A po tërhiqet Kastrioti nga garat?

Hendboll

A po tërhiqet Kastrioti nga garat?

Nga: Kemajl Goca Më: 12 shtator 2017 Në ora: 17:11
Logo e Kastriotit

Debate

Kriza e thellë ka përfshirë shumicën e sporteve dhe mezi po mbijetojnë! Ndër shumë sporte që janë në krizë të thellë, pa dyshim janë edhe klubet e hendbollit. Merret vesh se klubi i hendbollit Kastrioti nga Ferizaj (meshkujt), shumë lehtë mund të tërhiqet nga garat, për shkak se janë në gjendje shumë të vështirë financiare. Klubi me renome ka kohë që nuk po arrin të këndellet dhe vazhdon të ekzistojë ashtu siç ka mundur deri me tash.

Deri me tash asgjë nuk ka zyrtare, por siç bëjnë të ditur disa burime brenda klubit ferizajas, nuk është larg mendsh të merret edhe një vendim i tillë. Në rast se Kastrioti tërhiqet nga garat, gjithsesi se do të varfërojë edhe më shumë hendbollin, sport që ka pasur traditë, por kushtet e vështira e kanë prurë në gjendje ku është tani. Pak klube kanë siguri financiare, ndërsa Kastrioti është në gjendje të mjerueshme dhe në pritje që dikush nga sponsorët t’i dalë zot.

Ndryshe me mënyrën se si po shkon, rreziku është që ky klub ta shuajë aktivitetin e saj, që do të ishte skandal për një Komunë siç është Ferizaj, i dyti për nga fuqia financiare në Kosovë. Kastrioti është klub me renome që ka bërë nam në vitet e 80-ta, por tani është në situatën të jesh apo të mos jesh.  Në fundjavë, pra me 16 shtator fillon edicioni i ri, aty do të shihet se çfarë do të ndodh. Aty do të shihet se mund të tërhiqet ndonjë klub, sepse nuk është fjala vetëm te Kastrioti, por edhe te disa klube që qëndrojnë shumë keq.

Megjithatë, ka klube që janë përgatitur maksimalisht për edicionin e ri dhe sado kudo qëndrojnë mirë financiarisht. Por çka nëse tërhiqet Kastrioti, automatikisht Liga zvogëlohet në nëntë ekipe. Fundja, nuk është fundi i botës, sepse edhe pa Kastriotin ekziston Liga, por është e dhimbshme nëse dikush nuk i del ndihmë kësaj skuadre me renome apo siç njihet si Qendra e hendbollit në vendin tonë. Ditë të vështira për Kastriotin por edhe për hendbollin në vendin tonë, sepse shuarja apo tërheqja e çdo ekipit nga garat, është edhe një zhgënjim për gjithë dashamirët e këtij sporti, sepse nuk është pak nëse tërhiqet KH Kastrioti, që ka emër të madh.  Ta shohim se si do të rrjedhin gjërat në ditët në vijim dhe shpresojnë të gjithë se Kastriotit do t’i dalë dikush në ndihmë dhe jo të mbetet në një gjendje që të diskutojë pjesëmarrjen apo jo në gara. Ky është realiteti që po ballafaqohen klubet tona, sidomos ana financiare i ka goditur më së shumti dhe i ka prurë para aktit të kryer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat