Erza Hasani: Kastrioti do të vazhdoj të funksionoj si klub i qytetit, nuk do të privatizohet

Hendboll

Erza Hasani: Kastrioti do të vazhdoj të funksionoj si klub i qytetit, nuk do të privatizohet

Nga: Kemajl Goca Më: 19 janar 2022 Në ora: 15:25
Erza Hasani

Secila ekip synon që të jetë më e përgatitur por edhe me një fond me të pasur të hendbollisteve për pjesën e dytë të kampionatit përkatësisht në Superligën e Kosovës.

Klubi i hendbollit Kastrioti nga Ferizaj (femrat), shtatë herë kampione e Kosovës pas lufte, as nuk u përforcua por as nuk iu largua ndonjë lojtare në afatin kalimtar dimëror, por mbetet në skeletin e hendbollisteve të pjesës vjeshtore.

Klub që  pretendon garat e play-off-it, aktualisht renditet në pozitën e pestë me 13 pikë, tre me pak se pozita e katërt.

Kryetarja e klubit Kastrioti, Erza Hasani, në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, flet për situatën që po kalon ekipi, a do të ketë prurje të reja, a do të ketë ndryshime të trajnereve dhe a ka pritur më shumë gjatë pjesës vjeshtore.   

“Bota sot” KHF Kastrioti është në pozitën e pestë gjatë stinorit vjeshtor me gjithsej 13 pikë, a ju kënaq kjo pozitë a po keni pritur më shumë?

Erza Hasani: Erza Hasani: Si kryesi e klubit jemi të kënaqur me angazhimin e vajzave dhe stafit profesional, natyrisht që synimet tona kanë qenë për më shumë arritje por e vlerësojmë atë që është bërë dhe në periudhat ne vijim sigurisht se do i arrijmë objektivat.

“Bota sot”:  Si e sheh pjesën pranverore te Kastrioti, kërkoni më shumë nga vajzat?

Erza Hasani: Do të jemi pranë vajzave në të gjitha nevojat e tyre, kemi një kryesi të konsoliduar dhe bashkë me stafin profesional  do të kërkojmë edhe më shume nga vajzat por reciprokisht edhe ne do i përkrahim në maksimum.

“Bota sot”:  A synoni play-off-in, kur kihet për bazë se ekipi ka një numër të hendbollisteve me përvojë?

Erza Hasani: Po e synojmë play-off-in për faktin se kemi hendbolliste të mira dhe me përvojë dhe ka një përkushtim jashtëzakonisht serioz si nga kryesia, stafi profesional dhe hendbollistet.

“Bota sot”:  Flitet e përflitet se mund të ketë edhe ndryshime, për cilat bëhet fjalë?

Erza Hasani: E para siç e dini një ndër parakushtet për të funksionuar një klub i hendbollit është edhe përkrahja financiare të cilën e konfirmoj se e kemi të siguruar dhe mjaft mirë të konsoliduar. 

Ka një raport shumë të mirë komunikimi mes kryesisë dhe hendbollisteve dhe për ndryshimet e mundshme gjithmonë në kontekstin pozitiv do të vendos kryesia por gjithherë në konsultim me stafin profesional, trajneret dhe hendbollistet. 

E vlerësoj se është e nevojshme që ta potencoj se klubi hendbollit Kastrioti- femrat do të vazhdoj të funksionoj si klub i qytetit, nuk do të privatizohet dhe i gjithë kontributi ynë i anëtarëve të kryesisë dhe mbështetësve dhe donatorëve të tjerë është krejtësisht në vullnetin e mirë tonin për ta ndihmuar klubin dhe jashtë çdo mundësie për të realizuar interesa personale.

“Bota sot”:  Kastrioti e ruajti skeletin e lojtareve në afatin kalimtar dimëror, por nuk solli asnjë ndryshim, a jeni të kënaqur me fondin aktual  të hendbollisteve? 

Erza Hasani: Si kryesi në bashkëpunim me trajneret, pjesën profesionale të ekipit po bisedojmë edhe për prurje të reja me lojtare eminente edhe jashtë Kosovës dhe gjithsesi jemi të interesuar që ta pasurojmë edhe më shumë fondin e lojtareve. Ndërsa vitet në vijim do t’i kushtojmë po ashtu rëndësi të veçantë edhe rekrutimit të lojtareve të reja nga qyteti ynë pasi që Ferizaj ka potencial për hendbollin.

“Bota sot”:  Çfarë i mungoi ekipit në vjeshtë e çfarë i duhet më shumë?

Erza Hasani: Periudha prej kur e kemi marre klubin na ka shërbyer për ta vërë ligjshmërinë në klub, për të siguruar pjesën e nevojshme financiare dhe për ta konsoliduar ekipin deri në këtë nivel këtu ku jemi. 

Tashme kemi objektiva tjera pasi që ne kemi një plan afatshkurtër dhe afatmesëm por që gjithsesi synojmë që klubin e hendbollit Kastrioti ta shpiejmë në pozitën të cilën e meriton .

“Bota sot”: Cili është plani i juaj për ekip?

Erza Hasani: Sa i përket ekipit në radhë të parë e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë kontributin e vajzave dhe trajnereve dhe në bisedat që i kemi diskutuar së bashku me trajneret, kemi konstatuar se duhet të punojmë edhe për prurje të reja nga jashtë Kosova dhe mund të ju konfirmoj se jemi në biseda me disa lojtare që janë nga rajoni dhe që kanë shprehur gatishmërinë të jenë pjesë e KH Kastriotit. Natyrisht me kohë do t’i bëjmë publike të gjitha informatat tjera.

“Bota sot”: A do të mbeten të njëjtat trajnere apo do të ketë edhe freskime?

Erza Hasani: Kryesia do të vendos për çdo angazhim të ri eventual por ne e vlerësojmë punën e bërë nga trajneret aktuale dhe kemi bashkëpunim të ngushtë në relacionin kryesi - staf profesional.

Në momentin që kemi vendosur ta përkrahim klubin e hendbollit Kastrioti kemi pas parasysh që klubin ta zhvillojmë në mënyrë graduale por të qëndrueshme sepse hendbolli është një sport që ka rrënjë në Ferizaj dhe synimet tona nuk janë që të ballafaqohemi me ngritje apo rënie të shpejta por konsolidimi klubit të prodhoj rezultate me qëndrueshmëri afatgjate.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat