A na shkon për fytyre të marrim pjesë në Kampionatin Botëror për shtetet në zhvillim?

Hendboll

A na shkon për fytyre të marrim pjesë në Kampionatin Botëror për shtetet në zhvillim?

Nga: Kemajl Goca Më: 1 qershor 2017 Në ora: 10:48
Ismet Jupa

Prof. Ismet Jupa, ish-përzgjedhës i kombëtares së Kosovës (femrat), ndryshe është koordinator i Akademisë së Hendbollit Ferizaj, ka thënë treguar se kush janë fajtorë më të mëdhenj që hendbolli është në krizë të thellë.

“Bota sot”: Kush janë fajtorët më të mëdhenj për këtë gjendje që gjendet hendbolli në përgjithësi?

Prof. Ismet Jupa: Fajtorë jemi të gjithë, por njerëzit që janë në krye të organizatave sportive (klubeve) nuk duhet vijnë njerëz të deleguar nga politika, por duhet njerëz që kanë përvojë në lëminë e hendbollit edhe që kanë njohuri për menaxhimin e klubeve të hendbollit. Për këtë një barrë e ka edhe FHK , ajo duhet të jetë në kontakt permament me klubet edhe me strukturat politike, t’u bënë me dije që në klubet sportive të angazhohen njerëz që dinë me menaxhuar klubin në aspektin organizativ, financiar edhe profesional. Momentalisht në shumë klube mjerisht udhëheq një individ ta quajmë ashtu biznesmen, nuk ka kryesi të klubit dhe më shumë ka anarki se punë të mirëfilltë. Kështu që sipas mendimit tim, në këtë aspekt duhet të bëhet një ndryshim rrënjësorë, nëse dëshirojmë me u kap në valle me ekipet evropiane.

Në qoftë se këto ndryshime nuk ndodhin sa më shpejt jam i bindur thellë që jo vetëm që nuk kemi me shkuar përpara, por hendbollin kemi me degraduar tejmase hendbollin e Kosovës. Këtu duhet të shtohet edhe statusi i lojtarëve, edhe i trajnerëve që nuk është i zgjedhur, kjo për një arsye se Kosovë ende nuk kemi ligj mbi sportin.  Unë po lexoj dhe po dëgjoj se është prurë një ligj për donatorët, sponzorizimin e klubeve, por nuk është e mjaftueshme, se ligji i sportit, parasheh shumë më shumë gjëra se sa një akt nënligjorë siç është ky që po e quajmë ligji mbi sponsorizimin. Pra, këtu duhet të jetë një koordinim i mirëfilltë i Ministrisë së sportit gjegjësisht drejtorisë së sportit me federatat sportive që kjo gjendje e tanishme jo vetëm në hendboll në përgjithësi sportin kosovar, një herë e përgjithmonë të rregullohet barem sa i përket infrastrukturës ligjore. Çdo vonesë në këtë aspekt është fatale për sportin e Kosovës njëherit edhe për hendbollin e Kosovës.

“Bota sot”: Flitet se kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e meshkujve ka një përparim, faktikisht a është kjo vetëm një vetëlavdërim apo një realitet?

Prof. Ismet Jupa:  Nuk kisha me thënë ashtu që ka një përparim dukshëm, ndoshta për nga numri i lojtarëve në skuadrat e tyre është një numër më i madh se te femrat, mirëpo krahasuar ligën e meshkujve dhe të femrave sa i përket hendbollit në Evropë, nuk vërej se e ka ndonjë dallim të madh mes këtyre dy gjinive, janë ekipet tona në një gjendje të ulët sa i përket cilësisë së hendbollit sidomos ekipet e seniorëve. Thash edhe më parë duhet të përqendrohem të kategoritë e reja, të bëjnë punë profesionale edhe në kontinuitet edhe besoj në një afat shumë të shkurtër do të jemi të barabartë me vendet tjera. Në të kundërtën vetëm na mbetet me u lavdëruar dhe mos me pasur rezultate fare.

 

“Bota sot”: A na shkon për fytyre të marrim pjesë në Kampionatin Botëror për shtetet në zhvillim, kur dihet se jemi me traditë më shumë 60 vjet?

Prof. Ismet Jupa: Nëse e marrim për bazë se ne si shtet jemi një shtet i ri, atëherë më duket se është normale me marrë pjesë, por nëse e marrim traditën e hendbollit, që ju e ceket në pyetjen e juaj, atëherë nuk kish qenë dashur me marrë pjesë në këto shtete që janë në zhvillim. Mendoj se nuk ka gjë të keqe edhe në këto gara që janë mbajtur në Kosovë dhe kanë me mbajt këtë vit në Bullgari, ne si shtet duhet t’i japim sinjalet Federatës Evropian dhe Botërore, se jemi një shtet që kemi pasur traditë hendbolli. Në të kundërtën traditë mbetet vetëm traditë dhe në të kundërtën nuk do të kemi rezultate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat