Kraleva, Çaçaku, Krushevci, Rashka po vijnë në Kosovë...

Hendboll

Kraleva, Çaçaku, Krushevci, Rashka po vijnë në Kosovë...

Nga: Kemajl Goca Më: 26 tetor 2017 Në ora: 11:45
Në tekst e keni tabelën faktuese

Debate

Me 24 tetor një shkrim në rubrikën e debateve në “Bota sot” me titull: FFK, FBK, FHK, FVK, duhet të reagojnë për klubet ilegale serbe në Kosovë. Autor i këtij shkrimi jam vetë dhe të gjitha që i kam shkruar janë të bazuara në fakte të forta dhe jo me të  dëgjuar apo me fjalë të kafeneve. E pash një lexues se ish munduar me argumentuar se Federata e Hendbollit e Kosovës në vitin 2013 (e ka shti dikush këtë lexues), e ka ndalë finalen e Kupës së Serbisë që të luhet në Republikën e Kosovës.

Ashtu është dhe e pakontestueshme, fakt që e ka ndalë finalen. I vetmi veprim ka qenë ky dhe asgjë më shumë!  Për hir të korrektësisë, nuk po e përmendin emrin e lexuesit (nuk ka faj ai, nuk ka informacione të bollshme), por sigurisht me lejen e dikujt apo urdhrin e dikujt, e ka shkruar këtë sqarim, po i them sqarim dhe po e paraqes në origjinale si e ka shkruar ai: “z.Kemajlsa i perket temes eshte nje teme shume e qelluar mirpo si duket nuk qenke mir i informuar,per arsye se federata e hendbollit ka reaguar ndaj kësaj dukurie qysh ne vitin 2013”.

I nderuar, e ashtuquajtura Trepça nga Mitrovica në pjesë të Veriut, se për mu është një Mitrovicë, po garon në Ligën e Parë të Perëndimit të shtetit tjetër, pra të Serbisë. Dhe kjo Trepçë fantome luan në Zubin Potok. Nëse në vitin 2013 e kemi ndalë një finale, t’i ndalim edhe aktivitetet e Ligës Ilegale të Serbisë në territor të Republikës së Kosovës! Si fakt të gjallë po ta paraqes edhe tabelën se ku gjendet kjo farë Trepçe dhe më kë garon. Lexoje në tabelë, se këto klube janë: Metallac nga Kraleva, Pobednik nga Prijepolje, Mlladosti nga Çaçaku, Napredak nga Krushevci, Slloga nga Kraleva, Bane nga Rashka etj. Mos t’i numërojë të gjitha i nderuar që nuk dua ta përmend emrin, pasi nuk je faktorë, por supozoj se dikush nga Federata të ka udhëzuar që të argumentosh një të vërtetë, por kjo është e vërteta që shihet në tabelë dhe ndeshjet e fundit mund t’i shikosh edhe kur janë luajt. Klubet nga Serbia hyjnë e dalin sa herë të duan e bëjnë çka të duan në atë pjesë të Republikës së Kosovës dhe me lejen e kujt! Është një e vërtetë e dhimbshme, por e vërtet. Kjo nuk po i ndodhë vetëm hendbollit, por edhe futbollit, basketbollit e volejbollit etj. Federatat duhet të reagojnë, të bëhen bashkë të gjithë dhe të kërkojnë vazhdimisht që të ndalën ato nga mekanizmat përkatës qoftë vendorë e qoftë ndërkombëtarë, se sot jemi shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe të gjitha sportet janë të pranuar në asociacionet më të larta evropiane e botërore.

Askush nuk po thotë që federata duhet të dalin e të rreshtohen e të luftojnë, por të ngritët zëri e të ndalin aktivitetet ilegale, se është e neveritshme kur një Sllogë e Kralevës apo një Beograd futet e zhvillon garat në Republikën e Kosovës në emër të Serbisë. Të gjitha klubet serbe që janë në vendin tonë, le të vijnë në Ligën e Kosovës, askush nuk i ndalë, e kanë trajtimin njësoj si klubet shqiptare, se Zubin Potoku është i yni, i shtetit të Kosovës. Është mirë të shikohen e të përcillen gjërat me fakte, mos të jetojmë me vitin 2013, e ndalëm një finale, por Ju luani pastaj çdo vit 22 apo 34 ndeshje në Kosovë, e mos u ndalni. 

Jo, ka ardhur koha që edhe klubet serbet të Kosovës të futen nën ombrellën e shtetit tonë dhe të garojnë në Ligën tonë. Nuk është çështje patriotizmi, është çështje që po shkelet sovraniteti i shtetit dhe asgjë mos bëfshin federatat, të bëjnë thirrje të vazhdueshme në mekanizmat përkatës. Krejt në fund, sipas tabelës, me 29 tetor në orën 19.00 Mlladosti nga Çaçaku do të luajë me Trepçën vendase, në Zubin Potok!, konfirmimin e ka bërë edhe klubi nga Çaçaku në facebookun e tyre. Ky është fakti më i ri. FHK mund të reagojë në këtë rast!

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat