Ekrem Beqa përgjigjet për kritikat e Sami Çerkinit, tregon edhe një detaj për Verim Zherkën

Hendboll

Ekrem Beqa përgjigjet për kritikat e Sami Çerkinit, tregon edhe një detaj për Verim Zherkën

Nga: Kemajl Goca Më: 22 maj 2022 Në ora: 20:38
Ekrem Beqa përgjigjet për kritikat e Sami Çerkinit, tregon edhe një detaj për Verim Zherkën

Drejtori i klubit të hendbollit Kastrioti nga Ferizaj, Ekrem Beqa, përgjigjet për kritikat e ish portierit të mirënjohur Sami Çerkini. 

Është interesant se zotëri Beqa merret me autorin e shkrimit, jo me kritikuesin! Kritikuesi e ka emrin Sami Çerkini, jeton në periferi të Ferizajt, i cili sot ka deklaruar publikisht se po nënçmohen trajnerët e Kosovës, duke atakuar direkt klubin me renome Kastriotin (meshkuj). 

Po e publikojmë në tërësi përgjigjen e Ekrem Beqës, i cili tregon në tetë pika për ecurinë e klubit. 

“Së pari kjo ftesë më duket paksa tendencioze duke pasur parasysh faktin se është ditë pushimi, vikendi dhe ne jemi me obligime familjare andaj kërkesa për përgjigje kaq të shpejtë është për t’u çuditur pak.

Së dyti si duket ju po e luani avokatin e trajnerit Sami Çerkini për çka besoj nuk keni nevojë ngase çdo kush ka të drejtë në opinionet dhe kritikat e mirëfillta dhe me argument, kuptohet.

Tani po i numëroj disa nga zhvillimet qe kanë ndodhur në klub prej se jemi angazhuar ne si Kryesi dhe unë si Drejtori i Klubit:

1. Ju informoj edhe pse ju veçse e dini se kjo Kryesi e ka marrë Klubin në Tetor të vitit 2020, kur klubi rrezikonte eliminimin nga garat për shkak të moszhvillimit të ndeshjeve nga pakënaqësitë e lojtarëve me Kryesinë e atëhershme, gjë e cila do të ishte turpi i Klubit Kastrioti, Qytetit dhe gjithë hendbolldashësve nga e tërë Kosova.

2. Me tu angazhuar ne fillimisht, ju informoj se klubin e kemi gjetur me 7 apo 8 lojtarë nga të cilët vetëm dy kanë qenë të vjetër, e ku ndërsa të tjerët vinin nga grupmoshat e reja.
Klubi kishte një pagë të pa paguar ndaj lojtarëve, gjë të cilën ne e kemi paguar menjëherë, si dhe te gjitha detyrimet ndaj federatës të cilat po ashtu kemi qenë të obliguar ti paguajmë për të mundësuar zhvillimin e ndeshjeve në vazhdimësi. Falë këtij angazhimi tonë lojtarët zhvilluan ndeshjet, dhe iu rikthye motivi dhe ambicia për vazhdim të mëtutjeshëm të kampionatit.

3. Kur ne jemi paraqit në klub, trajneri Verim Zherka me 5 lojtarë të ekipit të parë të Kastriotit kanë qenë duke luajtur në ekipin e Prishtinës, si rezultat i pakënaqësive me kryesitë e mëparshme, e jo për fajin tonë. Po ashtu, portieri i Kastriotit, Mursel Mehmeti luante për ekipin Besa Famgas për të njëjtat arsye.

4. Ne u desht të vazhdojmë me potencialin e ekipin te cilin veçse e gjetëm, ngase nuk kishte afat kalimtar për transfer te lojtarëve.

5. Në afatin kalimtarë të radhës ne kemi ftuar në bisedime të gjithë lojtarët e Kastriotit të cilit ishin duke luajtur në Prishtinë duke ju ofruar kushte pagese më të larta se që i kishin në Prishtinë, por si duket mllefi I tyre nga e kaluara me Kryesit jo serioze e bëri të veten dhe ata nuk u kthyen, por edhe ku ndodhi edhe një largim nga klubi i lojtarit Festim Mustafa nga pakënaqësia se klubi mbeti pa përforcime.

Ne i bëmë një ofertë edhe trajnerit Verim Zherka por për shkak të kontratës që kishte me Prishtinën nuk mundi të kthehet në Kastriot.

