Vajzat e Kosovës mos rrini, grahni punës dhe lëreni celularët!

Hendboll

Vajzat e Kosovës mos rrini, grahni punës dhe lëreni celularët!

Nga: Leonora Halipi Më: 9 shtator 2018 Në ora: 14:30
Leonora Halipi

Debate

Sporti ynë ka kaluar faza të ndryshme!  Tani jemi 18 vite pas luftës dhe çdo gjë është më mirë! Palestrat janë të mirëmbajtura, disa janë të ndërtuara dhe kushtet për stërvitje janë shumë të mira. Motivi nuk duhet të mungojë të asnjë sportiste që të punojë për të arritur suksese. Sot kur fitojmë kemi ku të shkojmë, në garat evropiane. Më kujtohet periudha kur isha si portiere e Prishtinë në vitet e pasluftës e deri në vitin 2003, nuk e kishim të drejtën të garojmë në kupat evropiane sepse Federata e Hendbollit e Kosovës nuk ishte e pranuar në Federatën e Hendbollit Evropian dhe si çdo federatë tjetër përkatëse në vendin tonë, me përjashtim pingpongu ishte i pranuar në at periudhë me sa e mbajë mend! 

U bënim kampione apo fituese të Kupës dhe nuk e kishim të drejtën në garat evropiane. U desh të kënaqej me një titull apo Kupë të Kosovës, pa e shijuar të drejtën e garimit në rrafshin ndërkombëtar. Me kalimin e kohës gjërat vijnë në binarë, Federata e Hendbollit ishte nga sportet e para kolektive që ka thyer embargon, u pranuan me të drejtat e kushtëzuara në EHF pikërisht në fund të vitit 2004 dhe aty gjithçka fillon një epokë e re, një frymëmarrje tjetër dhe një lehtësim për klubet tona sepse vitin 2005 është viti debutues për ekipet tona.

Tani e dini pse luftoni dhe bëheni kampione e fituese e Kupës sepse e keni vendin edhe në garat Evropiane. Nuk luajnë më nga Peja në Kaçanik apo në Dardanë ose në Podujevë, por tani shtegtoni në Poloni, në Gjermani, në Çeki, në Norvegji etj.  për të luajtur ndeshjet ndërkombëtare. Kosova pavarësisht rezultateve të klubeve tona, lartësohet si emër kudo që shkonin Ju. Ky ishte një motiv shtesë për të gjithë. Ju hendbollistet keni për çka të luftoni sidomos kur e kemi parasysh për kombëtaren e të gjitha grupmoshave deri te senioret, ku çdo vit merrni pjesë në garat e ndryshme dhe njiheni me kultura të ndryshme të shteteve të ndryshme dhe e shohin edhe veten se ku janë me cilësi.

Rezultatet nuk janë aq me rëndësi se sa prezantimi i shtetit tonë, të sportit me traditë mbi 60-vjeçare në vendin tonë. Sot vajzat si kurrë më parë duhet të angazhohen, të punojnë, të përgatiten maksimalisht dhe të dëshmohen, pasi e kanë të ardhmen e ndritur.

Nuk jemi të izoluar, kemi të drejtën e garimit në garat evropiane, jo si dikur që sillemi e mbështillemi brenda territorit tonë, sot shkojmë kudo në Europë, kudo që na bie shorti dhe na respektojnë si fuqitë tjera të mëdha të botës në hendboll. Kjo është një arsye më shumë të investojmë e të punojmë sepse jemi fytyra që prezantojmë shtetin tonë.

Vajza mos rrini, grahni punës dhe lëreni celularët! Është koha të punoni, të rriteni në cilësi dhe jo vetëm të kënaqni me kaq sa keni sot cilësi.

Autorja është ish portiere e KH Prishtinës dhe e kombëtares së Kosovës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat