KHF Istogu, klubi i vetëm në Ligën Evropiane

Hendboll

KHF Istogu, klubi i vetëm në Ligën Evropiane

Më: 29 maj 2023 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

KHF Istogu është klubi i vetëm nga Kosova që e ka të drejtën e paraqitjes në EHF European League, përkatësisht në Ligën Evropiane.

Liga Evropiane është niveli i dytë i garave kontinentale për klube. Shtatë skuadra tjera kosovare kanë të drejtë të garojnë në Kupën Evropiane (EHF European Cup), që është niveli i tretë. Kupa Evropiane është mjaft sfiduese, ndërsa Liga Evropiane është shumë më tepër. Për këtë janë të vetëdijshëm tek Istogu.

Istogu ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës në hendboll (femrat). Tashmë paraqitet rregullisht në gara evropiane dhe për edicionin e ardhshëm kampioni kosovar është promovuar në nivelin e dytë.

“Jemi të përkushtuar që të garojmë në Ligën Evropiane. Kjo është vërtetë sfiduese. Kushtet që kërkohen janë më të shumta, ndërsa edhe skuadra duhet të jetë e nivelit më të lartë. Prandaj planifikojmë më shumë investime, që janë të pamundura pa përkrahjen e sponsorëve dhe komunës. Po ashtu nuk duhet ta kemi brengë punën e palestrës, që nuk është në gjendje të mirë. Shpresojmë fuqishëm se renovimet në palestër do të nisin të shpejti, që shtëpia e sportistëve të Istogut të jetë gati në fillim të edicionit të ardhshëm. Është koha të bëjmë hapa para dhe paraqitja në Ligën Evropiane është hap gjigant në fakt. Atë mund ta bëjmë vetëm nëse kemi përkrahjen e duhur të të gjitha palëve të përfshira”, ka thënë trajneri i Istogut, Faruk Shala për Federatën e Henbolli të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat