Ndihmëstrajnere në kombëtare të Kosovës pa shijuar asnjë stërvitje e asnjë ndeshje, ja pse e larguan!

Hendboll

Ndihmëstrajnere në kombëtare të Kosovës pa shijuar asnjë stërvitje e asnjë ndeshje, ja pse e larguan!

Nga: Kemajl Goca Më: 13 korrik 2017 Në ora: 12:35
Vlora Jashari

Fortë ishte gëzuar kur e emëruan si bashkëpunëtore apo ndihmëstrajnere në kombëtaren e Kosovës në konkurrencën e femrave në hendboll. Kjo është Vlora Jashari, ish-hendbolliste ferizajase! “Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave nga data 1- 5 dhjetor të vitit 2016 në Minsk të Bjellorusisë do të jetë pjesëmarrëse e turneut kualifikues për Kampionatin Botëror 2017 dhe gjendet në grup më nikoqirin Bjellorusinë, Zvicrën dhe Turqinë. Florent Beqiri për këtë sfidë ka caktuar edhe bashkëpunëtorët që do ti ndihmojnë në grumbullimin e radhës i cili zhvillohet ne Gjakovë nga dita e premte.

Lulzim Nagavci dhe Vlora Jashari do të jenë ndihmësit e tij, kurse për shëndetin e  tyre do të kujdeset fizioterapeuti Ilir Konjusha”, kështu u shkrua me 22 nëntor në faqen e Federatës së Hendbollit të Kosovës. Por Vlora Jashari nuk e kishte shijuar asnjëherë të qenurit si ndihmëstrajnere. E para, ajo nuk kishte shkuar me kohë në përgatitje që mbaheshin në Gjakovë. Vonesa e saj nuk ishte falë nga përzgjedhësi siç merret vesh, sepse ai donte rregull në përgatitje dhe jo vonesa.

E dyta, Vlora nuk e kishte paralajmëruar Federatën e Hendbollit e as përzgjedhësin se do të shkojë atëkohë në Francë për një vizitë mjekësore. Kjo e kishte revoltuar shumë FHK-në dhe kampin e kombëtares, sepse të paktën u desh t’i konfirmohej me kohë se nuk mund t’i bashkohet dhe jo të kenë një trajner minus në stërvitje. E treta, Vlora prej asaj periudhe automatikisht është larguar nga kombëtarja e Kosovës, por nuk është dhënë asnjë sqarim me shkrim nga FHK. “Largimi i saj është me plotë të drejtë, sepse në kombëtare ka rregulla dhe duhet të përfillen ato. Kur nuk mundesh me kohë, ose ke obligime tjera shumë të mëdha, duhet të konfirmosh me shkrim kombëtaren apo FHK-në, jo të lihet në baltë. Sepse kur ke obligime të mëdha mund të shkosh dhe të vjen në kombëtare sipas marrëveshjes. Edhe ne jemi njerëz dhe i kuptojmë”, kështu ka thënë një burim i afërt me kombëtaren e Kosovës.

Fakti tjetër është se kur emërohen trajnerët apo ndihmëstrajnerët, edhe Federata duhet t’i jep të gjitha arsyet pse janë të larguar apo të përjashtuar. Sepse do të ishte shumë me rëndësi nga FHK jo vetëm rastin e Vlora Jasharit, por edhe të trajnerëve tjerë që janë larguar deri më tash, të dihet pse u larguan, pse u përjashtuan, apo cilat janë arsyet. Rasti i Jasharit është i qartë, nuk ka shkuar në përgatitje, pra është vonuar, dhe FHK pa një e pa dy ia ka treguar derën. E katërta, as Vlora Jashari duket se asnjëherë nuk ka pasur guximin të kërkojë llogari pse nuk është më ndihmëstrajnere, sepse sigurisht e ka ditur fajin e saj. Ajo si ndihmëstrajnere nuk e ka shijuar as një përgatitje e as një ndeshje, sigurisht se do të futet në histori për këtë rast. Kjo nuk është panoramë e mirë edhe për Kombëtaren e Kosovës dhe as për FHK-në, që më shumë paraqet emërimin e trajnerëve dhe në fund nuk shpjegon pse i shkarkon apo i përjashton. Do të ishte e udhës ta njoftojë publikun për secilin trajner të dihet pse i kanë përjashtuar apo larguar apo ndërprerë bashkëpunimin. Sepse shkarkimet dhe përjashtimet janë edhe pjesë e sportit. Merret vesh se Federata e Hendbollit është duke luftuar me të gjitha mjetet, për të qenë me kompakte në të gjitha grupmoshat në kombëtare. Sipas asaj që merret vesh, të bjerë njerëz me autoritet, të përzgjedh lojtare që vërtet e meritojnë dhe po hulumtohet shumë në shtetet e ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat