Çfarë bëri Kosova me Britaninë e Madhe?

Hendboll

Çfarë bëri Kosova me Britaninë e Madhe?

Nga: Më: 19 gusht 2018 Në ora: 13:18
Pamje nga një ndeshje

Kombëtarja U-18 e Kosovës në hendboll ka shënuar fitore të thellë në Kampionatin Evropian të Divizionit B që po mbahet në Tulln të Austrisë. Kosova fitoi ndaj Britanisë së Madhe me rezultatin 31:23. Ndeshja ishte e vlefshme për plasman përfundimtar në evropian, përkatësisht për renditje prej pozitës nëntë deri në pozitën e 12-të.
Kosova ishte më e mirë se Britania e Madhe në të gjitha elementet e lojës dhe kështu arriti te fitorja e lartë. Gjërat funksionuan më mirë te Kosova, por edhe rivali nuk e kishte cilësinë e rivalëve që kombëtarja jonë i pati në grup.
Në kuadër të grupit B, Kosova i ka humbur të gjitha pesë ndeshjet, duke përfunduar e gjashta. Por në disa prej ndeshjeve ka pasur elemente pozitive që japin shpresë për këtë gjeneratë që është në konsolidim e sipër. Fitorja e së shtunës është e mirëseardhur për djelmoshat tanë para sfidave që i presin në vazhdim të vitit.
Kosova e ka edhe një ndeshje në Evropian. Do të luajë ndaj Bullgarisë për plasman në pozitën e nëntë apo të dhjetë. Bullgaria ka shkaktuar befasi duke mposhtur kombëtaren tonë në ndeshjen e fundit në grup dhe të dielen (nesër)paradite, djelmoshat tanë e kanë rastin për revansh. Ka optimizëm të madh se kjo mund të ndodhë. Nëse eventualisht përfundon në vendin e nëntë kombëtarja jonë, ky do të ishte një rezultat megjithatë solid i gjeneratës që për herë të parë po shijon skenën ndërkombëtare.
Ndaj Britanisë së Madhe shkëputja u bë herët dhe pjesa e parë përfundoi me rezultatin 17:8. Më efikasi ishte Adonit Isufi me 10 gola.

Britania e Madhe – Kosova 23:31 (8:17)

Kosova: Thaqi, Idrizi 6, Berisha 1, Maloku, Isufi 10, Qerimi, Neziri 2, Delija 1, Fana, Basholli, Hajdini, Selmani 1, Vokshi 6, Dukaj 1, Quni 1, Muqolli 2.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat