Gjinovci: Evropa u tregon serbëve se çfarë i pret për Kosovën

Hendboll

Gjinovci: Evropa u tregon serbëve se çfarë i pret për Kosovën

Nga: Kemajl Goca Më: 28 shtator 2018 Në ora: 17:00
Izet Gjinovci

Federata e Hendbollit Evropian (EHF) u ka bërë të qartë Federatës së Hendbollit të Serbisë, se klubi nga Kosova, Mokra Gora e Zubin Potokut (meshkujt), nuk mund t’i luajë ndeshjet në Superligën e Serbisë, ndryshe do të pasojnë edhe ndëshkimet në të ardhmen.

Megjithatë Federata e Hendbollit e Serbisë thirret në emër të Qeverisë serbe, se ata nuk kanë pru asnjë vendim në lidhje me këtë dhe Mokra Gora ende vazhdon të luajë në ligën serbe! Klubet nga Serbia luajnë ndeshjet ilegale në territorin e Shtetit të Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci, tha se FHK-ja ka bërë të gjitha e veprimet e duhura që i ka në kompetencë. “FHK-ja ka bërë te gjitha veprimet që i ka në kompetencë dhe mundësi reale, të bisedon me zyrtarët e EHF-it, të cilën gjë e kemi bërë dy herë ne takime me zyrtarët e EHF-it në Zagreb në muajin janar dhe në Trondheim në muajin prill, si dhe me shkresa zyrtare.

Sa kemi informata EHF-i i ka shkruar zyrtarisht Federatës Serbe mbi vendimin e ndalimit te ndeshjeve te klubeve serbe në territorin e Kosovës por edhe në Komitetin Ekzekutiv të EHF-it në mbledhjen e mbajtur javën e kaluar në Barcelonë, i kanë thënë kryetarit te Federatës serbe se janë duke e shkelur Statutin e EHF-it dhe nëse i zhvillojnë ndeshjet skuadrat serbe ne territorin e Kosovës, Federata serbe dhe ekipet kombëtare do të pësojnë dënime dhe sanksione nga EHF-i.

Sa lexova ne shtypin serb, federata serbe po heziton ta përmbush këtë obligim, me arsyetim se ju duhet vendim nga Ministria apo Qeveria e Serbisë. Sidoqoftë, ne punën tonë si federatë e kemi bërë dhe nuk jemi ‘patriota’ të gazetave dhe rrjeteve sociale, ku plotë njerëz derdhin lot krokodili çka është edhe më e keqja janë larg Kosovës e sportit kosovar tani e 30 vjet.

Shpresojmë që sanksionet e EHF-it do ta detyrojnë palën serbe ta respekton shtetin e Kosovës, pasi ligji në këtë pjesë të Kosovës ende fatkeqësisht nuk po funksionon”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Gjinovci. Duhet theksuar se para pesë viteve (2013), Federata e Hendbollit e Kosovës nuk ka lejuar që të luhet finalja e Kupës së Serbisë në Zubin Potok dhe është prej federatave pothuajse të vetme që ka kërkuar vazhdimisht nga mekanizmat ndërkombëtar që t’i ndalin aktivitetet ilegale serbe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat