Drita shokon Prishtinën - Bota Sot
Drita shokon Prishtinën

Hendboll

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Drita shokon Prishtinën

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 12:19
KH Drita

Ashtu si pritej, fillimi i kampionatit të ri ofroi një ndeshje interesante. Bëhet fjalë për derbin e javës së parë të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt) mes Prishtinës dhe Dritës së Gjilanit, që u luajt  në Pallatin e Rinisë në kryeqytet.

Fitore shënoi Drita me rezultat 30:27 për të bërë një hapje të madhe të edicionit të ri dhe për të shpalosur synimet që i ka për këtë kampionat, për tëqenë prej skuadrave të kreut të tabelës.

Prishtina e ka fituar pjesën e parë me rezultat 14:13, por nuk u mbajt deri në fund. Madje deri në minutën e 45-të prishtinasit kryesisht ishin në epërsi të lehtë prej një apo dy gola. Në minutën e 45-të gjilanasit kaluan në epërsi (23:22) të cilën nuk e lëshuan më deri në fund të takimit, që mblodhi rreth 200 shikues. Epërsia e Dritës shkoi deri në katër gola, por në fund dallimi ishte tri gola në të mirë të skuadrës mysafire (30:27).

Të gjithë lojtarët e Dritës dhanë kontribut në fitoren e rëndësishme të hapjes së edicionit. U dalluan portieri Arbër Sylejmani, pivoti Sali Maxhera dhe organizatori i lojës Fidan Cimili. Cimili ishte më efikasi me shtatë gola ndërsa Maxhera realizoi gjashtë herë. Te Prishtina më efikasi ishte Oltion Beshiri me nëntë gola.

Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshje tjera. Kampioni Besa Famgas ka shënuar fitore të thellë ndaj Trepçës në Mitrovicë me rezultatin 37:18.

Në Drenas u përballën Drenica e Vushtrria. Fitore shënoi Drenica me rezultat 26:20.

Prishtina – Drita 27:30 (14:13)

Prishtina: Murtezi, Fetahu 4, Bajqinovci 3, Agushi, Krasniqi, Kastrati 3, Gjuka 4, Gashi 2, Beshiri 9, Basholli, Beqiraj, Hoxha 1, Ademi 1, Abazi, Visoka

Drita: Selmani 3, Sylejmani, Cimili 7, Buqinca, Mehmeti, Veliu, Saliu, Mustafi 2, Azizi 4, Gubetini 3, Shaqiri, Shahini 2, Misini 3, Maxhera 6.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test