Morina: Si ta shpëtojmë hendbollin ferizajas?

Hendboll

Morina: Si ta shpëtojmë hendbollin ferizajas?

Nga: Kemajl Goca Më: 19 korrik 2017 Në ora: 12:58
Xhavit Morina

Ish-kapiteni dhe ish-trajneri i skuadrës me renome të hendbollit Kastrioti nga Ferizaj, Xhavit Morina, së bashku me disa njohës dhe asat e hendbollit, ka vendosur që të merr iniciativë për ta organizuar tryezën me moton: Si ta shpëtojmë hendbollin ferizajas? “Është bërë e tepërt se në çfarë gjendje ka rënë në përgjithësi hendbolli ferizajas apo që njihet si tempulli i hendbollit. Ka vitet që ka marrë tatëpjetën, por këtë vit ka arritur kulmin dhe ka humbur durimin edhe në mesin e qytetarëve. Shumë qytetarë janë të irrituar e të trishtuar pse është në këtë gjendje hendbolli. Nuk duam ta kërkojmë as fajtorin dhe pse jemi këtu. Me disa njohës të këtij sporti, me disa që kanë derdhur shumë mund e djersë, me yjet e hendbollit, do të mundohem të organizojmë tryezën me moton: Si ta shpëtojmë hendbollin në konkurrencën e femrave dhe të meshkujve.

Ferizaj ka traditë, ka qenë shembull dhe duhet të jetë shembull për të gjithë për hendboll. E dimë me gjenerata e gjenerata se në vitet e 70-ta, 80-ta, po ashtu edhe në kohën e okupimit dhe po ashtu edhe disa vite pas luftës, që ishim prej më të organizuarve. Sot është koha të mblidhemi dhe të vendosim për fatin e hendbollit tonë qoftë të meshkujt qoftë të femrat, ta kthejmë në binarët e duhur e të udhëhiqet nga njerëzit e vërtetë.  Ish kryetarë të klubeve, asat e këtij sportit, kryetari i Komunës, drejtori sportiv i Ferizajt, partitë e ndryshme politike, intelektualë, profesorë e arsimtarë, gazetarë, qytetarë e tifozë, biznesmenë, kryetarë e këtyre klubeve, e kushdo që mundet të jetë në tryezën me moton: Si ta shpëtojmë hendbollin?

Të gjithë po e shohin se hendbollin në vendin e traditës po shkon drejt varrosjes, ka humbur interesimin e shikueshmërinë. Pse mos ta kthejmë brenda një kohë të shkurtër në suazat e normales dhe të jemi shembull apo si një Vardar i Shkupit që sot luan me shumë suksese në garat Champions League (dikur Vardarin e kemi shkelur me lojë e rezultat, pra në vitet e 80-ta).

Ferizaj është i dyti për nga fuqia financiare dhe që mundet të kemi një kryesi të jashtëzakonshme qoftë të meshkujt e qoftë të femrat, bile me këto të fundit para dy vjetësh sundonim Ligën. Pra, të angazhojmë trajner që ka të panumërt në qytetin tonë, ekspertë të shquar dhe të bëjmë ekipin që pas një kohe të shkurt të na duartrokasin të gjithë e të na lakmojnë dhe të marrim modelin tonë. Mjaft duruam me këtë gjendje. Besoj e shpresoj se në tryezën që pritet të organizohet gjatë këtyre ditëve, të marrim pjesë një numër i madh e të dalim shumë të fuqishëm, si asnjëherë më parë unik dhe ta kthejmë krenarinë e hendbollit jo vetëm në qytetin tonë. Një tryezë produktive, kontribuuese dhe të formojmë të gjitha trupat që e dërgojnë hendbollin në vendin e merituar e jo si po shkon në humnerë”, tha Morina për gazetën kombëtare “Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat