Parduzi: Vushtrrisë i duhen disa përforcime

Hendboll

Parduzi: Vushtrrisë i duhen disa përforcime

Nga: Kemajl Goca Më: 28 shtator 2018 Në ora: 11:22
Parduzi: Vushtrrisë i duhen disa përforcime

Superliga e Kosovës në hendboll (femrat) pritet të jetë më interesante e më rivalizuese se në edicionin e kaluar. Disa skuadra  llogariten se do të luftojnë për kreun e tabelës, si Vushtrria, Shqiponja, kampione në fuqi; Istogu, fitues i Kupës së Kosovës; Kastrioti dhe Prishtina. Vushtrria me kryetrajnerin e ri, Arben Parduzi, e ka filluar me fitore bindëse, duke e mundur me rezultat 40:9 Vjosën e Shtimes.  Vushtrriaset pretendojnë të gjitha trofetë. Parduzi ka deklaruar se atmosfera është shumë e mirë dhe kanë ekip mjaft mirë të konsoliduar, që do të jenë “arrë” e fortë për secilën rivale që lufton për kreun e tabelës.

“Qysh në ndeshjen e parë kemi treguar që kemi skuadër serioze për të luftuar për të dy trofetë, edhe pse  është vetëm ndeshja e parë. Prandaj, jemi kandidat për trofe”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Parduzi. Vushtrria edhe në javën e dytë ka sfidë të lehtë ndaj Samadrexhës, por sipas jush, a është edhe një mundësi e mirë që të përgatiteni për sfidat e radhës më të forta? “Mendoj që edhe në ndeshjen e dytë do të kemi një kundërshtar jo aq të fortë, por Samadrexha ka traditë në hendbollin e Kosovës edhe pse në këtë vit ka një gjeneratë të re, por janë me perspektiv”, përgjigjet Parduzi. Konkurrenca do të jetë mjaft e fortë në luftë se cila nga skuadrat do të jenë në kreun e tabelës.

“Ekipit të Vushtrrisë i nevojitet sa me shumë lojë që të kombinohet sa më mirë. Sa i përket luftës për titull është herët, por mendoj që konkurrent më serioz e shoh Istogun dhe deri diku Shqiponjën, sa i përket ekipeve tjera mendoj që Kastrioti janë munduar që të organizohen dhe kanë marrë një përforcim nga Maqedonia”, theksoi ai. Vushtrria ka një ekip të mirë por gjithsesi se i duhen edhe disa përforcime që të jetë më e kompletuar në të gjitha repartet. “Si ekip mendoj që  jemi të kompletuar deri diku, por na nevojiten edhe disa lojtare në bankën rezervë dhe me cilësi e me përvojë, pasi që në ekipin rezervë shumica janë të reja dhe pa përvojë. Jemi duke u munduar që lojtaret e reja të japin maksimumin atëherë kur janë në fushë dhe të komponohen me lojtare me përvojë”, përfundoi Parduzi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat