua liga apo është e dëmshme?

“Federata ka vepruar mirë.  Nuk është fer të largohet asnjë ekip nga liga pasi që kampionati nuk u zhvillu deri në fund.  Mirë që u zgjerua liga, se gjynah mi hyjë në hak ndonjë ekipi”, përgjigjet Alija. Në fund tha se si çdo klub që po ballafaqohet me probleme edhe Shqiponja po has në vështirësi: “Kushte si çdo ekip në Kosovë i kemi të vështira, ende asnjë ndihmë as nga federata as nga komuna".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat