Motrat me synime të ndryshme, njëra me Kosovën, tjetra me Malin e Zi

Hendboll

Motrat me synime të ndryshme, njëra me Kosovën, tjetra me Malin e Zi

Nga: Kemajl Goca Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 14:52
Suzana dhe Dijana

Ka pak raste në botën sportive që motrat luajnë për Kombëtaret e ndryshme, siç është rasti i motrave nga Malësia e Malit të Zi, Dijana dhe Suzana Ujkiq. Motrat vijnë nga një familje shqiptare, me traditë kombëtare dhe janë shumë të respektuara jo vetëm në opinionin sportiv.

Dijana dhe Suzana shquhen me lojën e hendbollit dhe japin maksimumin në secilën ndeshje! Dijana përfaqëson kombëtaren e Malit të Zi dhe luan për kampionen malazeze Buduçnosti nga Podgorica dhe Suzana paraqitet për fituesin e Kupës së Kosovës, Istogu dhe Kombëtaren e Kosovës.  

Dijana dhe Suzana, kanë mision që të paraqiten sa më mirë për Kombëtaret dhe ekipet e tyre. Dijana po kalon periudhë fantastike me Buduçnostin e cila synon të janë sa më lartë në garat e Champions League, kurse Suzanës do t’i mbetet pikë në zemër nëse nuk bëhen kampione me Istogun. Suzana ka pasur emocionet e saja kur u ftua nga Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Agron Shabani, për sfidat miqësore me Luksemburgun.

Image

Dijana dhe Suzana

Motrat që jetojnë nga hendbolli dhe ndihen krenare për njëra – tjetrën që përfaqësojnë Kombëtaret respektive! Suzana është e mrekulluar me natyrën e Istogut, me paraqitjen në Kombëtare dhe me respektin nga qytetarët e Kosovës. Suzi është krenare që ka një motër si Dijanën dhe që luan në garën më të lartë evropiane dhe është frymëzim për të. “Unë jam krenare për motrën time e cila është një talente e veçantë dhe është duke i arritur majat e larta, ëndrrat e veta”, thotë Suzi për gazetën “Bota sot”. Suzana është me moshë më e madhe se Dijana. Suzi ka 25 vjet, kurse Dijana 22.  

“Unë jam shumë krenare që e përfaqësoj një shtet siç është Kosova. Ne gjithmonë kur flasim edhe nëse kemi thirrur njëra-tjetrën për diskutime tjera, hendbollin nuk e harrojmë që ta diskutojmë bashkë sepse ka qenë ëndrra jonë prej fëmijërisë”, nënvizon Suzi.  Hendbollistja shprehet se asnjëherë nuk iu mungon motivi: “Motivimi nuk mungon asnjëherë, ne gjithmonë i shkruajmë mesazh motivuese njëra-tjetrës, sidomos kur kemi lojë”. Suzi është në formë të mirë dhe e bindur se do të ecin drejt sukseseve të reja. “Synimet e Istogut janë që ne si klub të punojmë shumë dhe të ecim drejt suksesit, fitoreve”, theksoi ajo.

A shpresoni një ditë të luani në kualifikime me Kosovën në përballje me Malin e Zi, ku luan motrat juaj dhe a do të kishe emocione? “Po, pse jo, do të ishte një gjë e bukur”, përgjigjet Suzana. Dijana e ka shumë të vështirë të përshkruaj gëzimin e saj kur ka dëgjuar se motra e saj është ftuar në Kombëtaren e Kosovës. Ajo në ato momente e kishte ndje veten si më e lumtura në botë, që motrat e saj po luan për shtetin e Kosovës.

Image

Dijana

“Jam krenare për Suzanën, motrën time, e cila pas një pauze shumë të gjatë arriti në klubin e Istogut po ashtu edhe në Kombëtaren e Kosovës. Është një gjë shumë e vështirë ta përshkruaj se sa jam e lumtur për këtë gjë, që ka arritur për kohë të shkurtër!”, shpreh Dijana emocionet e saja.  

Suzana dhe Dijana, si fëmijë ëndërronin të bëhen sportiste, ëndërr që iu realizua dhe një periudhë së bashku kanë ushtruar. Dijana shpreson që një ditë të ballafaqohet në ndeshjen zyrtare me Suzanën: Mali i Zi-Kosova. “Shpresoj se një ditë do të luaj kundër motrës qoftë me klub apo me Kombëtare”, thotë Dijana. Hendbollistja më e mirë shqiptare nuk e fsheh edhe motivin që merr nga motra e saj: “Motivimin me shumë që me jep është ajo, e cila gjithmonë me bën të gëzuar edhe me mbushet zemra plotë”.  Dijana është një sportiste që vazhdimisht kërkon punë dhe në rritjen e formës së saj. “Synimet me Buduçnostin janë të ecim përpara dhe të kualifikohemi në çerekfinale apo në mes tetë ekipeve më të mira evropiane”, përfundoi Dijana.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat