Polici serb kërcënoi keq lojtarët e kombëtares së Kosovës, dilni jashtë nga autobusi... 

Hendboll

Polici serb kërcënoi keq lojtarët e kombëtares së Kosovës, dilni jashtë nga autobusi... 

Nga: Kemajl Goca Më: 21 korrik 2022 Në ora: 15:10
Ilustrim

Një moment i sikletshëm kishte ndodhur para 5 viteve por që është mbajtur fshehur deri me tash për opinion!

Në muajin janar të vitit 2017, Kombëtarja e Kosovës U21 në hendboll (meshkujt), duke udhëtuar për në Sllovaki, me trajnerin Fatmir Muhaxheri, kaluan pa asnjë telashe edhe Beogradin por në Suboticë (në kufi) iu ndodhi e papritura.

Gjatë kontrollit, një polic hipi në autobus dhe kur e sheh trajnerin Muhaxheri, i veshur me tuta sportive dhe stemë të Kosovës, plus në shpinë mbishkrimin Kosova, i kërcënoi keq.

“Polici na u drejtua keq madje bërtiste fort në gjuhën serbe: ‘A je normal ju, ku po shkoni bre kështu me këto uniforma? Si keni guxuar të futeni këndej, a jeni normal ju? Dilni jashtë, zbritni tokë sa më shpejt nga autobusi’.

Polici serb shau me nënë!

Frika jonë ishte se dy lojtarë nuk e kishin në rregull dokumentacionin, ndërkohë Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, reagon me qetësi duke i thënë: ‘Ngadalë zotëri, ne jemi kombëtarja e Kosovës dhe po udhëtojmë në Sllovaki për të zhvilluar ndeshjen kualifikuese për në Kampionatin Botëror U21’. Polici ia ktheu: “Çfarë po flisni ju bre, po të ishin lojtarët serbë duke shkuar për në Kosovë, ju do t’i hani të gjallë”. 

Gjinovci i kundërpërgjigjet: ‘Këta janë fëmijë dhe sportistë, po shkojmë për ndeshje’.

Polici megjithatë qetësohet dhe ndalon kërcënimet e pakontrolluara, thërret dikë në telefon duke folur për 10 minuta, pastaj na liroi, por që kishte shkaktuar shqetësime të mëdha te trajneri dhe djelmoshat tanë.

Kaluam Suboticën dhe shkuam në Sllovaki, kur u kthyem prapë i njëjti polic në kufi, por nuk na doli para.

Ky moment nuk harrohet kurrë, ishte prej shqetësimeve më të mëdha sepse askush nuk e dinte se çfarë mund të bënte ai polici, sidomos kur kërkoi të dalim jashtë autobusit, fatmirësisht u ndal pasi komunikoi me stacionin policor në Suboticë”, tregon një burim brenda kombëtares për gazetën “Bota sot”.  

Këtë e pranon edhe Muhaxheri. “Polici kërkonte mi heq uniformat, unë iu thash nuk ka asnjë mundësi, kështu jemi nisur dhe kështu do të shkojmë. Është interesant se edhe nga jemi kthyer, i njëjti ka qenë por u shmang e nuk na doli para”, tha Muhaxheri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat