Gjithçka është e qartë! Në fundjavë, me 29 shtator, me gjasë në orën 19.00 në veri të Mitrovicës, do të luajë klubi i njohur nga Serbia, Partizani i Beogradit, kundër Mokra Gorës së Zubin Potoku. Kjo ndeshje nuk është as humanitare, as miqësore, shkurt e shqip zyrtare dhe në kuadër të javës së dytë të Superligës së Serbisë në hendboll (meshkujt).
Palestra në Zubin Potok
Mokra Gora është klub nga Zubin Potoku, në veri të Mitrovicës, nuk i njeh institucionet e Kosovës, i regjistruar në Federatën e Hendbollit të Serbisë. Partizani po vjen në Kosovë dhe sigurisht si gjithnjë nuk do të del kush që do ta pengojë dhe do të futet në Zubin Potok, do të luajë pa asnjë therë në këmbë. Duhet theksuar se javën e kaluar Mokra Gora në Zupin Potok e mundi me rezultat 28:24 Novi Pazarin, kurse Partizani kishte luajtur baras (25:25) me Metaloplastikën.
Prandaj, në zemër të Kosovës zhvillohen garat ilegale të Serbisë. Sovraniteti po shkelet, institucionet tona po heshtin dhe pothuajse janë futur në birucë të miut. Duket se është krijuar një logjikë se Partizani nuk ndalet! Por si nuk ndalet një ekip që futet ilegalisht në vendin tonë, në shtetin tonë të njohur ndërkombëtarisht, një Federatë e Hendbollit e Kosovës e pranuar me të drejta të plota në Federatën e Hendbollit Evropian (EHF).