Kështu nuk shkon o burra!

Hendboll

Kështu nuk shkon o burra!

Nga: Enis Kastrati Më: 22 gusht 2017 Në ora: 16:33
Enis Kastrati

Debate

Sytë janë me pa! Gjithçka po shihet dhe asgjë nuk fshihet! Superliga e Kosovës varfërohet në konkurrencën e femrave. Pa dy klube, gjithsesi se është më e varfër sidomos kur vjen në një periudhë që duhej t’i kishim më së shumti në ligë. Trepça nga Mitrovica dhe KEK-u nga Kastrioti tërhiqen nga garat ende pa nisur kampionati, kjo sigurisht vjen si pasojë e krizës që ballafaqohen. A thua, pas këtyre dy klubeve, kush e ka radhën, që nuk do të mund t’i mbijetojë kësaj gjendje që jemi aktualisht.  Shihet që klubet në të dy kategoritë (meshkujt e femrat) janë buzë humnerës, kjo vërtet shqetësuese është! Sa i përket kushteve financiare hiq aty këtu ndonjë, tjerat mezi i rezistojnë krizës, me të vërtet është për të ardhur keq kur Trepça e KEK-u tërhiqen, ta shohim pas tyre kush mund të na ikë apo kush e ka radhën. Kurrë më keq nuk jemi, hendbolli po shkon në humnerë.

A po bëhemi sikur në Shqipëri, ku ka pak klube! Lutem mos të vjen kjo kohë, se do të ishte fatale,  pasi që Kosova ka pasur traditë të hendbollit. Por, shumica e trajnerëve të “shkretë” nuk e dimë as vetë se si punojnë pa lekë e në kushte e rrethana të vështira. Sidomos për femrat e sotit është edhe më vështirë, se kur luajnë pa lekë, nëse nuk ke as ndonjë burim nga familja, si të ekzistojnë edhe ato! Nëse vazhdon kjo gjendje, është shumë keq. Faktikisht jemi në gjendje kritike, sa do që mundohem të rezistojmë, ka ardhur një kohë që pa një stabilitet financiar është vështirë të ekzistosh. Jo vetëm te femrat që janë thelluar në krizë ekstreme, e njëjta këngë është edhe të meshkujt.

Tani dëgjoj disa që nuk i përmendi me emra, rrahin tupanin se i kemi punët mirë, jemi në dyzenë, kemi cilësi e talent. Si mund të jemi në dyzenë kur klubet tërhiqen! Edicioni i ri nis me 15-16 shtator, por si shihet nëpër klubet një numër i madh nuk kanë nisur përgatitjet, kjo tregon se gjendja është për të ardhur keq dhe mund të ndodh se dhe ndonjë klub mund të tërhiqet deri atëherë, për faktin se janë lodhur dhe nuk shtyhet me gjoks, o burra.

Përveç Besës të tjerat nuk di sa janë mobilizuar, mirëpo siç shihet vazhdon ai avazi i vjetër dhe skuadrat me shpresë se do të vjen dikush që ka lekë e t’i nxjerrë nga kriza. Kështu nuk qëndrohet pafundësisht, sepse duket se po vjen dita këtij sportit t’i vihet dryni. Pa klube s’ka ligë dhe kështu edhe vendoset dryni, sepse dryni s’ka brinjë. nuk shkon kështu më o burra! Ose në të ardhmen e bëjmë këtë sport lojë kompjuteri dhe luajmë aty, fitoi kush fitoi, se ndryshe kështu nuk mbahet në këmbë as nuk qëndrohet!

Autori është hendbollist

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat