Ramadani: Polakët na dënuan ashpër!

Hendboll

Ramadani: Polakët na dënuan ashpër!

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 10:35
Ramadani: Polakët na dënuan ashpër!

Kombëtarja A e Kosovës në hendboll të enjten është kthyer në Prishtinë pas ndeshjes së vështirë që e kishte të mërkurën në Poloni. Në lojën e parë të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2020”, kombëtarja jonë humbi nga Polonia me rezultat 37:13. Për lojtarët nuk do të ketë kohë për pushim pasi menjëherë të dielën luhet ndeshja edhe më e vështirë, ndaj superfuqisë Gjermanisë. Ndeshja Kosova – Gjermania luhet nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.

Selektori Taip Ramadani ka thënë se gabimet në sulm i kanë kushtuar shumë kombëtares tonë ndaj polakëve.

 “Patëm një fillim jashtëzakonisht të dobët në sulm, me plot gabime elementare në pasime, kapje topi, gjuajtje dhe vendimmarrje. Polakët na dënuan ashpër në çdo gabim, me kundërzbritje të shpejta. Nëntë gola me kundërzbritje brenda 15 minutave është një statistikë e rëndë për secilin ekip. Në mbrojtjen e organizuar kam qenë shumë i kënaqur në pjesën e parë. Jupa, Quni, Fetahu dhe Beshiri eliminuan krejtësisht rrezikun polak në anën e djathtë dhe kur arritëm të ndalim kundërzbritjet pranuam vetëm një gol në 12 minuta lojë.

Mirëpo problemin në sulm nuk arrinim ta zgjidhnim dhe gabimet teknike, gjuajtjet e papërgatitura vazhdonin. Nuk kishim besim në sulm dhe në aftësitë tona. Edhe kur thyenim mbrojtjen polake, gjuajtjet ishin shumë të dobëta. Zgjidhnim të bëjmë lobime dhe eksperimente me portierin e gjatë 2 metra dhe me përvojë elitare prej dy dekadash, në vend se të bënim gjuajte të forta dhe të sigurta, njëjtë si polakët ndaj portierëve tanë.

Shpresoj se ky takim ndërkombëtar ua ka bërë të çartë djelmoshave tanë se si dhe me çfarë serioziteti luhet hendbolli në nivel të lartë. Nëse pretendojmë të konkurrojmë në këtë nivel në të ardhmen, duhet të bëjmë ndryshime drastike jetësore. Të fillojmë të mendojmë dhe të veprojmë si lojtar elitar, në çdo akt të jetës dhe jo si sportistë të rëndomtë që u ka ardhur rasti pa qëllim të luajnë hendboll.

Tash kemi dy ditë të rikuperohemi dhe të mundohemi sa më shumë të punojmë në dobësitë tona në sulm”, ka thënë Ramadani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat