Haziri: Na duhet fitorja me Maltën!

Hendboll

Haziri: Na duhet fitorja me Maltën!

Nga: Kemajl Goca Më: 9 nëntor 2016 Në ora: 16:47
Alban Haziri

Barazimi me Moldavinë U-20 me rezultat 27:27 pa dyshim se është një motiv shtesë për djelmoshat e kombëtares së Kosovës U-20 para ndeshjes së nesërme kundër Maltës U-20.  Hendbollistët tanë shpresojnë se do të shënojnë fitore dhe të vazhdojnë rrugën për në rrethin tjetër të Kampionatin IHF Trophy – Europe, që po mbahet në qytetin Kutaisi në Gjeorgji. Në kampin e Kosovës është një optimizëm se do të shënojnë fitore e cila do të ketë peshë të madhe.  Kosova duhet të fitojë me 34 gola diferencë ndaj Maltës për të siguruar kualifikimin më tutje. Sepse Moldavia ka fituar me 33 gola diferencë ndaj Maltës, kështu që Kosova i duhet fitorja me 34 gola epërsi që t’i kalojë moldavët dhe zërë vendin e parë në grup. Djelmoshat tanë pretendojnë se janë mirë të përgatitur dhe premtojnë maksimumin. Alban Haziri që luan në pozitën e qendrës, tha për gazetën kombëtare “Bota sot” se patjetër iu duhet fitorja kundër Maltës. “Mendoj që patjetër na duhet fitorja për ta siguruar gjysmëfinalen dhe besoj të djemtë që me një përgjegjësi të plotë do të dalim triumfues ndaj Maltës”, tha Haziri.

Kosova është në grupin B Moldavinë dhe Maltën. Haziri tha se kanë paksa njohuri për Maltën dhe do të mundohen me një mbrojtje të fortë të amortizojnë lojën e rivalit. “Për Maltën kemi disa njohuri. E kemi parë lojë e tyre kundër Moldavisë dhe mendoj që me një mbrojtje të fortë Kosova do të jetë e pakalueshme”, thotë ai. Haziri tregon se nga mund të vijë rreziku më i madh nga rivali: “Mendoj se rreziku më i madh është nga sulmi, por besoj se me mbrojtje të fortë do të ia dalim”. Çfarë do të thotë fitorja ndaj Maltës: “Na siguron plasmanin për më tutje. Kjo fitore është shumë e rëndësishme për ne”, përgjigjet hendbollisti i cili është i kënaqur me kushtet në palestrën sportive në Gjeorgji. “Mendoj se kushtet janë normale dhe tek ne si ekip atmosfera është tepër mjaft e mirë, energjike”, tha Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat