Kur Universiteti i Shkupit pranonte vetëm katër studentë shqiptarë

Historia

Kur Universiteti i Shkupit pranonte vetëm katër studentë shqiptarë

Më: 21 mars 2019 Në ora: 19:48
Foto

Të dhënat arkivore tregojnë se deri në vitin 1954, në Universitetin e Shkupit kishin diplomuar vetëm katër shqiptarë, nga viti 1955-1962 numri i të diplomuarve shqiptarë ishte 298, ndërsa nga viti 1963-1965, diplomuan gjithsej 217 shqiptarë. Në këto numra, një pjesë e tyre vinin nga Kosova

Nga Qerim LITA

Vitet pesëdhjeta të shekullit të kaluar, përveç procesit të shpërnguljes u karakterizua edhe me një diskriminim të skajshme të zhvillimit arsimor me mësim në gjuhën shqipe. Ky diskriminim shprehej sidomos në shkollimin fillor të ciklit të lartë e atë të mesëm. Të dhënat statistikore tregojnë se deri në vitin shkollor 1951/52 funksiononin gjithsej 13 tetëvjeçare me mësim në gjuhën shqipe. Kjo situatë sipas rretheve ishte me sa vijon: në rrethin e Shkupit një tetëvjeçare; në rrethin e Tetovës dy tetëvjeçare; në rrethin e Gostivarit dy tetëvjeçare; në rrethin e Kërçovës një tetëvjeçare; në rrethin e Kumanovës një tetëvjeçare; në rrethin e Strugës dy tetëvjeçare; në rrethin e Manastirit një tetëvjeçare; në rrethin e Dibrës një tetëvjeçare; në rrethin e Krushevës një tetëvjeçare; dhe, në rrethin e Prespës një tetëvjeçare. Në këto shkolla numri i përgjithshëm i nxënësve të cilët e vijonin shkollimin fillor të ciklit të lartë (nga klasa e V deri në të VIII) numëronte gjithsej 1.238. Në të njëjtin vit shkollor, funksiononin gjithsej 216 shkolla fillore katërvjeçare me mësim në gjuhën shqipe me gjithsej 25.941 nxënës. Mbështetur në këto të dhëna, del se vetëm 5%, apo çdo i 20 nxënës e vazhdonte shkollimin fillor të ciklit të lartë. Bie në sy se në Shkup me rrethinë, përveç tetëvjeçares Liria, nuk qe hapur asnjë shkollë tetëvjeçare, edhe pse popullsia shqiptare asaj kohe përbënte rreth 45% të numrit të përgjithshëm të këtij qyteti. Se pushteti komunist maqedonas, kryente diskriminim të hapur kundër shkollimit shqip, në vazhdim po i referohemi raportit të Dhomës së Arsimit pranë Byrosë Politike të PKM-së, për vitin shkollor 1952/53, përkatësisht pjesës ku bën fjalë për shkollimin fillor e atë të mesëm në rrethet Gostivar e Tetovë:

“Në rrethin e Gostivarit punojnë 33 shkolla fillore (katërvjeçare) shqipe me 3.879 nxënës dhe dy tetëvjeçare me 119 nxënës, ndërsa në gjimnazin e ulët punojnë 4 paralele shqipe me 74 nxënës…Në rrethin e Tetovës kemi 53 shkolla fillore (katërvjeçare) shqipe me 5.553 nxënës, dy tetëvjeçare me 215 nxënës, ndërsa në në gjimnazin e plotë punojnë 14 paralele shqipe me gjithsej 417 nxënës. Shkolla fillore turke në rrethin e Gostivarit kemi 4 me 118 nxënës, 2 tetëvjeçare me 94 nxënës ndërsa në gjimnaz punojnë 5 paralele turke me 156 nxënës. Në rrethin e Tetovës kemi 1 shkollë fillore turke me 30 nxënës, 1 tetëvjeçare me 20 nxënës, veç kësaj në qytet funksionon 1 shkollë fillore me 238 nxënës dhe 1 tetëvjeçare me 57 nxënës…”.
 

Image

VETËM 4 SHKOLLA FILLORE TETËVJEÇARE SHQIPE

Për sa më sipër, del se në këto dy rrethe funksiononin gjithsej 87 shkolla fillore katërvjeçare me mësim në gjuhën shqipe me gjithsej 10.221 nxënës, dhe 6 shkolla fillore katërvjeçare me mësim në gjuhën turke me gjithsej 386 nxënës, ose në 28 nxënës shqiptarë kemi një nxënës turk. Mirëpo, përkundër këtij dallimi të madh, kemi vetëm 4 shkolla fillore tetëvjeçare shqipe, me 334 nxënës dhe po aq turke, me 171 nxënës. Në gjimnazin e ulët të Gostivarit, i cili njihej si gjimnaz shqiptar, çuditërisht në të punonin vetëm 4 paralele shqipe me 74 nxënës, përkundër 5 paraleleve turke me gjithsej 156 nxënës.

Një situatë e tillë, sipas udhëheqjes politike maqedonase ishte rrjedhojë e mosvijimit të shkollimit fillor të ciklit të lartë, nga ana e nxënësve shqiptar sidomos të gjinisë femërore:

“…Përkundër të gjitha masave të përdorura që të detyrohen prindërit t’i dërgojnë fëmijët e tyre të gjinisë femërore në shkollë, numri i nxënësve, sidomos i vajzave ende është i madh, të cilët pas mbarimit të klasës së IV nuk e vazhdojnë shkollimin, edhe pse kjo është e detyrueshme. Kjo, thuajse është dukuri e përgjithshme në shkollat shqiptare nëpër fshatra…”

Problem në vete për nxënësit shqiptarë, të cilët e kryenin shkollimin fillor tetëvjeçar, përkatësisht shtatëvjeçar paraqiste vazhdimi i shkollimit të mëtutjeshëm, sepse ata mund të konkurronin vetëm në dy shkolla ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe: gjimnazi në Tetovë dhe Normalja në Shkup. Paralelet e para me mësim në gjuhën shqipe pranë gjimnazit të Tetovës u hapën në vitin shkollor 1945/46. Deri në vitin shkollor 1954/55, nga kjo shkollë dolën 56 maturantë, prej tyre 52 meshkuj dhe vetëm 4 femra.

Komisioni për arsim dhe kulturë pranë Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë (KQ LKM-së), në analizën e hartuar në dhjetor të vitit 1955 bënte të ditur se numri i përgjithshëm i nxënësve shqiptarë në shkollat e mesme në vitin shkollor 1954/55 ishte 257, prej tyre 238 meshkuj dhe vetëm 19 femra. Në vazhdim, analiza ofronte të dhëna për numrin e nxënësve shqiptarë të cilët e kishin kryer shkollimin fillor tetëvjeçar, përkatësisht shtatëvejeçar, nga viti shkollor 1944/45 e deri në mbarim të vitit shkollor 1954/55. Situata më e mirë ishte në Dibër, ku nga 226 nxënës të cilët e kishin kryer shkollimin fillor tetëvjeçar, 79 prej tyre e kishin vazhduar shkollimin, ndërsa 147 ishin përfshi në prodhimtari si bujq, zejtar etj. Në Kumanovë, numri i përgjithshëm i nxënësve të cilët e kishin mbaruar tetëvjeçaren ishte 123, prej tyre 54 nxënës e kishin vazhduar shkollimin; në shkollën tetëvjeçare në fshatin Kranj të Prespës, 91 nxënës e kishin mbaruar shkollimin fillor tetëvjeçar, prej tyre 41 e kishin vazhduar shkollimin e mesëm: në tetëvjeçaren shqiptare Liria – Shkup, 402 nxënës e kishin mbaruar shkollimin tetëvjeçar, prej tyre vetëm 75 e kishin vazhduar shkollimin e mesëm.

Sipas një pasqyre të Komisionit për pakicat nacionale, hartuar gjatë vitit 1959, në RP të Maqedonisë, rrjeti shkollor fillor me mësim në gjuhën shqipe ishte i “kënaqshëm”, sepse, siç thuhej, “përfshinte thuajse tërë territorin, mirëpo kjo nuk mund të thuhej për arsimin e mesëm”. Gjendja faktike e rrjetit shkollor fillor dhe atij të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, sipas pasqyrës ishte me sa vijon:

– shkollimi i detyrueshëm fillor tetëvjeçar: 1039 paralele me 31.647 nxënës;

– gjimnazi i Tetovës: 4 paralele me 51 nxënës;

– Normalja Shqiptare në Shkup: 8 paralele me 318 nxënës.

Sa i përket shkollimit të lartë, të dhënat arkivore tregojnë se deri në vitin 1954, në Universitetin e Shkupit kishin diplomuar vetëm katër shqiptarë, nga viti 1955-1962 numri i të diplomuarve shqiptarë ishte 298, ndërsa nga viti 1963-1965, diplomuan gjithsej 217 shqiptarë. Në këto numra, një pjesë e tyre vinin nga Kosova.

Zhvillimi i kulturës shqiptare në RP të Maqedonisë, zhvillohej kryesisht përmes shoqërive kulturor-artistike. Në fillim të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, funksiononin disa SHKA, siç ishin: SHKA “Emin Duraku” në Shkup, SHKA “Xheladin Zeqiri” në Tetovë, SHKA “Bajram Shabani” në Kumanovë, SHKA “Liman Kaba” në Dibër, SHKA “Hadi Basha” në Gostivar dhe disa seksione kulturore në Strugë, Kërçovë, Resnjë, Ohër etj. Mirëpo, siç theksohet në një analizë të KQ të PKM-së, përkundër ekzistimit të shoqërive, zhvillimi kulturor shqiptarë në RP të Maqedonisë ishte i zbehtë, përkatësisht i vdekur. E gjithë kjo ishte rrjedhojë e pasivitetit të shoqërive kulturor-artistike shqiptare, të cilat deri në vitin 1952 nuk kishin organizuar “asnjë shfaqje”, qoftë nëpër qytete ku jetonin shqiptarët apo nëpër fshatra.

Image

GJALLËRIMI I VEPRIMTARISË KULTUROR-ARTISTIKE

Një dukuri e tillë, sipas Analizës, rridhte nga: “a) ekzistimi jo i rregullt i udhëheqjes së shoqërive; b) në udhëheqësi ishin zgjedhur më shumë njerëz nga linja përfaqësuese, me detyra të shumta tjera në administratën shtetërore; c) ekzistimi i tendencës brenda SHKA-ve për ta ringjallë aktivitetin e tyre vetëm kur duhej të shkohet nëpër turne të qyteteve tjera ose republika tjera popullore dhe ç) disa seksione nuk mund të punonin drejtë, për shkak mungesës së kuadrove femra (seksioni teatral, seksioni i korit, grupet e valltarëve etj., dhe nëse nuk kishin mësuese, nuk kishte as veprimtari në ato seksione)”. Si shembull merrej Gostivari, ku 4 mësuese merrnin pjesë edhe në grupin e valltareve, edhe në seksionin teatral. Në këtë drejtim, thuhej më tej, “nuk bëhet luftë e duhur për tërheqjen e të rejave në veprimtarinë e shoqërive kulturo-artistike”, e cila kushtëzohej, përveç tjerash, edhe “për shkak të numrit të vogël të mësueseve, të cilat më së shumti mund të ndikojnë në rininë femërore, si p.sh. në SHKA Gostivar ka vetëm 10 vajza, në SHKA Tetovë 30, ndërsa në SHKA Kumanovë nuk ka asnjë vajzë jashtë radhëve të mësueseve”. Përveç kësaj, ekzistonin edhe një sërë faktorë tjerë që pamundësonin gjallërimin e veprimtarisë kulturor-artistike të shqiptarëve, në radhë të parë mungesa e lokaleve të nevojshme për zhvillimin e drejtë të veprimtarisë (Tetovë dhe Gostivar) etj.

Duke iu referuar informatës së Komisionit për pakica nacionale të KQ të LKM-së, dërguar më 27 maj 1958, Komisionit përkatës të KQ të LKJ-së, shohim se në RP të Maqedonisë, shoqëri kulturor-artistike shqiptare pati si më poshtë: në qarkun e Ohrit një shoqëri kulturor-artistike shqiptare me 195 anëtarë; në qarkun e Tetovës 1 shoqëri me 100 anëtarë; në qarkun e Shkupit 1 shoqëri me 270 anëtarë dhe në qarkun e Kumanovës një shoqëri me 400 anëtarë, ose gjithsej në nivelin Republikan, 4 shoqëri kulturor-artistike shqiptare me 1.065 anëtarë. Përveç kësaj, ekzistonin edhe dy shoqëri kulturor-artistike maqedonas-shqiptare, edhe atë: 1/ SHKA “Sllobodan Poposki” në fshatin Vrutok të Gostivarit; 2/ SHKA “Dimo Gavroski” në Tetovë.. Krahas shoqërive, jeta kulturore e shqiptarëve në RP të Maqedonisë, zhvillohej edhe përmes seksioneve dhe grupeve të ndryshme kulturor-artistike. Aktivitete të tilla zhvilloheshin në Tetovë, Dibër, Manastir, Strugë, Kumanovë dhe në disa fshatra më të mëdha, si në Reçan, Çegran, Bogovinë, Tearcë, Forinë, Vrutok, Sërbicë, Zajas etj. Format më të përfshira të veprimtarisë kulturor-artistike ishin seksionet e dramaturgjisë, orkestrit, korit, grupeve folklorike, bibliotekave e leximoreve dhe universitetet popullore.

Aktivitete më të bujshme kulturore kemi gjatë periudhës kohore 1958-1966, ku brenda ShKA-ve, u themeluan grupe të ndryshme, si grupe të folklorit, valltarëve, orkestrit, korit etj.. Burimet arkivore të kohës vënë në dukje për interesimin e madh e të rinjve e të rejave shqiptare për t’u anëtarësuar në shoqëritë e atëhershme kulturor-artistike. Për rrjedhojë, thuajse në çdo qytet apo fshat ku jetonte popullsia shqiptare, organizoheshin koncerte të ndryshme, me çka jeta kulturore në atë periudhë pati një gjallërim të dukshëm. Gjithashtu, disa shoqëri më me zë, merrnin pjesë nëpër festivalet e atëhershme që organizoheshin brenda në Republikë, në Kosovë si dhe në republikat tjera të Federatës jugosllave. Nga viti 1951, në Shkup punonte Teatri i pakicave nacionale, në kuadër të së cilit funksiononin drama shqipe dhe ajo turke. Ky institucion deri në vitin 1956 luajti rol të rëndësishëm në jetën kulturore të popullsisë shqiptare, jo vetëm në Shkup, por edhe në brendi, përmes turneve të ndryshme. Drama shqipe posedonte një numër të konsiderueshëm të kuadrit artistik. Mirëpo, siç thuhet në një dokument, në vitin 1956, Këshilli Popullor i Rrethit, “për shkaqe financiare” atë e shndërroi në “Teatër amator”. Pas atij vendimi, kuptohet se u zvogëlua ndikimi i këtij institucioni si në Shkup, po ashtu edhe në brendi të Republikës, u dobësua kualiteti artistik, sepse për shkak mungesës së mjeteve financiare, detyrimisht duhej të largoheshin nga puna numri më i madh i artistëve, ku pjesa më e talentuar u punësua në Teatrin e Prishtinës. Se çfarë roli luajti Drama shqipe pranë Teatrit të pakicave në Shkup, më së miri mund ta shohim nga të dhënat që i ofron Komisioni për pakicat nacionale, ku në të, veç tjerash, thuhet se deri në vitin 1956, kjo dramë organizonte dhjetëra premiera me mbi 30 shfaqje në vit.

Një çështje tjetër që e ngadalësonte zhvillimin, përkatësisht afirmimin e kulturës shqiptare, ishte hapësira tejet e vogël e emisioneve në gjuhën shqipe në Radio Shkup, si dhe mungesa e shtypit të rregullt në gjuhën shqipe. Nga të dhënat që i ofron Komisioni për pakicat nacionale, deri në vitin 1959, Radio Shkupi emetonte për çdo ditë nga dhjetë minuta lajme në gjuhën shqipe, një emision javor për gratë shqiptare dhe një emision javor për fëmijë, si dhe dy emisione në javë me këngë popullore. Në anën tjetër, gazeta e vetme në gjuhën shqipe, Flaka e Vëllazërimit, botohej dy herë në muaj, përkatësisht në çdo 15 ditë, Përveç kësaj, një herë në muaj botoheshin revistat për të rinjtë dhe për fëmijët, Gëzimi dhe Fatosi.

Problem në vete asaj kohe paraqiste numri tejet i vogël i botimeve të librave në gjuhën shqipe. Komisioni për pakicat nacionale, më 24 janar të vitit 1959, nëpërmjet një pasqyre më të detajuar e informonte Komitetin Ekzekutiv të KQ të LKM-së, në të cilën vihej në pah “ngecja e dukshme e zhvillimit të kulturës shqiptare në RP të Maqedonisë”, veçmas në sferën botuese, ku brenda 13 viteve ishin botuar gjithsej vetëm 20 vepra në gjuhën shqipe, prej tyre: “dy origjinale, 18 përkthime /10 nga autorët jugosllav, 5 nga autorët e huaj dhe 3 publikime me përmbajtje politike/.”. “Kjo pasqyrë”, thuhej në vazhdim: “dëshmon se është botuar shumë pak, se gjatë botimeve ka munguar një plan dhe politikë e caktuar, se është botuar në mënyrë të paorganizuar, kur dhe si është paraqitur nevoja e domosdoshme si edhe kur janë paraqitur veprat e përgatitura për botim.”.

Mbështetur në informatën e Komisionit, Komiteti Ekzekutiv i KQ të LKM-së, në mbledhjen e mbajtur më 10-19 shkurt 1959, konstatoi: “…veprimtaria botuese për pakicat nacionale është shumë e dobët; se nuk është botuar as edhe literatura më e rëndomtë politike”. Nisur nga ky fakt, në mbledhje u morr qëndrimi me sa vijon: “Bashkërisht me Kosovën të rregullohet botimi për libra dhe beletristikë tjetër; t’u ndihmohet Flakës së Vëllazërimit dhe Birlikut të përforcohen me kuadër dhe të dalin me më shumë faqe. Lidhur me shpërndarjen e Rilindjes nga Kosova, nëse ka vërejtje në përmbajtjen e saj, t’u tregohet shokëve nga Kosova.” Në mbledhje u diskutua edhe çështja e gjuhës shqipe, ku u mor qëndrimi me sa vijon: “çështja e gjuhës shqipe të zgjidhet në mënyrë parimore. Këtu dilema qëndron midis gjuhës letrare shqipe dhe gjuhës që përdoret në Kosovë. Kjo çështje do të duhej të parashtrohet edhe para KQ të LKJ-së dhe së bashku me shokët nga Kosova të zgjidhet. U shprehën mendimet se nuk mund të shkohet në gjuhë tjetër, përveç gjuhës së shtetit amë”.

Gjatë viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, udhëheqja e atëhershme e RP të Maqedonisë, në viset ku jetonin shqiptarët dhe “turqit”, ndërtoi disa kapacitete ekonomike, siç ishin: xeherorja e Llojanit, Fabrika e gypave, ndërtimi i lartë meliorativ në sistemin e Likovës në Kumanovë; në qarkun e Tetovës – ndërtimi i sistemit të Mavrovës, Kombinati i Tekstilit, Kombinati i Kromit Jegunovcë, miniera Radushë, Fabrika Silika, Fabrika e konservave “Jagoda”; në qarkun e Ohrit – miniera Cer, minierat e hekurit, disa ndërmarrje të industrisë ushqimore, ishte paraparë ndërtimi e kapacitetit energjetik në Drinin e Zi, etj.”.

Komisioni për pakicat nacionale, në analizën e vitit 1957, konstatonte se nga numri i përgjithshëm i punëtorëve në RPM, 8.603 ishin shqiptarë, ndërsa 6.679 “turq”. Nga ky numër, në industri ishin përfshi 2.814 shqiptarë ose 32,7% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve shqiptarë, dhe 1.829 “turq” ose 27%, në ndërtimtari 1.657 shqiptarë ose 16% dhe 1.089 “turq” ose 16,3%. Në fushat tjera përfshirja e shqiptarëve ishte më e vogël”. Mirëpo, në analizë thuhej se: “krijimi i klasës punëtore nga radhët e pakicave nacionale duhet të shikohet në një proces, i cili po zhvillohet në linjë të ngritjes. Kjo veçmas është karakteristikë për qarkun e Tetovës, ku nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, 34% janë shqiptarë, ndërsa turq 11% dhe në qarkun e Ohrit nga numri i përgjithshëm, 18,54% janë shqiptarë, ndërsa 6% turq.”.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se pjesa dërmuese e të punësuarve shqiptarë ishin gjysmë të kualifikuar dhe të pakualifikuar. Burimet arkivore bëjnë të ditur se procesi i përfshirjes së shqiptarëve në industri deri në vitin 1959 ishte shumë i ngadalësuar. Kjo më së miri shihet me gjendjen në rrethin e Tetovës. Në këtë rreth, deri në vitin 1958 në industri ishin të punësuar gjithsej 4.518 punëtorë, prej tyre 2.441 maqedonas, 1.232 shqiptarë dhe 547 “turq”, ose në një shqiptar të punësuar në industri vijnë dy maqedonas, ndërsa struktura e popullsisë ishte e kundërta, përkatësisht në dy shqiptarë pati një maqedonas. Për të pasur një pasqyrë më të drejtpërdrejtë për përfshirjen e shqiptarëve në jetën shoqëroro-politike, ekonomike dhe publike, Komisioni për pakicat nacionale gjatë vitit 1961, zhvilloi një anketë me përfaqësuesit e këshillave popullor dhe me organizatat politiko-shoqërore në komunat: Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Gjorçe Petrov dhe Likovë. Po për këtë qëllim, Komisioni anketoi edhe 14 organizata ekonomike: Fabrikën e tekstilit “Teteks”, Kombinatin elektrometalurgjik “Jugohrom”, ndërmarrjet ndërtimore “Beton”, “Granit”, “Mavrovë”, “Luboten” dhe “Korab”, Fabrikën “Sileks”, Qilimarën në Dibër, “Struzhankën” në Strugë, minierën “Radushë”, Fabrikën për prodhimin e betonit “Karposh”, Fabrikën për lëkurë “Goce Dellçev” dhe ndërmarrjen e zejtarisë “Slloga”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat