Kosova ndeshet me Gjermaninë

Hendboll

Kosova ndeshet me Gjermaninë

Nga: Kemajl Goca Më: 26 tetor 2018 Në ora: 18:05
Haris Berisha

Superfuqia e hendbollit botëror, Gjermania, të shtunën (nesër) do të arrijë në shtetin e Kosovës. Gjermanët do të ballafaqohen me kombëtaren e Kosovës, në kuadër të grupit 1 të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2020 (meshkuj). Gjermanët janë favoritë të mëdhenj dhe presin pa ndonjë vështirësi t’i importojnë dy pikë nga kryeqyteti i Kosovës. Ndeshja Kosovë-Gjermani do të zhvillohet të dielën në orën 19.30 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë.

Të mërkurën që e lamë pas, Kosova pësoi humbje si mysafirë nga Polonia me rezultat 37:13, kurse Gjermania e kishte mundur me 37:21 Izraelin. Portieri i kombëtares së Kosovës, Haris Berisha, shprehet se do të mundohen që të japin maksimumin ndaj superfuqisë botërore. Berisha e ka të qartë për cilësinë që kanë gjermanët, por synimet e tija janë që të dhurojnë lojë sa më të mirë, të lënë përshtypje të mirë.  Berisha tha se emocionet nuk mungojnë para kësaj sfide shumë të vështirë. “Pa dyshim që emocionet nuk do të mungojnë, pasi që do të ndeshemi me një ndër kombëtaret më të forta”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Berisha.

Si e sheh sfidën me Gjermaninë, a kemi forcë që t'i bëjmë ballë deri diku? “Realisht që të gjithë e dimë se sa e fortë është Gjermania, mirëpo për neve do të jetë një eksperiencë e mirë dhe besoj se do të mësojmë më shumë, si dhe do të mundohemi me të gjitha mundësitë të nxjerrim një rezultat të favorshëm”, përgjigjet Berisha.

Portieri thotë se janë munduar të përmirësohen sa më shumë dhe sipas tij, rreziku vjen nga të gjithë anët nga rivali: “Presim rrezikun nga të gjitha anët, mirëpo jemi munduar gjatë stërvitjeve që të përmirësohemi me shumë”. A është Kosova e përgatitur në çdo aspekt dhe a pret shikueshmëri të madhe? “Ne jemi përgatitur mjaft mirë dhe shpresoj paraqitje dinjitoze. Sa i përket shikueshmërisë, besoj se do të ketë shumë dhe do ta përkrahin kombëtaren drejt një paraqitje të mirë kundër një kombëtare të madhe”, ka thënë portieri. 

Kosova është në një grup shumë të vështirë, a shpresoni në ndonjë pikë? “Grupi për Kosovën është i vështirë shumë, këto dy ndeshjet e para ndaj Polonisë dhe Gjermanisë do të jenë një provë e madhe. Ne duhet të përgatitemi që në ndeshjen me Izraelin të marrim pikët e para për Kosovën”, shpreson Berisha. Ai flet për ndeshjen që e humbën nga Polonia: “Ne ndeshjen ndaj Polonisë kemi pas lëndime dhe kemi pasur disa gabime, gjë që na kushtuan edhe në rezultat”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat