Bajçinca debuton në Europë

Hendboll

Bajçinca debuton në Europë

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 11:01
Shqipe Bajçinca me bluzë të zezë

Shqipe Bajçinca ka debutuar si delegate në ndeshje të Kupave Evropiane në hendboll. Bajçinca ishte delegate e EHF-së të dielen në ndeshjen e luajtur në qytetin boshnjak Tuzla, në mes skuadrës OZRK Jedinstvo Tuzla dhe asaj greke A.C. PAOK. Ndeshja ishte e vlefshme për rrethin e tretë të Challenge Cup për femra. Fitore shënoi Jedinstvo me shifrat 31:30, por tutje kaloi PAOK-u që në Greqi para një jave kishte fituar me rezultatin 24:17.
Në fakt Bajçinca ka muaj që është delegate e EHF-së. Në gusht ishte delegate në kampionatin evropian U-17 për femra që u mbajt në Sllovaki. Por në Kupa Evropiane debutoi të dielen. Ndeshja në Tuzla mblodhi 2000 shikues, ndërsa arbitrat ishin turq.
Kosova, përkatësisht FHK-ja, kishte përfaqësim të madh në fundjavë me zyrtarë të ndeshjeve, delegatë e gjyqtarë. 
Fahredin Hashani ishte delegat në dy ndeshje të luajtura në Ramat Hasharon të Izraelit. U takuan Ramhat Ashroni vendas me skuadrën boshnjake Konjuh. Ishin ndeshje të rrethit të tretë të Challenge Cup për meshkuj ndërsa tutje shkoi skuadra izraelite meqë fitoi me rezultatin e përgjithshëm 63:48.
Çifti igjyqtarëve Erdoan e Arsim Vitaku ishin në Turqi, në qytetin Kastamonu. Para 1500 shikuesve Kastamonu e mposhti skuadrën hungareze Vaci NKSE me rezultatin 36:29, në raundin e tretë të Kupës së EHF-së për femra. Tutje shkoi skuadra turke.
Çifti tjetër, Eshref Beqiri – Ilir Krasniqi ishin në Opole të Polonisë. Gwardia Opole para 3000 shikuesve e mposhti Koperin slloven me rezultatin 30:25 në raundin e tretë të Kupës së EHF-së për meshkuj.
Në Mostar të Bosnjes ishin Ilir Bytyqi e Syart Kasapi. Zrinjski fitoi dy ndeshjet e rrethit të tretë të Challenge Cup (meshkujt) ndaj Batumit gjeorgjian dhe shkoi tutje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat