Çela tregon për presionin, ndaljen e rrymës dhe pse i ruajti policia

Hendboll

Çela tregon për presionin, ndaljen e rrymës dhe pse i ruajti policia

Nga: Kemajl Goca Më: 16 mars 2017 Në ora: 13:13
Lojtarët e Prishtinës

Klubi i hendbollit Prishtina (meshkujt) ka bërë ankesë në Federatën e Hendbollit të Kosovës për gjithë ato skena që i ndodhën në palestrën e sportit ‘Minatori’ në Mitrovicë. Sipas tyre, vazhdimisht iu bë presion nga ana e vendasve dhe në një moment ndalet edhe rryma!  Drejtori sportiv i KH Prishtina, Krenar Çela, deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot”  se çfarë i ndodhi ekipit të tij në Mitrovicë, ku u mposhtën me rezultat 23:22, në takimin e javës së 19-të. “Në një moment u ndërpre takimi, kështu që kemi paraqitur edhe ankesën tonë në Federatën e Hendbollit për gjithë ata që ndodhi në Mitrovicë. Normal se ajo ndërprerje ka ndikuar në rezultat, sepse presion ka qenë shumë i madh, sidomos kur ndalen dritat, edhe lojtarët ishin të rrezikuar, pasi që ka pasur hedhje të gjërave të ndryshme nga publiku dhe ishim në presion për gjatë gjithë ndeshjes”, tregon Çela.

Drejtori sportiv tha se ky incident i pashembullt ka ndodhur rreth minutës së 49-të. “Presioni ka ndikuar në lojën tonë. Kërkojmë që organet kompetente të shikojnë rrjedhën e lojë se a ka pasur apo jo ndikim referimi. Ata le ta vlerësojnë më së miri”, tha ai. A ka ndikuar kjo atmosferë që ta humbni ndeshjen? “Nuk mundem me konkluduar me këtë rast, janë raste që ndodhin në Mitrovicë, nuk mund me thënë ka ndikuar apo jo. Një rast mund tregojë, se lojtarët tanë u morën në mbrojtje apo u ruajtën brenda fushës nga policia kur u fiken dritat, për shkak ka mundur të futet dikush (persona të paautorizuar) e mos me pa në at errësirë”, thotë Çela.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat