Gjyke Lokaj flet pas humbjes së Kosovës U-19: Mungon puna profesionale

Hendboll

Gjyke Lokaj flet pas humbjes së Kosovës U-19: Mungon puna profesionale

Nga: Kemajl Goca Më: 11 korrik 2021 Në ora: 12:16
Gjyke Lokaj flet pas humbjes së Kosovës U-19: Mungon puna profesionale

Humbja e Kosovës U-19 (femrat) dje me 39 gola diferencë (53:14) nga Holanda U-19, nuk është pritur mirë nga komuniteti jo vetëm i hendbollit në vendin tonë.

Të gjithë e dijnë fuqinë e Holandës, por humbja me 39 gola dallim është e papranueshme dhe shumë e rëndë sidomos në një ngjarje të madhe siç është Kampionati Evropian U-19!

Ish hendbollistja e mirënjohur Gjyke Lokaj, thotë se nuk punohet sa duhet dhe ky rezultat është edhe pasqyrë e gjithë kësaj.
Znj. Gjyke, si e sheh humbjen me 39 gola (53:14) të Kosovës U-19 nga Holanda U-19,  a mendoni se nuk u punua apo çfarë po ngjan?

”Sa i përket pyetjes suaj, mund të ju them se nuk jam në rrjedha të punës që bëhet në klubet e hendbollit në Kosovë sepse si unë ashtu edhe shumë hendbollistë të gjeneratës sime nuk konsultohen nga askush për shkëmbim përvojash, ide apo sugjerime.

Si rrjedhojë e këtij rezultati (53:14), mendoj që është mospuna dhe konkurrenca e dobët nëpër këto klube. 

Kur e them këtë, bazohem në faktin që me vite të tëra në hendbollin e Kosovës dominon një ekip në konkurrencën e meshkujve dhe një ose dy ekipe në konkurrencën e femrave. 

Jo vetëm në hendboll, por edhe në çdo sport tjetër kur mungon puna profesionale, përkushtimi dhe përvoja, mungojnë edhe rezultatet (pavarësisht disa rezultateve të arritura nga reprezentacioni A dhe B i meshkujve dhe i femrave). 

Me vet faktin se për çdo minutë të lojës është marrë një gol (edhe pse nga një ekip i fuqishëm) është dekurajuese dhe demotivuese për karrierën e këtyre vajzave të reja të ekipit tonë.

Me gjithë tentimet tona për bashkëpunim si gjeneratë me përvojë në hendboll, kritikat tona po hasin në keqkuptime nga udhëheqësit e këtyre klubeve”, thotë Lokaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat