Muqolli: I njohim mirë turqit!

Hendboll

Muqolli: I njohim mirë turqit!

Më: 27 korrik 2018 Në ora: 18:42
Jon Muqolli

Kombëtarja e Kosovës U-20 bënë paraqitje të mira në eliminatoret për Kampionatin Evropian U-20 në hendboll (meshkujt). Ndër më të dalluarit është Jon Muqolli, i cili ka qenë vendimtarë për fitoret me rezultat 43:23 ndaj Bullgarisë dhe me 32:26 kundër Moldavisë.  Hendbollisti 19-vjeçar që luan në pozitën beg i majtë është jashtëzakonisht modest, duke thënë se 44 gola e tij për pesë ndeshje nuk çojnë peshë, sa është e rëndësishme përfaqësimi i shtetit në mënyrën më të mirë.

 “Bota sot”:  Kosova me dy fitore e tri humbje (me 4 pikë) zuri vendin e katër në grupin A, rezultate të pritura apo keni pritur më shumë?

Jon Muqolli: Ne bëjmë pjesë në një grup mjaft të fortë, bëhet fjalë për divizionin B, ku marrin pjesë shumë kombëtare cilësore. Këto dy fitore kanë qenë të pritura për neve sepse kemi një ekip shumë të mirë, por na vyen ndoshta edhe më shumë punë për t’i rivalizuar edhe kombëtaret tjera edhe pse paraqitjet tona po vijnë çdo herë duke u përmirësuar.

“Bota sot”: Për pesë ndeshje shënuat 44 gola, pothuajse nga 9 gola (8.8 gola) mesatarja për sfidë,  a mendoni se jeni në formën më të mirë?

Jon Muqolli: Këto për mua janë vetëm shifra sepse më me rëndësi është që ekipi të ketë paraqitje sa më të mira dhe dinjitoze. Ne këtu e përfaqësojmë shtetin e Kosovës e të tjerat janë vetëm shifra sepse nuk do të mund t’i shënoja këto gola pa ndihmën e bashkëlojtarëve të mi. Sa i përket formës e ndiej veten shumë mirë dhe shpresoj të vazhdoj me të njëjtën tempo.

“Bota sot”: Nesër luani kundër Turqisë, që luftohet për pozitat prej pesë deri në të tetën, sa do të jetë vështirë, sa keni njohuri?

Jon Muqolli: Me Turqinë kemi pasur dy ndeshje miqësore në Stamboll para se të vinim në Podgoricë, i njohim mirë, kanë ekip shumë të mirë dhe disa individ të cilët luajnë në ekipe me renome ndërkombëtare, por e jona është që të futemi me lojë dhe të bëjmë më të mirën për të nxjerr ndonjë rezultat pozitiv nga kjo përballje.

“Bota sot”: Me cilën kombëtare ka qenë më vështirë e me cilën nuk iu priu fati?

Jon Muqolli: Loja më e vështirë për ne ishte ndeshja e parë kundër Holandës, kurse fati sportiv na mungoj kundër Çekisë sepse kemi mundur të nxjerrim rezultat pozitiv nga ajo ndeshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat