Bajçinca jep edhe një provim evropian - Bota Sot
Bajçinca jep edhe një provim evropian

Hendboll

E premte, 19 tetor 2018

Bajçinca jep edhe një provim evropian

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 10:49
Shqipe Bajçinca në mes

Delegatja e EHF-së nga Kosova, Shqipe Bajçinca ka mbyllur me sukses të plotë edhe një mision evropian. Profesoresha Bajçinca ishte delegate në dy ndeshjet e një të tetës së finales së Challenge Cup për femra në mes skuadrës kroate Lokomotiva Zagreb dhe asaj greke PAOK. Ndeshjen e parë, të luajtur të shtunën, Lokomotiva e fitoi me rezultat 37:17. Ndërkohë të dielen kroatet fituan me rezultatin 33:20 dhe kështu u kualifikuan në mesin e tetë skuadrave më të mira të këtij edicioni në Challenge Cup. Të dy ndeshjet u luajtën në Zagreb të Kroacisë.
“Çdo gjë ka shkuar në mënyrën më të mirë. Gjyqtarët ishin slloven dhe pasi ndeshjet nuk kishin rivalitet, nuk patën ndonjë vështirësi. Pritja, trajtimi, të gjitha ishin në nivelin superior. Punën që e kam si delegate e kam përfunduar në mënyrën më të mirë”, ka thënë Shqipe Bajçinca.
Për të është edicion debutues në Kupa Evropiane, si delegate e EHF-së. Një ndeshje po në Challenge e ka pasur në nëntor, në Tuzla të Bosnjë dhe Hercegovinës. Verën e kaluar ishte delegate në kampionatin U-17 për hendbolliste, divizioni A.
“Zakonisht në edicionin e parë, delegatët delegohen për një apo dy ndeshje. Unë i kam tri dhe kjo është shumë mirë. Tani kanë mbetur më pak ndeshje, ka shumë delegatë dhe gjasat janë më të vogla që të delegohem. Por nuk i dihet. Me rëndësi është që punën e kam kryer me sukses dhe kam vazhduar rrugëtimin e paraqitjes me sukses të delegatëve e gjyqtarëve nga Kosova në gara të EHF-së”, ka thënë Bajçinca.
Së fundi edhe tri çifte gjyqtarësh drejtuan ndeshje të Kupave Evropiane. Ndërkohë dyshja mitrovicase e gjyqtarëve, Erdoan e Arsim Vitaku janë deleguar për të drejtuar ndeshjen e një të tetës së finales në Challenge Cup për meshkuj në mes Potaissa Turda të Rumanisë dhe Vise të Belgjikës. Kjo ndeshje luhet më 10 shkurt në Turda të Rumanisë. Potaissa Turda më parë eliminoi Trepçën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test