Sami Çerkini: Kriza e hendbollit dhe nënçmimi i trajnerëve të Kosovës

Hendboll

Sami Çerkini: Kriza e hendbollit dhe nënçmimi i trajnerëve të Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 22 maj 2022 Në ora: 11:42
Sami Çerkini

Hendbolli i Kosovës po kalon krizën më të madhe në histori.

Ka vite që ka rënë cilësia, ndërsa të meshkujt Besa Famgas e Pejës nuk ka rival dhe për nëntë vite rresht është kampione e Kosovës.

Ish portieri i mirënjohur Sami Çerkini, i cili i takon edhe gjeneratës së artë të viteve të 80-ta, është i brengosur me situatën që po kalon tempulli i hendbollit Ferizaj dhe në përgjithësi ky sport në Kosovë. 

Karakteristikë është se Kastrioti i Ferizajt (meshkujt), titullin e kampionit e ka fituar të fundit në edicionin 2010-2011, në kohën kur ka qenë kryetrajner Sami Çerkini. 

Në kohën kur ishte kryetrajner Sami Çerkini edhe Ferizaj – femrat u bë kampione në edicionin 2019-2020. 

Titujt e fundit e kanë emrin Sami Çerkini për tempullin e hendbollit, ndërsa çdo trajner tjetër që ka ardhur nuk ka arritur një titull kampioni, me përjashtim të Verim Zherkës që fitoi Kupën e Kosovës me Kastriotin (meshkujt në edicionin 2018-2019.

Çerkini kritikon qasjen e punës së KH Kastriotit dhe shumicës së klubeve, të cilët nënçmojnë trajnerët vendorë madje duke i paguar pesëfishtë me pak se një trajner i huaj me dije e nivel të njëjtë apo edhe më të dobët. 

“Bota sot”: A mendoni se në vitet e fundit janë lënë anash emrat e mëdhenj të hendbollit?

Sami Çerkini: Është fakt që janë lënë anash dhe as që respektohen emrat e mëdhenj. E them me keqardhje, ka vite që nuk shfrytëzohen emrat e mëdhenj të hendbollit.

Nuk e besoj se mund të rrisim cilësinë përderisa nuk angazhohen ekspertët apo emrat e mëdhenj, që dikur lanë gjurmë në ligën më të fortë në botë, në ish Jugosllavi.
Kryesitë e klubeve duhet të mendojnë për më të mirën, të kanë programin për periudhën 4 deri 8-vjeçare dhe t’i qesin pikat se çfarë duan për gjatë kësaj periudhe.

Por kjo nuk mund të arrihet pa angazhimin e profesionistëve dhe pa u paguar ata. Me këtë logjikë shkel e shko, po shihet edhe cilësia ku u ra qoftë të femrat qoftë të meshkujt.

“Bota sot”: Si duhet vepruar?

Sami Çerkini: Nuk ka filozofi kjo punë! Secili duhet të mendoj me mendje të shëndosh!  Secili duhet t’i ketë parasysh se pa ekspert të kësaj loje, pa trajner të shkolluar e që njohin punën, nuk shkohet para!  Mosveprimi qe disa vite ka prurë shumë klube në pozicion tejet të vështirë të ekzistimit, hiq Besën që i ka kushtet më të mira. Hendbolli ka traditë në Kosovë, dikur luftonim e fitonim në ligën më të fortë në botë, sot jemi në një situatë tepër të rënduar.

“Bota sot”: Kush janë fajtorët që nuk i angazhojnë profesionistët, sidomos në tempullin e hendbollit siç është Ferizaj?

Sami Çerkini: Kjo punë dihet botërisht. Cilët janë fajtorët? Nuk po flas vetëm për Ferizaj por në përgjithësi për hendbollin e Kosovë. Nuk është problemi se cilët janë fajtorët, por duhet të ndërrohet qasja e punës nëpër klube, të gjejnë modelin më të mirë. Veç në Kosovë shkon me logjikën e punës:

Një trajner punon me 50 veta, as ka trajner portierëve, as kondicional, as ndihmës, atëherë si mundet të përparojë apo të këndellet ky sport.

Kjo tregon më së miri kush janë fajtorët. Vetëm shikojë shumicën e klubeve si punojnë dhe e kanë vetëm një trajner.

Ai është trajner, ekonom, shofer e gjithçka aty! Për mu rrit cilësia duhet të kemi struktura të organizuara e profesionale nëpër klube, të paguhen mirë trajnerët dhe lojtarët. Nuk shkon me nga 100 e 200 euro pagë, kësaj thonë social e jo pagë. 

“Bota sot”: Sipas jush, jemi në krizë të thellë?

Sami Çerkini: Po fakti më i mirë është Besa, e cila fiton me sa të do diferencë. Me vite rresht është kampione, nuk ka konkurrencë! Kjo tregon se sa jemi në krizë!

“Bota sot”: Paksa jeni i dëshpëruar?
Sami Çerkini:
Jo pak por shumë i dëshpëruar. Vij prej një gjenerate të artë, të ish ligës së parë të ish Jugosllavisë, ku kemi mposhtur edhe kampionin e Evropës, po sot nëse takohen klubet tona me kampionin e Evropës, një Zot e di me sa diferencë humbin, mbi 20 sigurtë. 

“Bota sot”: Ku e sheh Ferizajn si qendër të hendbollit?
Sami Çerkini
: Veç emri i ka mbetur si qendër e hendbollit. Ose siç thonë: Na ishte dikur! Ky Kastrioti i sotëm vetëm emrin e ka, mos e krahasoni me Kastriotin e kohës sime, se ka pasur nivel, punë e profesionalizëm.

Sot është ndryshe, mos më pyeteni mua, shkoni shikoni stërvitjet të femrat e të meshkujt, binduni për punën që bëhet aty! Pa investime, pa u paguar mirë lojtaret e lojtarët pa trajner të merituar e që njohin punën, po flas në përgjithësi për hendbollin, harrojeni që kanë me pa ditë të bardha! Jemi para kapitullimit nëse nuk veprojmë të gjithë tani, të angazhohen njerëz të vërtetë dhe të lihen anash shoqëritë, teket e inatet, punët do të bëhen edhe më keq!  

“Bota sot”:  Kemi edhe trajnerë të huaj në ekipet e Kosovës, a është një zgjidhje e mirë?
Sami Çerkini:
Kemi trajnerë të huaj në Kosovë. Asgjë nuk ka të keqe këtu sepse mirë që kemi! Ajo që është për t’u brengosur, angazhimi i trajnerëve të huaj, të cilët janë ose me nivelin tonë ose nën nivelin tonë, ata paguhen deri 1500 euro, kurse trajnerët e Kosovës nënçmohen me 200 e 300 euro.

Kemi raste që edhe ato pak mjete që merren vesh nuk i japin. Kjo është e dhimbshme. Kuadro tona edhe pse janë më të mirë, nënçmohen dhe shkelet djersa e mundi i tyre!

“Bota sot”: Kemi rast konkret?
Sami Çerkini
: Rast konkret e kemi KH Kastriotin e Ferizajt në konkurrencën e meshkujve, të cilët angazhuan një trajner të panjohur për hendbollin e Kosovës, ndërsa në Ferizaj kemi shumë trajnerë të cilët sot nuk janë të angazhuar vetëm për shkak të inateve.

Trajnerët e mirëfilltë bredhin rrugëve, ndërsa angazhojnë trajnerë që nuk sjellin asgjë dhe paguhen deri 1500 euro, vetëm pse është i një shteti tjetër dhe për dije e punë është nën nivelin e shumë trajnerëve.  Prapë suksese janë të njëjtë sikur vitet e mëhershme. 

Kemi trajnerë të licencuar nga Federata e Hendbollit e Kroacisë dhe e Maqedonisë së Veriut, por kjo nuk vlen për këto kryesitë që kemi sot sepse janë inatet e tyre, askush si kupton pse dhe këtu e kanë e pru cilësinë, përtoke!

Kjo po i kushton hendbollit tonë, ka rënë përtokë, ka humb shikuesi, që para shumë viteve në derbi kishim nga 2.000 deri 3.000 shikues, sot palestrat janë të boshatisura, as baballarët e tyre nuk vijnë t’i shikojnë, arsyeja dihet, nuk ka cilësi! Qytetari i Ferizajt e njeh hendbollin, ai nuk mashtrohet me antivlera!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat