Jupa: Besoj që në Portugali do të jemi rival i fortë

Hendboll

Jupa: Besoj që në Portugali do të jemi rival i fortë

Më: 7 janar 2018 Në ora: 13:37
Pamje nga stërvitja

Hendbollistët e kombëtares së Kosovës po vazhdojnë përgatitjet me synim për paraqitje sa më të mirë në ndeshjet kualifikuese për botërorin e vitit 2019. Nën urdhërata e përzgjedhësit Taip Ramadani, hendbollistët po ushtrojnë nga dy herë në ditë në Prishtinë, ndërsa atmosfera brenda grupit është shembullore. Shtabi teknik, por edhe lojtarët, janë të kënaqur me punën që po bëhet, ndërsa synim për ndeshjet në Portugali mbetet ngritja e mëtejme e nivelit të kombëtares.

Në kuadër të grupit të katërt të raundit të parë të kualifikimeve evropiane për botëror, Kosova përballet me Poloninë (12 janar), Portugalinë (13 janar) dhe Qipron (14 janar). Ndeshjet e grupit të katërt luhen në Portugali.

“Gjithçka po shkon ashtu si duhet. Po punojmë dy herë në ditë, ndërsa po presim që edhe dy lojtarë të na bashkangjiten dhe të jemi të kompletuar. Kemi trajnerë të mjaftueshëm që po na ndihmojnë shumë që të përmirësojmë performancën tonë. Besoj që në Portugali do të jemi rival i fortë dhe do të dëshmojmë që dita-ditës vetëm po përmirësohemi si përfaqësuese”, ka thënë t pivoti Kastriot Jupa. Anëtari i skuadrës Besa FamGas ka folur edhe për synimet konkrete nga cikli eliminator në Portugali.

“Prioritet është të kemi një fitore kundër Qipros dhe së paku t’i bëjmë ballë Portugalisë, pasi Polonia është dukshëm ekipi më i mirë në grup. Shpresojmë që të zhvillojmë ndeshje sa më të mira”, ka thënë Jupa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat