Istogu duhet të investojë - Bota Sot
Istogu duhet të investojë

Hendboll

Istogu duhet të investojë

Nga: Kemajl Goca Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 18:22
Istogu

Debate

Garat evropiane në hendboll nuk kanë përfunduar për të gjitha skuadrat e Kosovës. Kosova ka edhe një përfaqësuese dhe në mesin e 16 skuadrave më të mira të Challenge League (femrat). Është fjala për KHF Istogun që ka trajner Faruk Shalën dhe është një ekip mjaft simpatike, me disa lojtare që bëjnë diferencën! Ka disa lojtare me përvojë, disa të talentuara, por që i duhen edhe disa përforcime nga jashtë, që të janë më të fortë!  Me lojtare aktuale është konkurrente e fortë, që të luftojnë për të gjitha trofetë në vendin tonë, si për titull dhe për mbrojtjen e trofeut të Kupës, por jo edhe t’ia mësyjnë nivelit evropian, kur kihet për bazë se ka për rivale prej skuadrave më të forta të Spanjës, siç është Rincon Fertilidad Malaga.

Spanjollet janë jashtëzakonisht të forta dhe si dëshmi më e mirë, janë lidere e kampionatit. Istogu gabon rëndë, nëse qysh tani nuk fillon ta hulumtojë tregun ndërkombëtar, të kërkojë përforcime aty ku i duhet më së shumti! Istogu nuk ka kohë që të mendoj shumë as të humbë kohë pa nevojë, sepse hiq më larg se në javën e parë të janarit, duhet t’i përvishen vlugut të përgatitjeve për ndeshjen e madhe, që e pret në fillim të shkurtit, kur planifikojnë të luajnë me Malagën (me 2-3 shkurt) dhe pastaj ajo e kthimit me (9-10 shkurt).

Megjithëse ka gjasa të luhet edhe më vonë, varësisht se si do të merren vesh ekipet, kur dihet se Kosova ka probleme me Spanjën, pasi kjo e fundit nuk i njeh pasaportat tona!  Pavarësisht se si do të vijë puna, trajneri Shala me kryesinë që ka, duhet të ulet dhe të kërkojë formulën se si mund të përforcohen dhe t’i dalin karshi rivales. Sepse nuk duhet të kënaqen që kanë arritur deri në të tetën e finales, por të pretendojnë edhe më shumë. Nëse pretendojmë edhe më shumë, Istogu i duhet shumë investime, për të blerë lojtare të nivelit evropian dhe për të pretenduar për ta eliminuar Malagën.

Me lojtaret e tanishme, e ka të vështirë dhe shumë të vështirë, përveç që mund t’i bëjnë qejf vetes! Malaga ka ekip shumë të mirë dhe nuk janë rastësisht në kreun e tabelës. Istogu duhet të ndihmohet edhe materialisht nga sponsorët e ndryshëm, nga komuna. Sepse suksesi i Istogut nuk lartëson vetëm qytetin e saj, por edhe Kosovën.  Faruk Shala e ka të qartë, se e ka shumë të vështirë kësaj radhe. Ai e din mirë se më kë ka punë dhe duhet të studiojë mirë rivalen, sepse nëse mendon se do ta kalojë dhe do të kualifikohen, e ka gabim të madh.

Ai duhet të kërkojë edhe ndihmë nga njohësit e këtij sporti, pra nga njohësit e mirëfilltë, jo nga gjithkush, se si të veprojnë në këtë rast, pasi që ka kohë, më shumë se një muaj e gjysmë para kësaj sfide. I duhet shumë angazhim e seriozitet, mbi të gjitha edhe mjete materiale, ngase asnjë lojtare e mirë nga jashtë nuk do t’i bashkohet nëse nuk e paguajnë mirë. Mbetet të shihet se si do të veprojë Istogu dhe a mund të përforcohet!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...