6. Dhe duke u gjendur në një situate të tillë, neve na mbeti afati kalimtarë për hendbollistë jashtë Kosovës dhe si kryesi në gjysmësezon angazhuam trajnerin e mirënjohur Ace Stankovskin, trajnerin e Vardarit, i cili për ata të cilët e njohin lojën e hendbollit është një emër I cili ka biografinë e tij dhe lehtë mund ti qaset çdo kush po qese ka nevojë të dijë më shumë për te e jo një anonim siç pretendohet .Po ashtu angazhuam ndihmësit Flamur Salihu dhe Blerim Beqiri të cilët janë ish lojtarë të Kastriotit dhe të cilët gjatë karrierës së tyre kanë ngritë shumë kupa si lojtarë dhe tani po bëjnë punën e trajnerit ndihmës me mjaft suksese dhe janë trajnerë vendorë.

7. Përveç trajnerit, ne u përforcuam edhe me disa lojtarë të jashtëm nga Mali i Zi, Brazili dhe Maqedonia, me të vetmin qëllim që ta kompletojmë disi ekipin ngase nuk kishim mundësi tjera të angazhimeve nga brenda dhe duke pasur parasysh hendikepin e mbetjes mbrapa me pike nga fillimi kampionatit e vetmja shpresë dhe objektiv I yni ishte gara në Kupën e Kosovës, dhe këtij qëllimi ia arritëm duke luajtur në finale me Besa Famgas. Po ashtu ndër qëllimet e tona kryesore ishte që ta rikthejmë publiken dhe sportdashesit në palestër, e që me shume bindje e themi se ia arritëm.

8. Ne si Kryesi jemi angazhur me maksimumin tonë të dijes dhe mundit për të bërë më të mirën për klubin duke e shpëtuar fillimisht nga eliminimi i garave, pastaj konsolidimi me atë fond lojtarësh të cilin e kishim, dhe prurjet e reja duke përmbushë të gjitha obligimet financiare ndaj trajnerit, lojtarëve, dhe federatës, dhe kjo ka qenë pjesa e punës dhe meritës së kryesisë vullnetare dhe pa asnjë farë kompenzimi të cilën e dinë i tërë qyteti Ferizajt dhe për fund mendojmë se e kemi arrit edhe targetin e lojës në finale.

I nderuar Z. Goca ju keni raportuar në vazhdimësi për zhvillimet në KH Kastrioti dhe keni pas shumë lavdata për punën tone në vazhdimësi dhe tani nuk po e kuptoj pse ky vështrim kritik ndaj kryesisë.

Nga krejt këto që u thanë më lartë, ne mendojmë se Kryesia e Klubit KH Kastrioti e ka kryer obligimin e saj ndërsa sa i përket lojës në parket kjo besoj se çdo kush e din se ajo nuk varet nga Kryesia por nga ata të cilët luajnë hendboll”, është Ekrem Beqa. 

Zotëri Beqa edhe pse sot është ditë pushimi, përderisa keni pozitë zyrtare dhe atakoheni si klub, duhet ta dini se si gazetar kërkojë përgjigje sepse e kërkon ana profesionale. Kohën kur nuk keni pozitë, askush nuk iu kërkon deklaratë sepse nuk jeni kompetent.  

Duhet theksuar se Sami Çerkini sot ka shprehur shqetësimet, duke thënë mes të tjera: “Kemi trajnerë të huaj në Kosovë. Asgjë nuk ka të keqe këtu sepse mirë që kemi! Ajo që është për t’u brengosur, angazhimi i trajnerëve të huaj, të cilët janë ose me nivelin tonë ose nën nivelin tonë, ata paguhen deri 1500 euro, kurse trajnerët e Kosovës nënçmohen me 200 e 300 euro.

Kemi raste që edhe ato pak mjete që merren vesh nuk i japin. Kjo është e dhimbshme. Kuadro tona edhe pse janë më të mirë, nënçmohen dhe shkelet djersa e mundi i tyre!

Rast konkret e kemi KH Kastriotin e Ferizajt në konkurrencën e meshkujve, të cilët angazhuan një trajner të panjohur për hendbollin e Kosovës, ndërsa në Ferizaj kemi shumë trajnerë të cilët sot nuk janë të angazhuar vetëm për shkak të inateve.

Trajnerët e mirëfilltë bredhin rrugëve, ndërsa angazhojnë trajnerë që nuk sjellin asgjë dhe paguhen deri 1500 euro, vetëm pse është i një shteti tjetër dhe për dije e punë është nën nivelin e shumë trajnerëve.  Prapë suksese janë të njëjtë sikur vitet e mëhershme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat