Abazi: Për Besën do të jemi një rival i denjë - Bota Sot
Abazi: Për Besën do të jemi një rival i denjë

Hendboll

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Abazi: Për Besën do të jemi një rival i denjë

Nga: Kemajl Goca Më: 16 gusht 2018 Në ora: 10:42
Lulzim Abazi

Skuadrat e hendbollit si Kastrioti i Ferizajt, Besa FamGas nga Peja, Prishtina (meshkujt), Shqiponja e Gjakovës dhe Istogu (femrat), mendojnë se si të përgatiten maksimalisht për edicionin e ri në Superligën e Kosovës sidomos për rrafshin ndërkombëtar. Kryetari i klubit me renome Kastrioti, Lulzim Abazi, shprehet për gazetën kombëtare “Bota sot”, se janë duke hulumtuar tregun e jashtëm që të përforcohen edhe më shumë dhe të jenë sa më kompakt për sfidën e parë të kualifikimeve në Challenge Cup (në garat evropiane), kundër HC Tallinn nga Estonia. “Kastrioti është seriozisht duke u përgatitur për arenën ndërkombëtare po ashtu edhe për rrafshin vendorë.

Përgatitemi në mënyrë sistematike dhe profesionale, po ashtu i kemi kushtuar rëndësi komponimit të ekipit, kemi marrë disa lojtarë tanë që ishin jashtë Ferizajt. Krahas që kemi marrë përforcime, jemi edhe në negociata me dy lojtarë tjerë nga jashtë, nga Evropa. Besoj që shumë shpejt do t’i konkretizojmë marrëveshjet me ta, në mënyrë që ekipi të jetë më i kompletuar për arenën ndërkombëtare. Nuk është synimi ynë vetëm shkuarje e ardhje, por fitorja dhe kualifikimi më tutje”, thotë Abazi. 

Ka vite që Besa FamGas dominon, por Abazi mendon se do të rivalizojnë goxha shumë: “Ne mendojmë të luajmë lojëra te mira, është fat i mirë se në këtë vit edhe ekipet tjera janë të mobilizuar pak më mirë dhe presim ndeshje shumë interesante këtë edicion. Nuk mund të parashikohet as Besa as Kastrioti dhe as Prishtina si favoritë për titull. Kastrioti është i përkushtuar në përgatitje sa më solide, si për rrafshin vendorë po ashtu edhe ndërkombëtar.

Për Besën do të jemi një rival i denjë”. Sa i përket skuadrës nga Estonia, Tallinn, Abazi tregon se sa kanë njohuri: “Është duke punuar trajneri Verim Zherka në at drejtim. Jemi duke parë edhe ndeshjet e tyre përmes videove, nuk është ekip që nuk mund ta kalojmë, kur kihet për bazë përforcimet dhe punën që bëhet. Në shprehje do të vjen përgatitja fizike dhe taktike në krye me trajnerin Verim Zherka, që po bënë punë profesionale”. Çfarë janë kushtet në klub? “Problemi si në çdo klub tjetër janë çështje financiare.

Fatmirësisht ligji për sponsorizim është bërë dhe ne kemi pasur takime më biznese të fuqishme, ku kemi marrë pajtimin dhe pëlqimin që të na përkrahin. Kemi bërë hapa që është dashur mi bërë, kemi siguruar edhe vërtetimin, që i ka përcaktuar Komisioni në kuadër të ministrisë, por nuk është duke u aplikuar sipas ligjit. Por besoj se ministri do të marrë hapat të mëtutjeshëm, pra me hyrë në funksion këto ligje. Klubet kanë probleme të mëdha. Nuk mund të kemi suksese as vendore as ndërkombëtare pa një stabilitet ekonomik dhe financiar brenda klubit. Ndërmarrjet e ndryshme janë të pëlqimit dhe me dëshirë të madhe që ta financojnë sportin. Na ka përkrahur edhe kryetar i Komunës Agim Aliu me mjete të konsiderueshme”, tha Abazi.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test